“Amerika ka luftuar për këtë Kosovë që të jetë shqiptare, jo nën Serbi”- Pritjet nga vizita e Chollet në Kosovë, asociacioni temë kryesore

Politika

“Amerika ka luftuar për këtë Kosovë që të jetë shqiptare, jo nën Serbi”- Pritjet nga vizita e Chollet në Kosovë, asociacioni temë kryesore

M.Lakna Nga M.Lakna Më 11 janar 2023 Në ora: 11:52
Derek Chollet

Sot në vendin tonë do të qëndrojë Këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Chollet do të takohet me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti si dhe me Presidenten Vjosa Osmani.

Sipas parashikimeve, gjatë vizitës në Prishtinë, Chollet do të kërkojë përshpejtimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje bazë, sipas planit franko-gjerman.

Ky është një sinjal i qartë lidhur me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për Kosovën.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, publicisti Rexhep Shahu ka deklaruar se shpreson që SHBA do të bëj presion lidhur me çështjen e krijimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, Amerika ka luftuar për këtë Kosovë që të jetë shqiptare, jo nën Serbi, por shtet i shqiptarëve.

“Shpresoj se Amerika do ta bëjë, do ta luajë rolin e saj, do të zbatojë si përmbarim, si ekzekutues marrëveshjet ndërkombëtare që ka bërë e ka nënshkruar Kosova me shumicën e saj parlamentare për Asociacionin e komunave serbe brenda kushtetutës së Kosovës në pajtim me vërejtjet e Gjykatës kushtetuese. Amerika ia ka bërë të qartë Kosovës se do të bëhet çfarë është vendosë dhe ajo ka tagrin për ti bërë punët pavarësisht çfarë flitet sepse Amerika ka luftuar për këtë Kosovë që të jetë shqiptare, jo nën Serbi, por shtet i shqiptareve. Ajo ia ka bërë të qartë udhëheqjes së sotme se do të bëhen gjërat o me këtë klasë politike ose me aktorë të tjerë të Kosovës”, ka thënë Shahu për “Bota sot”.

Shahu ka thënë se miku i lartë amerikan që vjen do ta përshpejtojë punën dhe do tua bëjë të qartë edhe aktorëve lokal në Kosovë, se Kosova projekt shqiptaro-amerikan.

“Besoj se miku i lartë amerikan që vjen do ta përshpejtojë punën dhe do tua bëjë të qartë aktorëve lokal në Kosovë se Kosova projekt shqiptaro-amerikan nuk do të dështojë se nuk është bërë luftë për ta humbur sërish Kosovën dhe asociacioni nuk është serbi e vogël brenda Kosovës shqiptare. Besoj se pengesa është shqiptare dhe Kosovën e pengojnë në rrugën e saj ata që nuk kanë luftuar për të, ata që ndjehen pronarë të saj. Por, Kosova nuk është pronë e atyre që marrin vota. por e gjithë shqiptarëve të vdekur e të gjallë”, ka përfunduar.

Kujtojmë se pas Kosovës, këshilltari Derek Chollet, do të udhëtojë në Serbi më 12 janar. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë një ndër temat kyç edhe gjatë takimeve në Beograd.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat