Operacioni policor në veri dhe deklarata e Kurtit, ekspertët e sigurisë paralajmërojnë skenarin e radhës!

Politika

Operacioni policor në veri dhe deklarata e Kurtit, ekspertët e sigurisë paralajmërojnë skenarin e radhës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 15 shkurt 2023 Në ora: 19:42
Kryeministri Albin Kurti

Operacionet policore po vazhdojnë të jenë prezente në veriun e vendit. Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, gjatë ditës së diel ka zhvilluar një operacion policor antidrogë në Veri, të koduar si “Shpata”, që rezultoi me zbulimin e 3 laboratorëve të drogës dhe arrestimin e dy personave të dyshuar. 

 “Gjatë realizimi të këtij operacioni antidrogë është arritur të zbulohen tre (3) laboratorë me bimë narkotike; dy laboratore me rreth 1200 bimë narkotike, si dhe laboratori i tretë (pa bimë) me pajisje të sofistikuara për kultivim të bimëve narkotike në të. Njësitet policore deri në këtë fazë kanë arritur të arrestojn dy (2) persona të dyshuar meshkuj serb, përderisa të gjitha veprimet tjera policore në proces po ndërmerren dhe do të ndërmerren ne bashkërendim me organet e drejtësisë”, thuhej në komunikatën e Policisë. 

Për këtë ngjarje reagoi edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti. 

Ai me një deklarim në llogarinë e tij në Tëitter, paralajmëroi se bandat kriminale serbe në veri, mund të ngrisin përsëri barrikada. 

Sipas tij, ata mund ta bëjnë këtë sërish dhe të kryejnë sulme ndaj Policisë së Kosovës. 

“Por do të dështojnë”, deklaroi ai. 

Sipas Kurtit, një gjë të tillë mund të ndodhë, si reagim i bandave kriminale serbe. 

Por, a mund të ketë ndonjë veprim të radhës nga serbët? 

Shala: Situata është në këto momente e monitorushme në gjitha nivelet në pjese veriore 

Image
Drizan Shala

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala. 

Ai ka thënë se momentalisht kemi situatë të monitorueshme dhe nuk ka hapësirë për ndonjë mosmarrëveshje eventuale. 

Mirëpo, sipas tij gjendja mund të ndryshojë nëse nuk arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. 

“Situata është në këto momente e monitorushme në gjitha nivelet në pjese veriore por që mosmarrëveshja eventual në nivelin politik mund të reflektojë në sferën e sigurisë siç e kemi parë në shtator 2021 dhe maj-dhjetor 2022. Në rast se palët nuk bien dakord për një marrëveshje bazë në mes Kosovës dhe Serbisë mund të themi që mund të paraqiten situata të tilla siç i kemi parë”, u shpreh ai. 

Më tej, eksperti thotë që Kosova duhet të krijojë një sektor të veçantë në fushën e parandalimit të luftës hibride, të cilës tani po i shihen frytet. 

“Kosova dhe mekanizmi i saj duhet të krijoj një sektor të veçantë në fushën e parandalimit të luftës hibride e cila tani po i shihen frytet e saja nga një brishtësi politike me konotacion rajonal të vendeve të Ballkanit perëndimor”, nënvizoi Shala për “Bota sot”. 

Tërnava: Mos të harrojmë se sovranitetin e territorit të Kosovës e mbron KFOR-i 

Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që situata tashmë në Kosovë është ndryshe, duke shtuar se Serbia nuk mund të provojë dhe tentojë të bëj ndonjë veprim të radhës si më parë, kur Kosova nuk ishte shtet. 

Image
Hajrullah Tërnava

"Në situatën konfliktuoze që gjendet Kosova me Serbinë që nga vitet 1990 e deri më 1999, por edhe deri më tani, e që po e ndërmjetësojnë ndërkombëtarët, çështja e barrikadave tani po i përngjan një loje ngacmuese, se edhe sikur deri më tani prapë ata do t’i largojnë vetë ato barrikada. Por këto veprime ndërmerren për qëllim të mbajtjes së situatës konfliktuze ashtu të acaruar-ndezur, që ndoshta faktori ndërkombëtar me ndërmjetësimet që po i bëjnë. Por mos të harrojmë ne, por edhe të tjerët, se shembuj të tillë si veriu ka në shumë shtete përreth. Si në vet Serbinë që ka popullata të pakicave të shumta në territore të saja, sikur që është Vojvodina me hungarez, Sanxhaku me shqiptarë dhe boshnjak, Bujanovci, Medvexha dhe Presheva në tërësi me shqiptarë e mos të flasim edhe për shtetet tjera si Maqedonia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Greqia që do të thotë se po iu dhanë ato pjesë të veriut Serbisë, me këtë do të hapet “kutia e pandores” dhe do ta kemi një luftë të tërë në këto troje”, u shpreh ai. 

Tërnava thotë që Serbia e di që KFOR-i e mbron territorin e Kosovës dhe për këtë arsye lëvizjet në atë pjesë të monitoruar. 

“Mos të harrojmë se sovranitetin e territorit të Kosovës e mbron KFOR-i, si garantues i kufirit me Serbinë, dhe brenda këtij institucioni ushtarak ka shërbime të ndryshme që e kanë tërë kohën situatën nën vështrim, dhe për të gjitha lëvizjet që bëhen edhe tani në ato pjesë, ata i kanë të gjitha informacionet për të gjitha ndodhitë që ndodhin”, shpjegon eksperti i sigurisë. 

Krejt në fund, ai potencon se serbët e kanë të qartë se edhe në ato pjesë të veriut, tani si shumicë policët janë shqiptare, sepse policët serbë e kanë lëshuar me vet dëshirë punën. 

Prandaj, ai thotë se nëse ndodhin tani incidente si më parë, ata e kanë të qartë se tash do të ballafaqohen me policë shqiptarë. 

“Vetëm ta përkujtojmë faktin se edhe Kosova tani i ka institucionet shtetërore sikur ushtrinë e saj si FSK, Policinë, AKI dhe shumë shërbime tjera shtetërore që i nevojiten shtetit, prandaj Kosova më nuk është ajo e viteve të 90-ta, që edhe për këtë e dinë mirë Serbia. Serbët si deri më tani që kanë bërë incidente të ndryshme edhe ndaj policisë të Kosovës, mund të tentojnë incidente të tilla prapë, por tani serbët e kanë të qartë se edhe në ato pjesë të veriut tani si shumicë policët janë shqiptare, sepse policët serbë e kanë lëshuar me vet dëshirë policinë. Prandaj nëse ndodhin tani incidente si më parë, ata e kanë të qartë se ndryshe tani do të ballafaqohen me policë shqiptarë”, përfundoi Tërnava për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat