Ujdia për Planin franko-gjerman, analistët: Nuk ka asnjë lloj fuqie Kosova që të përplaset me Amerikën

Politika

Ujdia për Planin franko-gjerman, analistët: Nuk ka asnjë lloj fuqie Kosova që të përplaset me Amerikën

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 shkurt 2023 Në ora: 15:27
Aleksander Vuçiq, Emannuel Macron, Olaf Scholz, Albin Kurti

Kosova tashmë ka hyrë në fazën finale të dialogut me Serbinë.

Dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011 nën ndërmjetësimin e BE-së. Por, palët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit.

Kosova insiston që një marrëveshje finale të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Serbia – që ka thënë se për të njohja është vijë e kuqe – kërkon një zgjidhje kompromisi.

Të gjendur në këtë situatë, një propozim së fundmi kanë pranuar të dy palët, e ai është propozimi franko-gjerman.

Për këtë propozim pritet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të diskutojnë më 27 shkurt, në rundin e ri të bisedimeve në nivelin e lartë politik.

E gjatë ditës së djeshme këtë propozim ndaj Kosovës e ka vlerësuar edhe presidenti i Gjermanisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe homologu i saj gjerman, Frank - Walter Steinmeier, janë pajtuar se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ekziston një “momentum i veçantë” pas propozimit evropian për normalizim të raporteve.

Osmani dhe Steinmeier në bisedën telefonike të zhvilluar më 21 shkurt, kanë biseduar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe për procesin integrues të Kosovës.

“Presidentja Osmani potencoi se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive për një proces [të dialogut] që kontribuon për paqe dhe stabilitet të qëndrueshme në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Mehmeti: Ka një dakordim për planin franko-gjerman

Në lidhje me këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur analisti Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Ai thotë që pothuajse kemi një dakordim për planin franko-gjerman dhe se vetëm disa çështje të hapura po e pengojnë për t’u realizuar përfundimisht.

“Pothuajse ka një dakordim për planin franko-gjerman, mirëpo disa çështje të hapura po e pengojnë hapin e madh të arritjes së kësaj marrëveshje. Asociacioni mbetet “thembra e Akilit” në këtë plan, si dhe njohja të cilën Serbia e refuzon”, thotë ai.

Analisti, tutje thekson që mbështetja e Gjermanisë është gjithashtu sinjal pozitiv, duke se formimi i Asociacionit do të jetë kompromis i rrezikshëm.

“Biseda e presidentes Osmani me z.Steinmeier dhe dakordimi për planin është sinjal pozitiv, tani topi i mbetet Serbisë se si do të ecet më tutje. Kosova për këtë planë pritet të formojë Asociacionin, kompromisi më i dhimbshëm dhe në të njëjtën kohë i rrezikshëm”, potencoi Mehmeti për “Bota sot”.

Shahu: Kosova duhet të ketë zgjuarsi politike

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Rexhep Shahu.

Image
Rexhep Shahu

Ai u shpreh se Kosova duhet të veprojë në koordinim me ndërkombëtarët pasi çdo gjë që bëhet në kundërshtim në veçanti të Amerikës, është në dëm të vendit.

“Pavarësisht fjalëve e retorikave poshtë e lartë, Kosova nuk e ka luksin as fuqinë të vendosë kushte askujt. Por, duhet të ketë zgjuarsinë politika e Kosovës të bëjë atë që kërkojnë amerikanët sponsorët kryesorë të lirisë e të pavarësisë së Kosovës. Kosova në politikë duhet ta dijë qartë se pa Amerikën nuk ka prosperitet Kosova. Nuk ka nevojë të shtiret sikur ka gjë në dorë politika e Kosovës, ajo nuk ka asgjë në dorë veçse të bëjë atë që kërkojnë e thonë amerikanët, shteti amerikan, qeveria amerikane dhe jo OJQ apo biznesmenët amerikanë”, u shpreh ai.

Analisti ndër të tjera shton që Kosova nuk duhet të përplaset me asnjë nga fuqitë e mëdha politike, pasi kjo do t’i shërbente vetëm Serbisë.

 “Kosova duhet të tregohet shtet serioz, të zbatojë atë që është miratuar, ta nënshkruajë asociacionin dhe ta ndjeke zbatimin e tij sepse do të jetë një organizim brenda e nën shtetin e Kosovës. Nuk ka asnjë lloj fuqie Kosova të përplaset me Amerikën e me asnjë nga fuqitë e mëdha veçse nëse politika dëshiron të bëjë aventura që i shërbejnë Serbisë”, përfundoi Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat