“Serbisë iu la terren për lojëra dhe pazare diplomatike”/ Ish ambasadorja flet pas deklaratave për “çnjohje” nga Togo, ka një porosi për MPJD-në

Politika

“Serbisë iu la terren për lojëra dhe pazare diplomatike”/ Ish ambasadorja flet pas deklaratave për “çnjohje” nga Togo, ka një porosi për MPJD-në

M.Lakna Nga M.Lakna Më 17 janar 2023 Në ora: 10:08
Alma Lama

Ministri i Punëve të Jashtme, Integrimit Rajonal dhe Diasporës i Togos, Robert Dussey, ka thënë dje në Beograd se tërheqja e njohjes së shtetit të Kosovës është vendim definiti.

Ne në Togo njohim vetëm një Serbi, një Serbi të bashkuar. Jam i lumtur që ju dëgjoj duke përmendur tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe ky është vendim definitiv”, tha Robert Dussey gjatë takimit në Beograd më 16 janar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Kjo deklaratë erdhi pas paralajmërimit të krerëve të Serbisë se tërheqja e njohjes për Kosovën do të ndodhë edhe nga disa vende të tjera.

Nga ana tjetër, ende nuk ka ndonjë reagim nga Ministria e Punëve të Jashmte dhe Diasporës (MPJD), lidhur me deklaratën e përfaqësuesit të Togos.

Për ish ambasadoren e Republikës së Kosovës në Itali, Alma Lama, në rast se çnjohja ka ndodhur atëherë kjo do të konsiderohej si dështim i MPJ-SË së Kosovës.

Së pari duhet vërtetuar zyrtarisht nëse shteti i Togos e ka tërhequr vendimin për njohjen e Kosovës. Së dyti nëse kjo ka ndodhur është dështim i MPJ-së së Kosovës që po tregohet e papaftë për të mirëmbajtur apo ndërtuar raporte me shtetet njohëse, duke i lëne terren Serbisë që të bëjë lojëra dhe pazare diplomatike”, ka deklaruar Lama për gazetën “Bota sot”.

Sipas ish ambasadores, meqë tërheqja e njohjes është vendim politik që mund të ndodhë, duhet angazhim urgjent për vendosje të marrëdhënieve diplomatike me shtetet që na kanë njohur.

“Duhet ta kemi parasysh se tërheqja e njohjes është vendim politik që mund të ndodhë, siç ka ndodhur me Tajvanin, prandaj duhet angazhim urgjent për vendosje të marrëdhënieve diplomatike me të gjitha shtetet që e kane njohur deri tani Kosovën”, ka përfunduar Lama.

Kujtojmë se Serbia edhe në të kaluarën ka pretenduar se shtete të ndryshme kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Sipas MPJD-së, Kosovën që nga shpallja e pavarësisë më 2008, e kanë njohur 106 shtete.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat