“Marshi për Drejtësi”, Profesori ‘godet’ të arrestuarit e Hagës: Disa janë në dijeni të vrasjeve politike, ose i kanë urdhëruar ato

Politika

“Marshi për Drejtësi”, Profesori ‘godet’ të arrestuarit e Hagës: Disa janë në dijeni të vrasjeve politike, ose i kanë urdhëruar ato

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 1 prill 2023 Në ora: 17:56
Foto ilustrim "Bota sot"

Të dielën në Kosovë do të mbahet “Marshi për Drejtësi”, marsh ky i organizuar nga PDK në përkrahje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit e të tjerëve, të cilët, nga Gjykata Speciale akuzohen edhe për vrasjen e shqiptarëve, anëtarë të LDK-së dhe bashkëpunëtor të presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Përveç PDK-së, në mbështetje të këtij marshi kanë dalur edhe Lëvizja Vetëvendosje, AAK-ja, Nisma e organizata të ndryshme.

Po ashtu, në mbështetje ka dalur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka bërë thirrje që të marshohet, siç thotë ai për drejtësi.

Poashtu në mbështetje të këtij marshi, përveç disa partive dhe organizatave të ndryshme në Kosovë, sot ka dalë edhe ish kryetari iu LDK-së, Isa Mustafa, ani pse dikur ishte pikërisht Mustafa që i akuzonte për vrasjen e anëtarëve të LDK-së Thaçin, Veselin e strukturën e SHIK-ut.

““Marshojmë për Drejtësi”, një manifestim që meriton përkrahje e solidarizim! Meriton respekt e përkrahje lufta e UÇK-së dhe meritojnë drejtësi luftëtarët e saj që dolën në ballë për të ndalur masakrat e shtetit serb dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve. Kosova sot është e lirë falë luftës së UÇK-së, mençurisë politike të Ibrahim Rugovës dhe ndërhyrjes së NATO-s. Kemi qenë bashkë në kohërat më të vështira; jemi solidar sot me të gjithë ata që kontribuuan për liri e pavarësi dhe me ata që ishin shembull i gatishmërisë për të zbardhur çdo dyshim në luftën e drejtë dhe të pastër, sepse besonin në Drejtësi! Me mendje jam me ju që do të marshoni për Drejtësi”, ka shkruar Isa Mustafa në reagimin e tij në facebook.

Frika nga zbardhja e vrasjeve politike

E lidhur me marshin e paralajmëruar, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

Image
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

“Organizata të ndryshme kanë njoftuar se dy ditët e para të prillit do të ketë marshe në përkrahje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen aktualisht në Hagë për t’u gjykuar për krime të ndryshme. Që në fillim duhet thënë se Beogradi u përpoq ta paraqesë këtë gjykatë dhe gjykimin e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Veseli e Krasniqi, si dhe të të tjerëve, si një gjykim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por autoritetet e kësaj Gjykate, si dhe prokurorisë së saj kanë bërë me dije se nuk bëhet fjalë për të dënuar luftën e kësaj ushtrie kundër Serbisë dhe forcave të saj mizore ushtarake e policore. Shqiptarët janë të bindur se vendimet e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë kundër disa ish-liderëve të UÇK-së, nuk drejtohen kundër luftës së shqiptarëve për liri. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar një luftë të drejtë. Ajo u rreshtua në krah të NATO-s e Perëndimit. Askush prej nesh nuk e konteston kontributin e saj për çlirimin e Kosovës. Në mënyrë të veçantë, dëshmorët e kësaj ushtrie e të Kosovës janë dhe mbeten themeli i lirisë e pavarësisë së saj”, shprehet Bytyçi.

Sipas tij, ata të cilët sot po akuzohen në Hagë, janë përgjegjës dhe në dijeni për vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Por ka diçka që ne duhet ta rivlerësojmë dhe ndoshta ta dimensionojmë. Disa prej atyre që sot gjenden në Hagë mbas luftës bënë shumë pasuri. Madje këtë pasuri e bënë në mënyrë abuzive, duke e motivuar me kontributin e tyre në UÇK. Ndërkaq familjet e atyre që dhanë jetën dhe kanë meritën më të madhe për këtë liri, këto familje nuk vrapuan që në emër të gjakut që derdhën të grabisin pasuritë e Kosovës. Nuk e bënë këtë familja e madhe Jashari. Por e bënë, p.sh. Lushtakët. U duk qartë se në këtë pisllëk ku hynë disa prej atyre që sot akuzohen në Hagë u përpoqën edhe të likuidojnë kundërshtarët e tyre politikë. Motivi kryesor ishte që të hapej rruga për abuzime dhe grabitjen e pasurive të vendit. Por edhe që kundërshtarët politikë të mos rrezikonin pushtetin e këtyre komandantëve. Jam i bindur se një, dy a tre prej tyre ose janë në dijeni të vrasjeve politike, ose i kanë urdhëruar ato, ose edhe kanë udhëhequr ekzekutimin e këtyre kundërshtarëve. Ndryshe nuk ka si shpjegohet fakti që asnjë prej vrasësve të mbi 100 veprimtarëve të Lidhjes Demokratike nuk u zbuluan. Këta që janë në Hagë ishin në pushtet. Madje patën krijuar dhe organizata ilegale si SHIK, në modelin e nën kujdestarinë e kriminelit Fatos Klosi”, deklaron Bytyçi.

Më tej, ai thotë se në këto kushte marshi për mbrojtjen e tyre dhe për atë që quhet “Drejtësi për komandantët”, duhet parë me skepticizëm dhe jo i dobishëm për shoqërinë.

“Ne nuk e dimë se kush mbrohet me këto marshe: Komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo vrasësit e shqiptarëve kundërshtarë politikë?! Pikërisht për këtë arsye duhet që të mos bëhet presion mbi gjykatën. Duhet provuar me drejtësi, nëse këta që janë në bankën e të akuzuarve kanë marrë pjesë në një formë apo një tjetër në vrasjet kundër zyrtarëve dhe aktivistëve të LDK-së, apo jo! Protestat dhe marshet nuk i ndihmojnë zbardhjes së të vërtetës. Edhe për ata që janë në Hagë është më mirë të zbardhet e vërteta. Unë besoj se, nëse ata e ndjejnë veten të pastër nga ky pisllëk i madh në krimet kundër shqiptarëve, nuk do të donin të kryheshin protesta e marshe anti-Hagë”, shpjegon Bytyçi.

“Kjo do të thotë se marshi vetëm i shton dozat e dyshimit në publik për pjesëmarrjen e disa prej tyre në akte dhunë e në vrasje kundër shqiptarëve. Ndërkohë, gjykata, në vend që të bëjë ndonjë tërheqje, do të motivohet akoma më shumë për të shkuar deri te e vërteta. Edhe rastet që sot do të duken si të pamundura për t’u provuar, do t’i nënshtrohen një procesi më profesional në hetim. Sepse indicia që jep marshi është i qartë: - Ju nuk mund të dënoni këta komandantë, edhe nëse ata janë fajtorë për vrasje, siç edhe janë akuzuar nga prokurori”, shton Bytyçi.

Për mbështetjen që i dha këtij marshi, profesor Bytyçi ka një mesash për ish kreun e LDK-së, Isa Mustafa.

“Të vjen keq kur dëgjon edhe Isa Mustafën të jetë i gatshëm të bëhet pjesë e këtij marshi. Së paku me zemër. Ai ose duhet të dalë e t’i thotë publikut se është në dijeni të faktit se të akuzuarit nuk janë fajtorë për vrasjen e funksionarëve dhe aktivistëve të Lidhjes Demokratike e atentatin ndaj Ibrahim Rugovës. Ose duhet t’u thotë njerëzve se “Mua, Isa Mustafës, nuk më çahet b.ytha për jetën e këtyre veprimtarëve“! Madje ai kishte detyrë që t’i zbulonte autorët e atyre krimeve sa kohë ishte në pushtet. Por në vend të kësaj, i përdori këto vrasje dhe emrin e Ibrahim Rugovës për të fituar vota njëherë në katër vite! Politikanë të pafytyrë si ky, nuk kam parë. Më e pakta do të ishte të heshtëte. Por jo! Duket se edhe në pension është në mision!”.

Sipas Bytyçit, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka frikë që të kërkojë zbardhjen e vrasjeve politike.

“Edhe LDK e sotme është e kompleksuar. Ka frikë se nëse kërkon drejtësi për viktimat e pafajshme të partisë së saj, do të akuzohet për qëndrime anti-UÇK. Sepse nuk ishin të aftë t’u shpjegonin qytetarëve të Kosovës se Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë nuk është gjykatë kundër Ushtrisë Çlirimtare, por kundër kriminelëve, gjithnjë nëse ata shpallen fajtorë për krime”, deklaron Bytyçi.

“Së fundmi, e kam thënë edhe herë të tjera. Jam i bindur se shumica pre atyre që janë në Hagë nuk do të dënohen për krime kundër serbëve. Ndonjë prej tyre nuk ka guxuar të bëjë krime kundër serbëve. Ndonjë tjetër nuk ka patur rast për këtë. Por ama ata kanë luftuar më shumë për pushtet, sesa për Kosovën, kur dihet se çfarë bënë për ta rrëmbyer pushtetin në Kosovë pa zgjedhje e në emër të luftës! E dimë se si janë zhvilluar ngjarjet me “qeverinë e përkohshme” Thaçi, apo me format e tjera të pushtetit të paligjshëm, me prefektët etj, forma këto që Partia Socialiste në Shqipëri, pra ish-partia komuniste i kishte përdorur që gjatë Luftës së Dytë Botërore e pas saj!”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

Manipulim i radhës

Image
Saim Tahiraj

E sipas ish bashkëluftëtarit të Sali Çekajt, marshi i paralajmëruar është një manipulim i radhës.

“Liria ka emër, ai nuk është në Hagë, por diku tjetër! Fatkeqësisht edhe 23 vite pas lufte shoqëria Kosovare është e kontaminuar skajshmërisht me të pavërteta, andaj shumë lehtë manipulohet. Edhe thirrja e kësaj proteste me logon "Liria ka emër" është manipulim i radhës për përfitime politike, më tepër se sa që e kanë dertin e atyre që janë në Hagë”, thekson Tahiraj.

Ai shprehet se në Kosovë asnjëherë nuk u marshua për zbardhjen e vrasjeve politike.

“Të gjitha vrasjet politik që ndodhën në Kosovë, asnjëherë nuk u zbuluan dhe askush nuk mori dënimin e merituar. Çuditërisht asnjëherë nuk u organizuan protesta nga të tillët ku kërkohej zbardhja vrasjeve politike. Ky veprim e ka arsyen e vet, gishti dyshues u drejtua gjithmonë drejt tyre. Të gjitha institucionet e shtetit ishin të uzurpuara nga të tillët andaj nuk u zbulua asnjë rast e le më të dënohet. Gjithashtu të tillët edhe protestat nuk i kanë lejuar sepse i kishin hipnotizuar masën e tyre me të pavërteta”, deklaron Tahiraj, i cili e quan fat të mirë për Kosovën themelimin e Gjykatës Speciale.

“Fati i mirë për shtetin dhe popullin e Kosovës e deshti dhe u themelua Gjykata Special nga Parlamenti i Kosovës, si e vetmja shpresë për të dalur në shesh e vërteta. Të gjithë familjarët dhe bashkëveprimtarët e viktimave politike sytë e shpresës i kanë drejtuar drejt Hagës. Fillimi i gjykimit dhe dënimi i parë janë shpresëdhënës. Deri më tani të gjithë dëshmitarët ishin shqiptarë fatkeqësisht. Kjo po e demanton propagandën LPK-iste se dëshmitë kanë ardhur nga Beogradi, së paku deri më tani”, thotë Tahiraj.

“Nëse rrjedha e dëshmive vazhdon kështu, vetëm dëshmitarë shqiptarë, atëherë çfarë kuptimi ka logoja "Liria ka emër"? Për cilën Liri po flasin këta? Unë nuk e dua atë Liri që u ndërtua mbi gjakun e vëllavrasjes shqiptare. Ajo nuk është liri por vetërobëri e tmerrshme. Njëherë e fituam lirinë e vërtetë, me Pajtimin e Gjaqeve në vendin historik Verrat e Llukës, në krye me të madhin Anton Çeta. Çfarë na u deshtë dhe kujt i shërbeu ky rirobërim kob zi? Uroj që kjo masë e maipuluar të kthjellët sa më parë dhe te kuptoj të vërtetën, ta shoh atë në sy, të ballafaqohet me te! Vetëm atëherë do fillojmë rrugën e drejt, drejt lirisë së vërtet. Largohuni nga këto protesta që përpiqen ta vazhdojnë robërinë, lëreni të qetë Gjykatën Speciale që drejtësia të vendosët në vendin e duhur. Vetëm atëherë kur drejtësia vendoset në vendi e duhur dhe kriminelët do e marrin dënimin e merituar, liria do jetë e plotë”, përfundon për “Bota sot”, ish bashkëluftëtari i Sali Çekajt, Saim Tahiraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat