“A i hëngri ‘karamelet’ e Moskës?”- Lajçak, fryt i shkollës ruse kundër Kosovës, Evropës dhe NATO-s?

Politika

“A i hëngri ‘karamelet’ e Moskës?”- Lajçak, fryt i shkollës ruse kundër Kosovës, Evropës dhe NATO-s?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 shkurt 2023 Në ora: 08:01
Miroslav Lajçak

Ministria e Jashtme e Polonisë ka pushuar nga puna të gjithë diplomatët polakë që janë diplomuar në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të MPJ të Rusisë të quajtur MGIMO, njofton portali polak.

Ministri jashtëm i Polonisë, Zbigniev Rau, duke shpjeguar motivet e veprimit administrativ të MPJ për largimin nga radhët e shërbimit diplomatik polak të të diplomuarve në MGIMO, deklaroi për “Gazeta Polska”: “MGIMO është një investim në punën e imperializmit rus”.

Është pjesë e “soft poëer” ruse dhe supozohet që të diplomuarit e atij universiteti i shërbejnë perandorisë ruse”.

Në Institutin që diplomatët polakë janë pushuar, ka diplomuar edhe diplomati sllovak, tashmë i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Lajçak është emëruar në këtë post në mars të vitit 2020 dhe detyrat e tij janë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, përmirësimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimi midis partnerëve në Ballkanin Perëndimor, duke i ndihmuar ata të kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës dhe të kontribuojnë në konsistencën dhe efektivitetin e veprimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Duke u nisur nga vendimi i MPJ të Polonisë, për largimin nga radhët e saj të diplomatëve polakë të diplomuar në MGIMO-n ruse, njohësit e çështjeve ndërkombëtare kërkojnë shkarkimin e Lajçak-ut, gjersa thonë se ai është me ideologji ruso- serbe dhe mban anën e Serbisë në dialog.

"Lajçak përkrah idenë e autonomisë territoriale të serbëve në Kosovës"

Image
Dr. Enver Bytyçi

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se qëndrimet e Lajçak janë në kundërshtim me frymën evropiane, në kundërshtim me parimet e ndërtimit të Evropës si shtete e si bashkësi.

Bytyçi përmend raste sesi lufta në Ukrainë ka ndryshuar qëndrimet e politikanëve.

“Lufta në Ukrainë ka shkaktuar një reagim përgjithësisht të homogjenizuar të Evropës kundër Rusisë, e cila është agresore dhe ka cënuar integritetin territorial të një vendi të pavarur. Ka shumë aktorë evropianë, të cilët janë penduar për qëndrimet e tyre të para datës 24 shkurt 2022, kur filloi sulmi rus kundër Kievit. Ky agresion shkaktoi pasiguri edhe te shumë politikanë, të cilët më parë e mbështesnin presidentin rus, Vladimir Putin. Ne po shohim në praktikë se sa ka ndryshuar kryeministrja italiane, Meloni. Ajo dikur konsiderohej si një politikane që simpatizonte veprimet e Putin. Por sot është e para kryeministre në Evropë, e cila ka pranuar kërkesën e presidentit ukrainas, Selensky, që ky vend të furnizohet me avionë ushtarakë të teknologjisë së lartë. Megjithatë ka ende politikanë, të cilët mbështesin presidentin rus dhe nuk janë rreshtuar në frontin anti-luftë në Ukrainë dhe madje fajësojnë Zelenskin për fillimin e luftës. Rasti i Berluksionit është tipik. Në këtë kategori mbështetësish bën pjesë edhe Miroslav Lajçak. Jo vetëm se ka mbaruar studimet dhe është diplomuar në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të MPJ të Rusisë. Por se qëndrimet e tij ndaj Kosovës janë në kundërshtim me frymën evropiane, në kundërshtim me parimet e ndërtimit të Evropës si shtete e si bashkësi. Është interesant! Lajçak përkrah idenë e autonomisë territoriale të serbëve në Kosovës”, pohon Bytyçi.

Presionin i vazhdueshëm për formimin e asociacionit, sipas Bytyçit, domethënë se Lajçak ka njohuri që ky asociacion do të përdoret nga Beogradi për destabilizim dhe provokim.

Sipas tij, Lajçak mban anën e Serbisë, sepse në këtë frymë është edukuar.

“Bën presion të vazhdueshëm që qeveria Kurti ta pranojë një opsion të tillë. Pra që me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë të krijohet një entitet i veçantë parashtetëror. Lajçak si ndërmjetës në dialog prej vitesh e di që krijimi i këtij asociacioni sot, do të përdoret nga Serbia kur të negociohet njohja për të shtruar idenë e ndarjs së Kosovës. Ai e di se ky asociacion do të shfrytëzohet nga Beogradi për ta destabilizuar Kosovën dhe provokuar konflikte të vazhdueshme. Lajçak duhet të ketë mësuar se asociacioni do të përdoret për njëmijë e një alibi, me të cilat Beogradi do të justifikohet për mbajtjen e Kosovës në tension pasigurie dhe tensioni të vazhdueshëm, derisa një ditë të thuhet se “Vetëm ndarja e saj mund të sjellë paqe e stabilitet”! Të gjitha këto zoti Lajçak i njeh dhe i di. Atëherë pse është kaq këmbëngulës dhe pse bën presion për palën e Kosovës?! Pse gjithnjë mban anën e Serbisë?! Sepse në këtë frymë është edukuar e mëkuar gjatë studimeve të tij në Moskë. Sepse gjatë atyre studimeve i është folur gjithnjë në vesh kundër Kosovës, kundër Evropës, kundër NATO-s dhe një vesh i mësuar me dogma të tilla, vështirë të mësohet me të kundërtën e atij realiteti të imponuar. Nuk po them se kanë ndodhur edhe gjëra të tjera në Moskë. Pavarësisht se të kalosh për kohë të gjatë nga Moska e të shpëtosh “pa ngrënë karamele”, më duket shumë e vështirë!”, deklaron Bytyçi.

Me shembullin e Polonisë, Bytyçi thotë se Lajçak, duhet të largohet sa më shpejt.

“Polonia ka nisur një aksion politik anti-rus, ndoshta më radikali në Evropë. Grupet e të drejtave të njeriut do ta kritikojnë këtë përpjekje polake për të evituar pjesëmarrjen në politikë e diplomaci të të diplomuarve në Institutin e KGB-së ruse të marrëdhënieve me jashtë. Por jemi përballë dilemës së sigurisë. Pyetja shtrohet nëse duhen toleruar personalitete të tilla në emër të të drejtave të njeriut, ndërkohë që siguria evropiane dhe e vendeve të veçanta është në rrezik. Sigurisht që duhet një balancë. Megjithatë rastin e Miroslav Lajçak balanca anon se ai, duke dashur të krijojë shtete etnike, po bën punën e Rusisë, sipas ideve dhe mësimëve që ka marrë në Moskë. Krijimi i shteteve etnike, për çka punohet në Kosovë do ta destabilizojë ballkanin dhe Europën, më e pakta Europën Lindore. Për këtë arsye Lajçak duhet që në shëmbullin e Polonisë të largohet sa më shpejt nga ajo detyrë! Brukseli, Berlini e Perëndimi nuk mund të lejojnë që në emër të të drejtave të njeriut të krijohen shtete njëetnike. Nëse ndodh kjo me Kosovën, duke e ndarë atë, atëherë ky precedent do të precipitojë si e drejtë e të gjitha kombeve ballkanike e jashtë-ballkanike. Imagjinoni se çfarë rrëmujë do të krijohej nga kjo! Çfarë konfliktesh do të sillesh në kontinentin europian?!”, shton Bytyçi.

Lajçak është një diplomat sllovak që më parë ka shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë dhe si President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për seancën e 72-të (2017-2018). Ai ishte Përfaqësues Special i BE-së për Bosnje-Hercegovinën nga 2007-2009, ndërsa gjithashtu vepronte si Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare atje. Si një i dërguar personal i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së negocioi, organizoi dhe mbikëqyrë referendumin për pavarësinë e Malit të Zi në 2006 në emër të Bashkimit Evropian.

"Është shumë e dyshimtë qasja e BE- së si është e mundur që në dialog të angazhohen kryesisht personat pro-serb"

Image
Binak Maxharraj

Profesori nga Amerika, Binak Maxharraj, thotë se Kosova ka humbur 12 vjet në dialog dhe gjatë këtyre viteve ka pasur humbje, dëshpërim dhe denigrim nga BE dhe Serbia.

“Dialogu Kosovë-Serbi u keqpërdor nga BE, sepse në dialog ajo emëronte si ndërmjetësues vetëm pro-serb/ Këto ditë Kosova e festoi 15 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, por krahas kësaj ishin edhe 12 vitet të humbura dialog midis Kosovës dhe Serbisë. Realisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 2008 e cila u pranua nga 120 vende të botës. Se Kosova e gëzonte të drejtën e shpalljes së pavarësisë këtë e vërtetoi edhe GJND kërkesë kjo e bërë nga Serbia. Nga ky moment Kosova do të duhej të vazhdonte rrugëtimin e vet në ndërtimin dhe konsoludimin e shtetit. Por ndodhi e pa pritura kur Kosovës iu shtua edhe një ngarkesë e madhe se gjoja duhet të dialogojë me Serbinë. Për çfarë të diagolojë kur ajo është shtet i pavarur dhe ndërkombëtarisht e pranuar në kufijtë ekzistues. Me siguri këtë “sihariq” e bëri BE me insistimin e Serbisë, e cila assesi të pajtohet më pavarësinë e Kosovës. Dialogu me Serbinë assesi nuk do të duhej të pranohej nga klasa politike e atëhershme e Kosovës. Por, ndodhi e kundërta këtë si duket liderët e pas luftës e “përbijnë” duke mos qenë të vetëdijshëm apo mbase edhe pse ishin të shantazhuar nga Serbia shumë lehtë e pranuan dialogun djallëzor të Serbisë e cila u doli “dardhë me bisht”. Në këtë drejtim gjatë këtyre 12 viteve të humbura dialog me Serbinë Kosova pati humbje, dëshpërim dhe denigrim nga BE dhe Serbia, sepse u bënë disa marrëveshje shumë të dëmshme për Kosovën që e prekin sovranitetin e saj”, pohon Maxharraj.

Maxharraj thotë se BE ka caktuar ndërmjetësues në dialog persona ekskluzivisht pro serb dhe që vinin nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.

Sipas tij, Lajçak është ndërmjetësues i dyshimtë, tipik pro ruso- serb.

“ Pa fije turpi liderët e Kosovës në dialog në vend se ta bllokonin Serbinë në dialog sepse të gjitha argumentet dhe faktet ishin në anën e saj, ajo shkonte në dialog me “duar n’xhepa” pa kurrfarë kërkesash ndaj Serbisë për të dhënë llogari për krimet dhe gjenocidin e bërë në Kosovë, bile nuk i kërkoi as falje, por ajo se çka ishte edhe më turpshme lejuan që të diskutohet edhe për ndarjen e Kosovës, për sjelljen e marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën siç është Asociacioni një etnik serb. Një gjë të tillë e mundësoi edhe vetë BE hileqare ndaj Kosovës duke caktuar ndërmjetësues në dialog persona ekskluzivisht pro serb, por edhe që vinin nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, por të cilët gjatë dialogut ashiqare ia mbanin anën e Serbisë. E tillë ishte Ferderika Moghreni nga Italia një pro ruse dhe serbe, e cila pa fije turpi lejoi që në dialog të hapet çështja e ndarjes dhe korrigjimit të territoreve midis Kosovë dhe Serbisë. I tillë është edhe Joe Borelli nga Spanja që se njeh Kosovën, por që e ka problem me Katolonin. Por së fundmi në dialog nga BE u emërua diplomati Sllovak Miroslav Lajçak tipik një pro rus dhe pro serb. Pra, kjo shihet se BE ishte ajo që i dha kahje pro-serbe dialogut me Kosovën duke emëruar ndërmjetësues të dyshimtë, tipik pro ruso-serb”, thekson Maxharraj.

Lajçak është i brumosur me ideologjinë ruse, thotë Maxharraj, gjersa pyet nëse është i dejtë të qëndrojë në këtë pozitë.

“Është shumë e dyshimtë qasja e BE- së si është e mundur që në dialog të angazhohen kryesisht personat pro-serb, por edhe që vinin nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, ose pse BE nuk e gjeti ndonjë ndërmjetësues nga Britania e Madhe, Gjermania, Austria apo ndonjë vend tjetër të cilët do të kishin qasje neutral në dialog. Por këtyre ditëve doli në pah edhe skandali diplomatik ndërkombëtar kur duke e marrë parasysh si shkas rrjedhjen e informacioneve të klasifikuara, selia e NOTO-s në Bruksel pati kërkuar shteteve anëtare listat me emrat e diplomateve të diplomuar në Moskë në Institutin e shërbimit sekret rus KGB tani me emrin FSB. Duke u bazuar se ky Institut ishte nën ”sundimin” e shërbimit sekret rus më 15 shkurt 2023 Ministria e jashtme e Polonisë i pushoi nga puna të gjithë diplomatët polakë që ishin diplomuar në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të MPJ të Rusisë të quajtur MGIMO. Njëri nga ata që kishin diplomuar në këtë Institut të shërbimit sekret Rus u gjetë të ishte edhe Miroslav Lajçak nga Sllovakia i cili për momentin është ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi me prirje pro serbe”.

“Pasi që Miroslav Lajçak për momentin gjendet në pozitë mjaftë delikate në dialogun Kosovë-Serbi, por që është i brumosur me ideologjinë ruse i shkolluar dhe diplomuar në shkollat sekrete të KGB, a është i denjë që ky njeri të qëndrojë edhe më tutje në këtë pozitë, se a do të kërkojë Polonia BE si vend i rëndësishëm në NATO që Miroslav Lajçak të revokohet nga dialogu Kosovë-Serbi, por a duhet që edhe pa kërkesën e Polonisë vetë BE të veprojë njësoj siç bëri Polonia duke i larguar të gjithë diplomatët e vet. Por në sajë të diplomimit të Miroslav Lajçak në shkollat të shërbimit sekret rus ai pati një karrierë të begatshme diplomatike. Dihet se Lajçak në moshën 24 vjeçare pra në vitin 1987 u diplomua në MGIMO të Rusisë. Dihet se Polonia, por edhe Çeko-Sllovakia e atëhershme ishin të inkuadruar në Paktin e Varshavës i cili dirigjohej kryesisht nga Moska, Mitroslav Lajçak emërohet si diplomat në ambasadën e Çekosllovakisë në Moskë ku qëndron deri në vitin 1993. Miroslav Lajçak i përkrahur nga diplomacia ruse u zgjodh si drejtor Ekzekutiv në misionin e OKB për Ballkanin. Ishte përfaqësues i BE-së për këqyrjen e referendumit për pavarësinë e Malit të Zi, ishte dhe përfaqësues i lartë i BE-së ne B e H. Lajçak ishte edhe ministër i jashtëm i Sllovakisë, kryetar i OSBE-së ne Vjenë, bile arriti të bëhet edhe president i Asamblesë së përgjithshme i OK”, pohon Maxharraj,

Kërkesën për shkarkim të Lajçak, sipas Maxharrajt, duhet ta bëjë BE, pasi ai është person ruso- serb dhe i dëmshëm për pozitën që mban.

Sipas Maxharrajt, edhe Kosova duhet ta kushtëzojë dialogun me largimin e ndërmjetësuesit Lajçak.

“Kurse së fundmi Lajçak gjendet si ndërmjetësues i BE-së në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë i cili së bashku me Joseph Borrellin dalin jashtë kornizës së dialogut duke i dhënë përkrahje Serbisë në dëm të Kosovës. Duke u nisur nga të gjitha këto siç u tha për Miroslav Lajçak si një njeri i shkolluar dhe i brumosur me dieologji ruse i cili edhe në të gjitha postet e tij diplomatike e kishte përkrahjen e Rusisë si një njeri i besuar i saj është e nevojshme që BE urgjentisht ta shkarkojë nga posti i ndërmjetësuesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, sepse ashiqare, haptas ky po e merr anën e Serbisë dhe është i dëmshëm që edhe më tutje të qëndrojë në këtë pozitë. Është mirë që kërkesën për shkarkimin e tij ta inicojë Polonia në BE, por pas plasjes së këtij skandali me diplomatët e shkolluar në shkollat sekrete të KGB Ruse shkarkimin e tij duhet ta bëj vetë BE, sepse një person i këtillë ruso-serbo nuk është i dëshirueshëm të qëndrojë edhe më tutje në këtë pozitë sepse e dëmton dialogun siç ka vepruar edhe deri më tani. E mira e të mirës do të ishte që edhe delegacioni i Kosovës në dialogun me Serbinë i cili kryesohet nga Kurti dhe Bislimi të ia bëjnë me dije se shkarkimi i Lajçakut është i domosdoshëm dhe me vend në të mirë të mbarëvajtjes së vetë procesit të dialogut, bile edhe është mirë që të shkohet edhe deri aty sa që ta kushtëzojë dialogun me largimin e tij”, përfundon profesori Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat