Zeqiraj zbulon çka i shkroi Kurtit për Asociacionin: Kryeministri e ka thënë aktin hileqar në Mbledhjen e Dejtonit

Politika

Zeqiraj zbulon çka i shkroi Kurtit për Asociacionin: Kryeministri e ka thënë aktin hileqar në Mbledhjen e Dejtonit

Nga: A.Zh Më: 15 shkurt 2023 Në ora: 12:06
Albin Kurti

Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike Idriz Zeqiraj, ka treguar se një vit më parë, i kishte shkruar kryeministrit Albin Kurti, për Asociacionin, që po e kërkojnë serbët.

Ai, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se asociacione të tilla mund të kërkojnë edhe komuniteti rom dhe bonjak.

Mirëpo sipas tij, Asociacioni për komunat serbe po kërkohet të bëhet për ta kënaqur Serbinë me privilegje dhe për këtë ka kritikuar edhe faktorin ndërkombëtar.

Image
Idriz Zeqiraj

“Tej një viti më parë, i shkrova kryeministrit Albin Kurti, me shokë, pse nuk ua kujton BE-së dhe SHBA-së, ngulmimin për shpalljen e Kosovës shtet multietnik, ndërkohë që, tani, kërkojnë Asociacion njëetnik!? Dhe, asociacione të tilla mund të kërkojnë edhe komuniteti boshnjak dhe ai rom, me derivatet e tij. Edhe pse, realisht, multietniciteti i Kosovës, është imponim artificial, ngaqë komunitetet janë të vogla në numër dhe nuk plotësojnë, as për së afërmi, normën multietnike.

Por, kjo bëhej, për ta kënaqur Serbinë, me privilegje enorme, për pakicën serbe në Kosovë dhe me prapavijën e qartë, për të ardhur te asociacioni që kërkon sot, përkatësisht, ndarjen e Kosovës. Ndërkombëtarët bënë marrëzira, madje, deri në krim, sepse me decentralizimin, krijuan fshat e komunë serbe! Shih raportin: 27 komuna shqiptare me komunitete tjera dhe 10 komuna serbe, për 2 % banorë serbë!! Këtë fakt, shumë domëthënës, vetëm kohëve të fundit ka filluar ta potencojë përsëritshëm. Dhe, mirë bënë, sepse Kushtetuta e Kosovës e përjashton një krijesë të tillë, me rrjedhoja fatale për Shtetin e Kosovës”, është shprehur Zeqiraj.

Publicisti ka kritikuar shefin e diplomacisë së Jashtme të BE-së Josep Borrell, i cili kishte kërkuar ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, vetëm për formimin e Asociacionit.

Ai më tej ka rikujtuar “aktin hileqar” të formimit të “Republikës Srpska” në Bosnje, që sipas tij, bllokoi funksionimin normal të këtij shteti.

“Borrell, cinikisht, përgjigjet se "Kushtetuta nuk është Bibël të mos ndryshohet!" Realisht, Kushtetuta është Bibël e Kuran për një shtet, aq më parë kur dihet prapavija e këtij "biçim" asociacioni. Ndërkohë, kryeministri Kurti e ka thënë e përsëritur aktin hileqar në Mbledhjen e Dejtonit, për "zgjidhjen pajtuese", të boshnjakëve dhe serbëve në Bosnje, pikërisht, me krijimin e asociacioneve serbe, brenda shtetit të Bosnjes dhe Hercegovinës!

Nga ai asociacion krimineli Dodik me dodikët e tij, shkallë-shkallë, arritën ta krijojnë "Republika Srpska", duke asfiksuar dhe bllokuar funksionimin normal të shtetit të Bosnjes. Populli boshnjak, sot, rron me frikën e agresionit të vuçistëve serbë dhe të ëagneristëve rusë, të gatshëm për ta aneksuar gjysmën e territorit. Ndërkombëtarët, pacipërisht e kriminalisht, e njohën "Republika Srpska", edhe pse ishin garantues të Marrëveshjes së Dejtonit dhe të shtetit unik të Bosnjes dhe Hercgovinës”, ka thënë Idriz Zeqiraj.

Analisti konsideron se BE-ja dhe SHBA-ja, po veprojnë njëjtë si me Demarkacionin, përmes ngutisë së skajshme për themelimin e Asociacionit.

“Ka një nguti të skajshme të BE-së dhe, sidomos, të Amerikës, për realizimin e asociacionit njëetnik serb. Brishtësia shtetërore në Bosnje, Mal të Zi, Kosovë; aktivizimi i grupit militar rus "Wagner"; bazat ushtarake rreth Kosovës, - janë dëshmi e bollshme e interesit rus, për të hapur fronte krizash në Ballkanin Perëndimor, përmes veglës së saj, Serbisë. Ndërkombëtarët po veprojnë njësoj si me Demarkacionin, për ta larguar dominimin serborus në Mal të zi, ky i fundit u shpërblye me 8.200 hektarë tokë të Kosovës”, ka shtuar për “Bota sot” Idriz Zeqiraj.

Kryeministri Kurti, ka paraqitur së fundmi gjashtë pika si kushte për themelimin e Asociacionit. Ai ka deklaruar se Asociacioni i dalë nga marrëveshja Thaçi-Daçiq në vitin 2013, mund të bëhet, vetëm pas njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Përveç Kushtetutës dhe Ligjit janë edhe pesë kushte të tjera. Monoetnik nuk bën. Reciprocitet midis Kosovës dhe Serbisë sa U përket të drejtave të pakicave. Shuarje e strukturave dhe dorëzim i armëve ilegale. Zbatimi, vetëm pas njohjes reciproke dhe në përputhje me OKB-në ku Serbia duhet t’i ketë pranuar parimet dhe raportet ndërshtetërore me ne. Dhe e fundit, presidenti i Serbisë t’i tërheqë ato pesë letra që i ka dërguar në Spanjë, Sllovaki, Rumani, Greqi edhe në Qipro”, ka thënë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat