Marsi i marrëveshjes së madhe? Analistët: Kjo është mënyra më e sigurt për shpëtimin e Kosovës nga apetitet serbo-ruse

Politika

Marsi i marrëveshjes së madhe? Analistët: Kjo është mënyra më e sigurt për shpëtimin e Kosovës nga apetitet serbo-ruse

Hava Orana Nga Hava Orana Më 9 janar 2023 Në ora: 12:04
Foto nga një prej takimeve mes Kosovës dhe Serbisl

Dialogut Kosovë-Serbi, duket se i ka ardhur fundi. E me këtë çështje, shumë seriozisht po duket se po merret Franca dhe Gjermania. Këto dy shtete po vijojnë përpjekjet për t`i krijuar kushtet që Kosova e Serbia të arrijnë marrëveshje finale. Raportohet se qysh këtë muaj, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, do t’i dërgojnë në Prishtinë e Beograd, kryekëshilltarët e tyre, Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner.

E gjitha kjo po ndodhë në një situatë që Kosova sapo e kaloi me Serbinë, ku kjo e fundit kishte barrikaduar kufijtë në veriun e Mitrovicës, duke kërcënuar e shantazhuar shqiptarët për disa javë.

Megjithatë, Serbia dikur u tërhoq, duke larguar barrikadat, ashtu siç i kishte vendosur.

Mirëpo, cilat janë pritjet nga vizitat e zyrtarëve francezë e gjermanë bazuar në zhvillimet e fundit me barrikadat dhe aktet terroriste të tjera në veri?

A mund të ketë një përafrim qëndrimesh në mënyrë që marrëveshja të arrihet deri në muajin mars, sipas parashikimeve?

Lidhur me këtë çështje ka folur për ‘Bota sot’, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri. Ai thotë se, nëse formohet një institucion kundër kushtetues autonom si “zajednica” serbe, me flamur e simbole vetanake, president, zëvendës president dhe kuvend të vetin, e cila nuk mund të shpërbëhet nga institucionet e Kosovës dhe ka në dispozicion një listë të gjerë të fushave që do t’i “mbikëqyrte”, e pavarur nga Qeveria e Kosovës, që është edhe hapi parë për ndarje nga Kosova, kjo vërtetë do të ishte, vetëvrasje për shtetin e Kosovës.

Qarri: Vlora Çitaku, Ramë Buja, Enver Hoxhaj etj, vazhdojnë ta kërkojnë publikisht formimin e "zajednicës" dhe ndarjen e Kosovës

Image
Gani Qarri

 

“Fajin për gjendjen e krijuar, nuk e ka vetëm Serbia, por kryesisht Hashim Thaçi e Isa Mustafa dhe deputetët të cilët e kanë votuar "zajednicën" në Kuvend, bashkë me partitë e inkriminuara politike si PDK dhe LDK. Parti të cilat edhe sot jo vetëm që nuk janë penduar për aktet e tradhtisë së lartë shtetërore e kombëtare, kundër popullit dhe shtetit të Kosovës, por vazhdojnë të dalin hapur në krah të Serbisë, madje ndonjëri nga vet krerët e PDK, si Vlora Çitaku, Ramë Buja, Enver Hoxhaj etj, vazhdojnë ta kërkojnë publikisht formimin e "zajednicës" dhe ndarjen e Kosovës, pa u thirrur asnjëherë në përgjegjësi ligjore, nga prokuroria dhe gjyqësia e kalbur e këtij vendi. Shto kësaj aktin tjetër të paprecedent, nëse është i saktë "fakti" i trumbetuar nga Serbia, se për heqjen e barrikadave të vendosura nga bandat kriminale serbe, KFOR-i, paska nënshkruar marrëveshje me Serbinë, pa pëlqimin as njohurinë e Qeverisë së Kosovës, që jo vetëm FSK por as Policia Speciale e Kosovës, të mos guxojë të vendoset në veri të vendit tonë, unë vërtetë këto i shoh si veprime shumë shqetësuese, që qojnë drejtpërsëdrejti në heqjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe krijimin e një njësie autonome në këtë pjesë të territorit të vendit tonë, kundër të cilit duhet të ngritën në këmbë të gjithë shqiptarët”, vlerëson analisti Qarri.

Andaj si thotë se, nëse vërtetë Franca dhe Gjermania vijojnë përpjekjet, siç po thuhet, për t`i krijuar kushtet që Kosova e Serbia të arrijnë marrëveshjen finale, qasja e tyre dhe vet BE-së, duhet të ndryshojë, të jetë më e baraspeshuar, e drejtë dhe pa anime nacionale e politike, duke respektuar realitetit në terren dhe mos cenuar tërësinë territoriale as sovranitetin e shtetit të Kosovës, brenda kufijve të saj shtetëror, të njohur nga më se 120 vende ndërkombëtare dhe vulosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me 22 korrik të vitit 2010, si organi më i lartë legjislativë-juridik i OKB-së.

“Përndryshe megjithëse raportohet se këtë muaj, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, do t’i dërgojnë në Kosovë e Serbi, kryekëshilltarët e tyre, Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner, nëse edhe ata konsistojnë me kaq këmbëngulje për formimin e asociacionit kundër-kushtetues një etnik serb, pa u ofruar asgjë shqiptarëve, në Kosovën Lindore, të cilët janë populli më i diskriminuar në Evropë, duke hequr nga rendi i ditës, edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, besoj se nisma e tyre nuk do të mund, as nuk ka si të ketë sukses. Dhe megjithëse kohët e fundit është shtuar dukshëm angazhim i BE-së dhe SHBA-ve, për përshpejtimin e dinamikës së bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tendenca për t`ia imponuar me çdo kusht Kosovës,"zajednicën" kundër-kushtetuese serbe dhe caktuar afate për arritjen e marrëveshjeve të padrejta në dëm të Kosovës, nuk mund të garantojë rezultate”, vlerëson ai.

Tutje, analisti Qarri thotë se një tendencë e tillë e padrejtë, do të bëjë që të mbetet pikëpyetje e madhe, nëse vërtet jo deri në mars, por gjatë gjithë vitit 2023 të përfundojë dialogu me marrëveshje ndërmjet të dy vendeve, gjë që në një prononcim për mediat amerikane, e thotë edhe vet Lajçak, se afati i marsit do të ishte koha ideale, ndërsa mundësia reale e arritjes së marrëveshjes mund të shkojë deri në dhjetor 2023 ose në fillim të vitit 2024.

“Shto kësaj faktin tjetër trishtues se së fundi edhe barrikadat dhe aktet tjera terroriste të nxitura nga Serbia në veri të Kosovës, përveç nga BE, edhe nga KFOR-i dhe përfaqësuesit e SHBA-ve, si ambasadori Hill dhe emisari Eskobar, jo vetëm janë arsyetuar, por kanë fituar edhe legjitimitet "zyrtar", të cilat tanimë edhe më lehtë mund përsëriten serish, nesër, apo sa herë ta konsiderojë të nevojshme për politikat e tij antishqiptare, Vuçiqi nga Beogradi, akte të tilla të njëanshme, jo vetëm që nuk qojnë në përafrim qëndrimesh, por as në arritje të marrëveshjeve, sipas parashikimeve dhe dëshirave pro-serbe të ndërmjetësuesve aktual të dialogut. Bazuar në zhvillimet aktuale, është koha e fundit, për forcimin sa më të madh të bashkëpunimit dhe thellimit të partneritetit sa më të ngushtë me SHBA-të dhe Fuqitë e Mëdha Evropiane që njohin shtetësinë e vendit tonë dhe garantojnë tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës duke marrë vendime largpamëse për anëtarësim në Këshillin e Evropës, paraqitjen e kërkesës së statusit të kandidatit në BE, e organizatat tjera ndërkombëtare, si dhe pranim të përshpejtuar në Paktin NATO, si mënyra më e sigurt për shpëtimin e vendit, për të tashmen dhe të ardhmen e vazhdimësisë së shtetit të pavarur të Kosovës”, thotë për ‘Bota sot’ analisti politik, Gani Qarri.

Mehazi: E keqja e shteteve të Ballkanit Perëndimor është Vuçiqi i Millosheviqit

Image
Sulejman Mehazi

 

Lidhur me të njëjtën ҫështje, ka folur edhe profesori Sulejman Mehazi. Ai ka theksuar se, nëse para ngjarjeve tensionuese në veri përpjekjet e BE-së ndaj dialogut Kosovë-Serbi kanë qenë pasive, të palëvizshme e jo serioze, ka ngjarjet e fundit të barrikadave dhe kërcënimeve luftënxitëse serbe detyruan dy shtetet e fuqishme evropiane franko-gjermane që planin e tyre ideor e teorik të dialogut Kosovë-Serbi ta projektojnë e ndërtojnë praktikisht për një marrëveshje të shpejtë e përfundimtare të njohjeve reciproke në mars të 2023-shit.

“Situata kërcënuese e luftë nxitëse e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, ndaj Kosovës, sikur ua bëri me dije BE-së e SHBA-se se sa shpejt e lehtësisht mund të përhapet lufta ruse nga Ukraina në Kosovë dhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor. Aleati i Rusisë, Vuçiqi i Serbisë paralajmëroi BE-në, Francën, Gjermaninë dhe SHBA-në se nëse nuk marrin masa urgjente politike e diplomatike për të shuar zjarr bërësin e së keqes së luftërave në Ballkan dhe Evropë, presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiqin atëherë lufta serbe-ruse është e pashmangshme në Kosovë, Bosnje-Hercegovine, Mal të Zi dhe RMV”, vlerëson profesor Mehazi.

Ai ndër të tjera numëron të këqijat e Vuҫiqit, duke thënë se ai e ka argumentuar vetën si e keqja e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, nëse Gjermania dhe Franca tolerojnë Serbinë, atëherë Kosova, Ballkani dhe BE-ja të përgatiten për luftë kundër Serbisë dhe Rusisë.

“Barrikadat serbe në veri, kriminelët e Vuçiqit, Radojçiqat e Veselenoviqat, trupat e ushtrisë serbe në kufij të Kosovës të gjitha këto janë argumente se e keqja e shteteve të Ballkanit Perëndimor është Vuçiqi i Millosheviqit, dhe se këtë hov luftënxitëse ndaj Kosovës, Ballkanit e BE-së mund ta ndal vetëm plani dialogues franko-gjerman me kushtëzime të fuqishme të një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke Serbi-Kosovë. Nëse bartësit e dialogut kryekëshilltarët, Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner të presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz, në Bruksel, tolerojnë Serbinë atëherë, Kosova, Ballkani e BE-ja le të përgatiten për luftë kundër Serbisë e Rusisë”, vlerëson Mehazi për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat