LDK, “kërcënim” për Vetëvendosjen?

Politika

LDK, “kërcënim” për Vetëvendosjen?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 15 shkurt 2023 Në ora: 10:14
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku

Dje janë mbushur 2 vite që kur Lëvizja Vetëvendosje erdhi në pushtet me kryeministër liderin e saj, Ablin Kurtin. Lëvizja Vetëvendosje e cila garoi bashkë më listën Guxo, që në atë kohë udhëhiqej nga Vjosa Osmani, tani presidente e Kosovës, doli fituese me mbi 50% të votave.

Por, zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, shënuan rezultatin më të ulët për Lidhjen Demokratike të Kosovës në historinë tridhjetë vjeçare të saj.

LDK mori vetëm 12% te votave duke u renditur si partia e tretë në Kosovë, për dallim nga Partia Demokratike e Kosovës e cila doli e dyta, ndërsa AAK doli si partia e katërt në Kosovë.

E kur janë mbushur dy vite që nga qeverisja Kurti, tashmë shihet hapur se ka filluar një ‘luftë’ mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vetëvendosje, si duket e sheh LDK-së si partinë e vetme që mund t’ia rrezikojë pushtetin nga partitë opozitare, pasi së fundi, sipas disa sondazheve të publikuara, LDK ka shënuar një kthesë në skenën politike.

Krejt kjo ndodhi pasi kryetar i saj erdhi Lumir Abdixhiku dhe Isa Mustafa dha dorëheqje.

Se a janë të frikësuar nga rritja e LDK-së, nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë pranuar ta komentojnë këtë.

Zemaj: LDK çdo ditë do kërkojë llogari për këto

E nga LDK thonë se Vetëvendosje po frikësohet nga alternativat që po ofron kjo parti pas dështimeve të qeverisë.

“Vetëvendosja ka frikë nga paaftësia e saj që të udhëheq me vendin në bazë të mandatit që ka marrë. Ndërsa friken politike sigurisht e ka nga faktet dhe alternativat që po paraqet LDK në demaskimin e kësaj keqqeverisje e deri te ardhja e një qeverie të aftë e jo populiste”, shprehet deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

Image
Armend Zemaj

Sipas tij, LDK do të shfrytëzojë çdo dështim të Lëvizjes Vetëvendosje, në mënyrë që LDK të vije sa më shpejt në qeverisje të vendit.

“Dështimet janë të përditshme vende vende edhe me degradim të thellë sidomos ekonomia dhe mirëqenien sociale e shëndetësia. Mashtrimi dhe demagogjia tash kanë dalë në sipërfaqe dhe qytetarët çdo ditë po i vërtetojnë si të tilla. LDK çdo ditë do kërkon llogari për këto, deri në ndryshimin e pritshëm dhe të domosdoshëm në vendin tonë”, deklaron Armend Zemaj për “Bota sot”.

Rreziku nga LDK?

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti thotë se LDK mbetet e vetmja forcë politike që mund ta rrezikojë pushtetin e Vetëvendosjes.

“Gjithmonë ka luftë politike mes qeverisë dhe opozitës, kjo është e mirë për demokracinë derisa është brenda normave njerëzore. Duke parë që PDK shihet si e keqja më e madhe në vend dhe me një kryetar kukull, LDK mbetet e vetmja forcë politike që mundet në të ardhmen të rrezikojë pushtetin e VV-së”, thekson Mehmeti, ani pse sipas tij, tani për tani një rrezik i tillë është i pamundur.

Image
Faton Mehmeti

“Aktualisht nuk e shoh këtë rrezik, LDK ka ende nevojë për reforma të mëdha për të arritur të jetë parti e parë, ka ende kusure. Gjithsesi, është e shëndetshme të ketë debate cilësore, jo zhurmë dhe asgjë mos të thuhet. Prishja e koalicionit mes VV dhe LDK ka acaruar raportet mes tyre, pasojat e të cilave ende po ndjehen. Kështu që, me kalimin e kohës shoh rritje edhe më të mëdha mes tyre”, shprehet Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat