“Një pjesë e marrëveshjes po zbatohet”, analistët tregojnë për cilën pjesë e ka fjalën ambasadori amerikan

Politika

“Një pjesë e marrëveshjes po zbatohet”, analistët tregojnë për cilën pjesë e ka fjalën ambasadori amerikan

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 1 prill 2023 Në ora: 10:17
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

“Para së gjithash, unë do të thosha se një pjesë e marrëveshjes po zbatohet tashmë dhe natyrisht është një proces për të zbatuar të gjithë marrëveshjen. Shtetet e Bashkuara besojnë fuqishëm se marrëveshja duhet të zbatohet urgjentisht dhe ne gjithashtu kemi dëgjuar të njëjtën gjë të thotë edhe kryeministri i Kosovës”, kështu ka deklaruar ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier të enjten.

Sipas tij, hapi i radhës në zbatim të marrëveshjes është takimi i 4 prillit, në nivel kryenegociatorësh.

Me ftesë të komunitetit ndërkombëtar, më 4 prill, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe shefi i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, do të mblidhen në një takim në Bruksel.

“Hapi tjetër është takimi më 4 prill, e dini se dialogu i Miroslav Lajçakut është një dialog i ri i lehtësuar që po i tërheq kryenegociatorët të bisedojnë pikërisht për ato çështje dhe ne presim një takim të suksesshëm në mënyrë që të ecim përpara zbatimin e marrëveshjes”, ka shtuar Hovenier.

Dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, është dakorduar që të vazhdohet me bazë të propozimit evropian. Ky vendim është marrë në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.

Ndërsa, më 18 mars, të dy u dakorduan edhe për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, ani pse një dakordim i tillë nuk u vulos me nënshkrim.

Duke folur rreth cilës pjesë të marrëveshjes dhe zbatimit të saj mund ta ketë fjalën ambasadori amerikan, analisti politik, Skënder Zogaj, thotë se fjala është për “marrëveshjen për t’u marrë vesh”.

Zogaj: Pataten e nxehtë tash e ka Serbia

Image
Skënder Zogaj

Sipas Zogajt, Kurti është i gatshëm t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes.

“Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier me të drejtë po thotë që një pjesë e marrëveshjes së Ohrit është duke u zbatuar, dhe e ka fjalën për pjesën e dakordimit për t'u marrë vesh, pra e ka fjalën për "marrëveshjen për t’u marrë vesh", e cila në Kosovë është duke u zbatuar pa asnjë dilemë sepse Kryeministri po e thotë vazhdimisht se është i gatshëm ta nënshkruajë dhe ta zbatojë plotësisht e tërësisht me të gjitha pikat ka marrëveshja e Ohrit! Pra, pjesa parimore e marrëveshjes në Kosovë po zbatohet dhe, pataten e nxehtë tash e ka Serbia e cila, po pëshpëritë diçka por pa zë, sepse është e vetëdijshme se, është sosur karota dhe tash përdoret hosteni!”, deklaron Zogaj.

Sipas tij, në takimin e 4 prillit do të matet gatishmëria për zbatimin konkret të pikave të marrëveshjes.

“Vazhdimi më 4 prill është takim kurtuazie, për të konstatuar këtë që e ka deklaruat ambasadori amerikan në Kosovë, pra që të verifikohen zotimet e dhëna nga Kosova dhe Serbia dhe të matet gatishmëria për zbatimin konkret të pikave të marrëveshjes së Ohrit! Në fakt është në pyetje vetëm një detyrë: të niset themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo më 4 prill është çështja që kryenegociatorët duam ta nisin sa më parë. Dhe unë mendoj se, kjo do të ndodh në muajin e ardhshëm, kur Kosova mund të ketë të hartuar projekt - dokumentin bazik, të cilin tashmë Qeveria e Kosovës dua të besoj se e ka të gatshëm”, pohon Zogaj.

Marrëveshja Kosovë- Serbi për normalizim të marrëdhënieve ishte përshëndetur nga shumë shtetet e botës, por ishte kundërshtuar nga dy partitë opozitare në Kosovë (PDK- LDK). Sipas tyre, në marrëveshje nuk figuron njohja reciproke dhe kjo e bën të dëmshme marrëveshjen.

Ahmeti: Njohja de fakto është pjesë integrale e marrëveshjes kornizë

Image
Hidajet Ahmeti

Në anën tjetër, analisti politik Hidajet Ahmeti, thotë se Kosova ka pasur përvojë të hidhur me Serbinë në të kaluarën.

“Njohja de fakto është pjesë integrale e marrëveshjes kornizë, e cila nënkupton që Serbia nuk duhet ta pengojë Kosovën në rrugën e anëtarësimit të mekanizmave ndërkombëtarë. Për këto çështje e kemi përvojën e hidhur, pasi Serbia në të kaluarën ka futur në funksion të gjithë mekanizmat institucional dhe institucional për të lobuar kundër njohjes së Kosovës, por edhe kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, thekson Ahmeti.

Sipas tij, ambasadori amerikan mund të ketë aloduar rreth njohjes de fakto nga Serbia.

“Nga këndvështrimi subjektiv e kam bindjen se Ambasadori amarikan, Jeffrey Hovenier ka aluduar në këtë kontekst të çështjes, për të cilën Serbia mund të këtë “pezulluar” këtë aktivitet. Kurse sa i përket takimit të 4 Prillit, më shumë e vlerësoj si takim i cili do të diskutohet mbi marrëveshjen e Ohrit, përgjegjësitë e dyja shteteve, moduset e zbatimin dhe seriozitetin që kanë treguar palët në këtë drejtim”, përfundon Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat