‘Gebelsi i Millosheviçit, Aleksandër Vuçiq, përfundimisht të futet në Listën e Zezë të SHBA-ve’

Politika

‘Gebelsi i Millosheviçit, Aleksandër Vuçiq, përfundimisht të futet në Listën e Zezë të SHBA-ve’

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 12 janar 2023 Në ora: 08:08
Aleksandar Vuçiq

Aleksandër Vuçiq si duket nuk e ka ‘hallin’ vetëm me Kosovën. Atij po i pengojnë edhe amerikanët, të cilët po e thonë të vërtetën në relacionin Kosovë-Serbi.

Edward Josephin - ligjërues në Universitetin Johns Hopkins dhe ish-kreu i misionit në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë është ofenduar nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq.

Sa ishte veriu i bllokuar me barrikada që i vendosën serbët profesori Joseph kishte deklaruar se ata që bllokuan rrugët për pothuajse tri javë dhe Vuçiqi, “po manipulonte Shtetet e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian”.

Madje, ai kishte thënë se qetësia në Kosovë, pas heqjes dorë nga barrikadat, do të zgjasë “deri kur Aleksandar Vuçiqi të vendosë se i duhet një krizë e re në Kosovë”.

Presidenti serb e kishte quajtur spiun që punon për shqiptarët. Dhe kishte vazhduar me ofendime të tjera, duke e quajtur “bastard” Josephin. Po ashtu ai ishte munduar ta baltosë figurën e Zhozef, duke thënë se merr “shumë para nga lobi shqiptar”.

Këto pohime absurde, që mund të ndodhin vetëm nga liderët e një shteti gjysmëdiktatorial e kanë shtyrë të reagojë Stejt Departamentin Amerikan (DASH) duke iu referuar sulmeve të Serbisë ndaj shtetasve amerikan.

DASH, thotë se nuk ka vend në shoqëritë demokratike për taktikat e njollosjes kundër qytetarëve, sikurse ato që janë përdorur ndaj Edward Joseph.

“Taktikat e njollosjes ndaj qytetarëve privatë, si ato të përdorura kundër Edward Joseph, nuk kanë vend në shoqëritë demokratike. Zërat e pavarur dhe organizatat e shoqërisë civile promovojnë llogaridhënien dhe transparencën. Ne vlerësojmë ata që ndërtojnë një shoqëri paqësore në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në reagimin e DASH-it.

Elezaj: Deklarimet e ndërkombëtarëve treguan se sa i nervozuar dhe i trazuar është regjimi i Beogradit zyrtar nga bota demokratike

Image
Analisti Rexhep Elezaj

Analisti Rexhep Elezaj në një bashkëbisedim për “Bota sot”, thotë se për Vuçiqin sulmi është mbrojtja më e mirë.

Sipas tij, gazetarja Ivana Strander, profesori i John Hopkins Edward Joseph, po e demaskojnë politikën pro-ruse dhe luftënxitëse të Serbisë në Ballkanin Perëndimor.

“Pretendimet e Serbisë, pra të A. Vuçiqit personalisht, duke i sulmuar dhe kërcënuar personalitetet amerikane, sidomos gazetaren dhe hulumtuesen znj. Ivana Strander, profesorin e John Hopkins Edward Joseph, etj., qëllim të vetëm e kanë mbrojtjen e politikës hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës dhe Bosnjës, në kuptimin makiavelist, “sulmi është mbrojtja më e mirë”, ngase pushtetarët serbë në Beograd e dinë fare mirë, se hegjemonisë serbe në Ballkan ngadalë po i vije fundi i turpshëm..!?

Prandaj, për këtë arsye, gjithnjë sipas Beogradit zyrtar, kushdo që i kundërvihet dhe e kritikon planin pushtues të Serbisë ndaj Kosovës, kushdo që e demaskon politikën hegjemoniste serbe në Ballkan, e cila për synim kryesor e ka ndarjen e Bosnjës për t’ia bashkëngjitur “Republikën Srpska” Serbisë, siç po bënë hulumtuesja e guximshme amerikane, znj. Ivana Strander, po ashtu edhe profesori i Universitetit John Hopkins Edward Joseph etj., të cilët hapur në media dhe takime të shumta diplomatike po e demaskojnë politikën pro-ruse dhe luftënxitëse të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Ndaj edhe janë cak i sulmeve të ashpra të Beogradit zyrtar, sepse politikën fashiste të Serbisë në Ballkan po e zhveshin cullak para opinionit ndërkombëtar, duke i treguar botës demokratike se kush është faktori kryesor i destabilitetit në Ballkanin perëndimor”, thotë ai.

Tutje, nënvizon se deklarimet e ndërkombëtarëve treguan se sa i nervozuar dhe i trazuar është regjimi i Beogradit zyrtar nga bota demokratike.

“Madje një konstatim të këtillë e dha për media para pak ditësh edhe profesori zviceran, z. J. Schmidt, i cili tha, “se në Ballkan ka vetëm një shtet, i cili e mban fajin për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, dhe ajo është Serbia”..!?

Ndërsa, akuza histerike dhe plotë xhelozi e krerëve të pushtetit fashist në Serbi, se gjoja ekspert si z. Joseph etj., na qenkan spiun të shqiptarëve, përveç se është shumë qesharake, në fakt ajo tregon se sa i nervozuar dhe i trazuar është regjimi i Beogradit zyrtar nga bota demokratike në Perëndim dhe SHBA, sepse ato e kanë kuptuar qartë se kush është nxitësi dhe shkaktari kryesor i konflikteve dhe luftërave të armatosura dhe i krimeve monstruoze në Ballkanin perëndimor, siç ishte agresioni ushtarak i Serbisë në Slloveni, Bosnje dhe së fundi në Kosovë në periudhën e viteve 1991-1999”, thotë Elezaj.

Sipas tij është bërë shumë e qartë situata, pas gati një viti, se agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë, ishte akti më brutal ndaj një vendi sovran, agresion i cili Evropën perëndimore dhe SHBA-të i ka vu në një pozicion shumë të vështirë politik dhe ushtarak, ngase politika cariste dhe hegjemoniste e Rusisë ndaj Ukrainës, gati sa nuk e solli Evropën dhe botën në prag të luftës së tretë botërore, kur vetë krimineli V. Putin e kërcënonte botën me përdorim të armëve nukleare, e që do të mund të ishte fundi i këtij civilizimi.

Kurse, sa i përket ngjarjeve të fundit në veri Elezaj thotë se padyshim ishte një skenar i UDB-së serbe.

“Madje, edhe ngjarjet e fundit në veri të Kosovës ishin, pa asnjë dyshim, një skenar i UDB-së serbe dhe KGB-së ruse, me qëllim të shtrirjes së ndikimit rus në Ballkan si dhe nxitjen e konfliktit të armator në Kosovë, me qëllim të qartë për t’ia bashkëngjitur veriun Serbisë, si dhe për ta tërheq vëmendjen e botës nga lufta dhe krimet e Rusisë në Ukrainë, por edhe për ta filluar luftën në Bosnje për ndarjen e saj dhe bashkimin e Republika Serbe Serbisë.

Pra, që gradualisht ta bashkojnë në një shtet dhe ta krijojnë “botën serbe”, gjegjësisht krijimin e Serbisë së madhe, nga i cili synim politikanët çetnikë të Beogradit zyrtarë kurrë nuk do heqin dorë.

Por, siç u pa me rastin e vendosjes dhe largimit të barrikadave serbe në veri të Kosovës, të cilat qëndruan për 19 ditë rresht, po të mos ishte vendosmëria dhe strategjia amerikane të cilën ajo po e zbaton në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, gjasat e shpërthimit të konfliktit ushtarak në veri të Kosovës kanë qenë më se evidente”, përfundon Elezaj.

Qarri: Vuçiqi po tenton t’i arrijë dy qëllime

Image
Analisti Gani Qarri

Analisti Gani Qarri në një përgjigje për “Bota sot” sulmet e drejtuesve të Serbisë i sheh, si lojëra të vjetra të njohura mirë, qysh moti të KGB-së ruse dhe UDB-së serbe.

“Në fakt me kërcënimet e zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Serbisë dhe vet presidentit serb kriminelit Aleksandër Vuçiq, tanimë edhe kundër analistëve dhe profesorëve të shquar amerikan, ashtu siç deklaron edhe vet analistja e mirënjohur amerikane Ivana Stradner, jo vetëm që nuk po ndodhë asgjë e re, por edhe po përsëriten lojërat e vjetra, të njohura mirë, qysh moti të KGB-së ruse dhe UDB-së serbe, të cilat, jo rrallë kanë ditur të përfundojnë me epilog tragjik, sidomos kur të apostrofuarit kanë qenë shqiptar dhe kundërshtar të pushtetit rus e serbosllav”, thotë Qarri.

Sipas tij, Vuçi është paranojak, dhe “i trimëruar nga ledhatimi i vazhdueshëm që atij tash e sa vite po i bëhet, në vend të ndëshkimit të merituar”.

“Madje disa duke dalë hapur edhe në krah të tij, si ambasadori Hill, e pak a shumë edhe emisari i lartë, Gabriel Eskobar, ka filluar të ëndërrojë se tani ka arritur në pozitat, prej nga mund, jo vetëm të kritikojë, por edhe ti kërcënojë publikisht edhe analistët e mirënjohur dhe profesorët e shquar të universiteteve më me renome botërore si profesorin e Universitetit John Hopkins, Edward Joseph, të cilin merr guximin ta quaj edhe spiun shqiptar”, thotë ai.

Derisa, Qarri thotë se fajtor për qëndrimet ekstreme të Vuçiqit është edhe ambasadori amerikan në Serbi, Hill, që arsyetoi edhe barrikadat e ngrituar nga serbët.

"Fajtor për qëndrimet ekstreme të presidentit serb, kriminelit Aleksandër Vuçiq, unë i shohë edhe përfaqësuesit e SHBA-ve, sidomos ambasadorin në Serbi, Kristofer Hill, por edhe emisarin e lartë për Ballkan, Gabriel Eskobar, të cilët sidomos gjatë tensioneve të fundit, të ngritura artificialisht nga Serbia në veri të Kosovës, vet ia mprehën "brinat" Aleksandër Vuçiqit, duke dalë hapur jo vetëm në krah të Vuçiqit, por arsyetonin edhe barrikadat e ngritura nga bandat kriminale në krye me terroristin Milan Radojçiq, përkundër faktit se ai, ka kohë që është vendosur në Listën e Zezë të SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Kështu që përveç kërcënimeve me ngritjen edhe të aktakuzës penale, për "cenim" të reputacionit të qeverisë dhe shtetit serb, nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Serbisë, kundër analistes së mirënjohur amerikane Ivana Stradner, me arsyetimin se ajo po “e prish” imazhin e Serbisë, Vuçiqi i trimëruar nga "dashuria" e pakusht e ambasadorit Hill dhe përkrahja publike e emisarit Eskobar, tani ka filluar t’i akuzoj vet personalisht, edhe profesorët e shquar të universiteteve me renome botërore si të John Hopkins, si z. Edward Joseph, të cilin e quan edhe spiun të shqiptarëve”, thotë ai.

Tutje, deklaron se Vuçiqi me këto po tenton të arrijë dy qëllime, t`ua mbyllë gojën sa më shumë edhe kritikëve të jashtëm dhe ti dërgojë një paralajmërim Dereck Chollet, i cili deklaroi që beson se bisedimet do të çojnë në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

"Me këto sulme, qeveria dhe vet presidenti serb Aleksandër Vuçiq, po tenton ti arrijë dy qëllime, e para; mundësisht t`ua mbyllë gojën sa më shumë edhe kritikëve të jashtëm, të tij dhe qeverisë së Serbisë, dhe e dyta; ti dërgojë një paralajmërim në prag të vizitës në Ballkan edhe këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Dereck Chollet, i cili deklaroi që beson se bisedimet do të çojnë në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pra, Vuçiq po ia bën me dije paraprakisht z. Chollet se nuk do ta pranojë kërkesën e SHBA-ve për marrëveshje të drejtë e gjithëpërfshirëse me Kosovën dhe as, ta bëjë rreshtimin e Serbisë me vendet perëndimore, kundër Rusisë, duke përjashtuar edhe vendosjen e sanksioneve kundër qeverisë së Putinit”, deklaron analisti.

Ndërsa në fund Qarri thotë se nuk mjafton vetëm një deklaratë e DASH-it kundër Vuçiqit, por ai duhet të futet në listën e zezë të SHBA-ve, dhe të bëhet dënimi i tij, për nxitjen e urrejtjes dhe tensioneve deri në gjendje lufte.

“E nëse është nevoja, në këto momente delikate të vendimeve të mëdha, që pritet të arrihen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndihmën e SHBA-ve, Hill dhe ndonjë tjetër mbase edhe mund të zëvendësohen me zyrtar të tjerë, më të arsyeshëm amerikan nga DASH-i, pasi që përmbyllja e dialogut me njohje të ndërsjellë, është me rëndësi edhe për vet SHBA-të.

Kurse për mbylljen e problemeve të hapura në rajon dhe këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, pas sulmeve apo 'taktikave të pista', të Vuçiqit, si i kualifikon vet Departamenti amerikan i Shtetit (DASH), nuk mjafton më vetëm reagimi i DASH-it, në mbrojtje të profesorit Edward Joseph, por është koha e fundit që krimineli dhe Gebelsi i Sllobodan Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq, përfundimisht të futet ne Listën e Zezë të SHBA-ve dhe të bëhet dënimi i tij, për nxitjen e urrejtjes dhe tensioneve deri në gjendje lufte, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi, pra në gjithë rajonin, njëjtë sipas shembullit të paraardhësit të tij, kasapit Millosheviq”, përfundon analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat