Kërkesat e Serbisë, analisti: Vetëvendosje po qëndron stoike, ja çka pritet të ndodhë me bisedimet

Politika

Kërkesat e Serbisë, analisti: Vetëvendosje po qëndron stoike, ja çka pritet të ndodhë me bisedimet

Nga: N.Ejupi Më: 11 shkurt 2023 Në ora: 14:51
Esobar-Kurti-Lajcak

Janë duke u bërë dy vjet që nga marrja e “timonit” të qeverisjes së shtetit dhe gjatë kësaj kohe mjaftueshëm fuqi është dhënë edhe për dialogun Kosovë- Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, deklaronte se dialogu zë vend të gjashtë apo të shtatë në qeverisje, ndërsa tani analistët thonë se dialogu është problem sfidues për qeverisjen.

Fillimisht targat, tani presioni i shtuar për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, pranimi i planit franko- gjerman, janë disa prej çështjeve jo pak kryesore që kryeministri i Kosovës është marrë me to.

Kryeministri paralajmëronte një marrëveshje gjithëpërfshirëse në pranverë të vitit 2023, por tani një gjë e tillë nuk përmendet.

“As marrëdhëniet tona nuk janë normale. Normalizimi i marrëdhënieve do të thotë që në fund të kemi një marrëveshje, që është ligjërisht e obligueshme ndërkombëtarisht dhe në të cilën në fokus kemi njohjen reciproke. Ju e dini që Kosova nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën dhe tani kemi një afat që ajo njohje reciproke të zbatohet diku deri në pranverën e vitit të ardhshëm”, ka thënë Kurti vitin e kaluar.

Një marrëveshje nuk përmendet, por kryeministri i ka vënë kushtet Serbisë sesi mund të krijohet asociacioni, çështje kjo që ndërkombëtarët e duan me urgjencë formimin e tij e Serbia nuk pranon bisedime pa asociacion.

“Ata mund të thonë çfarë të duan, por duhet të ma tregojnë kuptimin. Nuk i kam shmangur bisedimet për asnjë çështje. Para kësaj, Asociacioni”, ka deklaruar Vuçiq.

Analisti politik, Hidajet Ahmeti thotë se dialogu është çështje e ndjeshme, ndërsa platforma e VV-së për dialog ka qenë me serbët lokalë, por jo me shtetin e Serbisë për çështjet e brendshme.

“Dialogu është çështje shumë e ndjeshme , por edhe me përgjegjësi të lartë në kontekstin e së ardhmes dhe, rrugën e Kosovës drejtë konsolidimit të brendshëm, por edhe të jashtëm . Dialogu është një problem shumë sfidues për qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi kompromiset në dialog janë me përgjegjësi të lartë për të cilën dyshoj se Lëvizja Vetëvendosje është e përgatitur. Duhet ta kemi të qartë se platforma e LVV-së ka qenë e një logjike dialoguese më serbet lokalë, por jo me shtetin e Serbisë për çështjet e brendshme”, deklaron Ahmeti.

Sipas tij, Vetëvendosje po qëndron stoike karshi presionit ndërkombëtar dhe do të nxjerrë më të mirën e mundshme në dialog.

“Tash LVV-ja e ka të qartë se, agjenda, por edhe qasja në dialog përcaktohet nga ndërkombëtarët dhe, presioni ndërkombëtar mund të deviojë pikën e fortë të LVV-së në dialog. Nuk të keqe asgjë në këtë çështje, pasi qeverisja e LVV-së po qëndron stoike karshi presionit ndërkombëtar, por kompromiset e mundshme që e dëmtojnë shtetësinë e Kosovës. Kam një bindje, edhe pse LVV ka devijuar nga platforma e proklamuar në zgjedhje, do ta nxjerrë më të mirën e mundshme në dialog me Serbinë”, shton Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat