Paralajmëron Gecaj: Kështu do ta përdorë maksimalisht Serbia plagosjen në Shtërpcë, ja si të reagojnë organet

Politika

Paralajmëron Gecaj: Kështu do ta përdorë maksimalisht Serbia plagosjen në Shtërpcë, ja si të reagojnë organet

Nga: A.Zh Më: 8 janar 2023 Në ora: 10:09
Shtërpcë

Njohësi i çështjeve të sigurisë Hysen Gecaj, ka kërkuar që të mos spekulohet për rastin e plagosjes së dy të rinjve serbë në Shtërpcë, për të cilin është arrestuar një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai ka thënë se organet e rendit dhe hetuesisë duhet të vlerësojnë rrethanat e rastit, porse spekulimet për këtë plagosje, janë të dëmshme për shoqërinë në Kosovë.

“Ngjarja e ndodhur në Shtërpcë është ngjarje, e cila përveç familjen ka tronditur edhe opinionin, mirëpo çfarëdo spekulimi lidhur me rrethanat se si ka ardhur deri te ky incident, tani është i panevojshëm dhe i dëmshëm për shoqërinë. Duhet lënë organet e hetuesisë, policinë, prokurorinë dhe gjyqësinë që të vlerësojnë rrethanat e këtij incidenti dhe konform ligjit të veprohet, prandaj nuk dua që të spekuloj për ngjarjen”, është shprehur Gecaj, për gazetën “Bota sot”.

Image
Hysen Gecaj

Plagosja e dy personave erdhi pas shtensionimit të situatës në veri dhe heqjes së barrikadave 3 javëshe atje. Sipas Gecajt, Serbia do ta keqpërdor rastin e fundit për qëllime politike.

“Tani kjo ngjarje ndodhi në kohën pas bllokadës së rrugëve në veriun e Kosovës dhe intervenimit të bashkësisë ndërkombëtare në shtendosjen e situates, ndërsa pala e dëmtuar janë dy qytetarë të Kosovës të nacionalitetit serb, çka me siguri nga shteti i Serbisë do ta keqpërdorë për qëllime politike, gjë të cilën politika e Kosovës nuk duhet ta bëjë, mirëpo as nuk duhet që kryerësi i veprës të paragjykohet nga shoqëria civile dhe politika”, ka nënvizuar eksperti i sigurisë.

Ai më tej ka vlerësuar se situata do të merret nga Serbia si akt presioni mbi serbët e Kosovës, që kjo e fundit të paraqitet si palë konfliktuoze.

“Ngjarja e ndodhur në këto rrethana të rënduara politike sigurisht që do të ndikojë për të keq në relacionin Kosovë-Serbi, sepse kjo do të merret nga Serbia si akt presioni mbi serbët e Kosovës dhe do të bëhet maksimumi që pala e Kosovës të paraqitet si palë konfliktuoze, me qëllim të përfitimit politik ga ana e Serbisë”, ka thënë Hysen Gecaj.

Ai parashikon që plagosja e të rinjve të nacionalitetit serb, do të përdoret si shkak për destabilizim të situatës te pjesët e banuara me serbë.

“Zyra ligjore e FSK-së sigurisht që do t’i propozojë Komandantit të FSK-së masat konform ligjit dhe rregulloreve lidhur me statusin e pjesëtarit të FSK, kështu që këto masa janë të parapara dhe do të veprohet në përputhje me to.

Serbia mund të shfrytëzojë këtë ngjarje si pretekst për destabilizimin e situatës edhe në pjesën tjetër të Kosovës të banuar me serbë”, ka shtuar për “Bota sot” eksperti Gecaj.

Rastin e plagosjes së dy personave në Shtërpcë, e kanë dënuar krerët e institucioneve në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se i dyshuari “pa asnjë mëdyshje duhet dhe do të përballet me organet e drejtësisë”.

Vendimi për pjesëtarin e FSK-së Azem Kurtaj, i cili është arrestuar me dyshimin për plagosjen, pritet të merret sot në Gjykatën e Ferizajt. Kurtaj ka thënë se ndihet i pafajshëm për këtë rast

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka kërkuar 30 ditë paraburgim për rastin.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.K., i cili me vendim të Proku​rorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja ne tentativë””, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë ngjarja ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje verbale./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat