Kurtit i vjen mbështetja pas pranimit të planit franko-gjerman - Ja çka i shtyu vendet e BE-së që ta ndryshojnë rrjedhën e dialogut?

Politika

Kurtit i vjen mbështetja pas pranimit të planit franko-gjerman - Ja çka i shtyu vendet e BE-së që ta ndryshojnë rrjedhën e dialogut?

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 9 shkurt 2023 Në ora: 17:43
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti të hënën ka thënë se e pranon propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “duke e konsideruar atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”. “Bashkëbisedim i mirë me përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajcak në një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë si një bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, si dhe një platoformë solidë për të ecur tutje”.

Analisti Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot” ka komentuar këtë çëshjte.

Ai ka thënë se me pranimin e këtij plani, i cili është dokument zyrtar i dalë nga BE-ja, me të cilin Serbia detyrohet ta pranojë realitetin faktik, se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur në kufijtë e saj ndërkombëtarisht.

“Pa dyshim, se Plani evropian (franko-gjerman) i përbërë prej 10 pikave, është i pranueshëm për Kosovën, ani se në të nuk përfshihet njohja formale e Kosovës nga ana e Serbisë. Është i pranueshëm për faktin, ngase është ky i pari dokument zyrtar i dalë nga BE-ja me të cilin Serbia detyrohet ta pranon realitetin faktik, se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur në kufijtë e saj ndërkombëtarisht, gjë që ky fakt për regjimin hegjemon të Beogradit është vetëvrasje politike, gjithnjë në kuptimin e qëndrimit të prerë Beogradit zyrtar, “se Serbia kurrë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës”..!?

Pra, nëse Serbia pas negociatave me Kosovën me ndërmjetësues ndërkombëtar, e, që askush nuk e dinë se sa do të zgjasin ato, e nënshkruan Planin evropian (franko-gjerman), ajo de-facto do ta njeh pavarësinë e Kosovës, por jo edhe de-jure, që në fakt, ky edhe ka qenë kompromisi të cilin BE-ja ia ka bërë Serbisë, pra që mos të jetë e detyrueshme që Kosovën ta njoh edhe formalisht si shtet të pavarur”, thotë ai.

Image
Rexhep Elezaj

Sipas tij, BE ka dashur që të ndryshojë rrjedhën e dialogut me qëllim për shmangien e trazirave brenda Serbisë, të cilat do ta destabilizonin gjithë Ballkanin perëndimor.

“Pse? Sepse, dihet fare mirë, se në Serbi nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë politikan ose udhëheqës të këtij shteti fashist, i cili do ketë guxim që ta nënshkruajë aktin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, ngase i njëjti do vritet sikur Zoran Gjingjiqi, me motivin si tradhtar i kombit serb, duke nxitur luftë civile në Serbi mes radikalëve çetnik, të cilët Kosovën duan ta kthejnë me luftë nën pushtimin e Serbisë, dhe forcave pro-evropiane, të cilat deri-diku, janë të gatshme që ta pranojnë realitetin, se Kosova është shtet i pavarur dhe e humbur për Serbinë qysh në qershor të vitit 1999 me nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës. Prandaj, unë mendoj se në masë të madhe ky ka qenë shkaku i cili i ka shtyrë vendet kryesore të BE-së, që ta ndryshojnë rrjedhën e dialogut Kosovë-Serbi, duke e marrë si yrnek modelin e dy Gjermanive, me qëllim për t’iu shmangur trazirave brenda Serbisë, të cilat do ta destabilizonin gjithë Ballkanin perëndimor, gjë e cila do t’i shkonte drejtpërdrejt në favor Rusisë dhe kriminelit V. Putin”, shprehet ai.

Më tej, ai deklaron, se pavarësisht se sa do t’i zgjasin bisedimet, ky plan kur të jetë i nënshkruar nga dyja palët, rrjedhimisht duhet të përmbyllet me marrëveshje finale gjithëpërfshirëse.

“Sipas mendimit tim, Plani evropian (franko-gjerman) pas bisedimeve të cilat do zgjasin ndoshta me muaj, varësisht se sa do arrihet harmonizimi mes dy palëve rreth disa neneve diskutabile të tij, në fund, pala serbe dhe ajo kosovare do jenë të detyruara që ta nënshkruajnë këtë Plan, dhe kjo vetëm si një kornizë e re për dialogun përmbyllës midis dy palëve, i cili duhet të përmbyllet me Marrëveshjen finale, gjithëpërfshirëse, juridikisht të obligueshme dhe e qëndrueshme, natyrisht me garanca ndërkombëtare. Por, se sa do zgjasin bisedimet pas nënshkrimit të Planit franko-gjerman, kjo është vështirë të thuhet saktësisht, por sipas disa zyrtarëve në BE dhe jashtë saj, këto bisedime duhet të përfundojnë deri në vitin 2030. Dhe, se a do ta përfshijë kjo Marrëveshje njohjen reciproke Kosovë-Serbi, mendoj se nuk ka politikan apo analist i cili mund ta parashikojë rezultatin e atyre bisedimeve, ndonëse për të ndodhur njohja reciproke, kusht i domosdoshëm është demokratizimi i Serbisë si dhe eliminimi i hegjemonisë serbomadhe në Ballkanin perëndimorë, por edhe më gjerë!”, përmbyll Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat