Kush do t’i dëmshpërblejë viktimat e Mustafës? Kosova mund ta pësojë ‘keq’ – ja çka paralajmërohet! 

Politika

Kush do t’i dëmshpërblejë viktimat e Mustafës? Kosova mund ta pësojë ‘keq’ – ja çka paralajmërohet! 

Arife Morina Nga Arife Morina Më 10 prill 2023 Në ora: 18:02
Salih Mustafa

Ditë më parë, Dhomat e Specializuara të Hagës vendosën që Salih Mustafa do të duhet t’i kompensojë me 207 mijë euro viktimat që kanë qenë të pranuara në aktakuzën ndaj tij.   

Gjatë seancës, kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Folia, bëri të ditur se pasi Mustafa është shpallur fajtor, atëherë kompensimi është obligativ.   

Trupi gjykues ka vendosur që:   

Viktima 8 të kompensohet me 30 mijë euro   

Viktima 9 të kompensohet me 80 mijë euro   

Viktima 10 të kompensohet me 60 mijë euro   

Viktimat 5, 6 dhe 12 të kompensohen me nga 10 mijë euro   

Viktima 11 kompensohet me 11 mijë euro dhe   

Viktima 12 të kompensohet me 2 mijë euro   

“Trupi gjykues gjykoi se kompensimi i secilës viktimë është një lloj dhe modaliteti më i përshtatshëm. Asnjë shumë parash nuk e kthen anëtarin e humbur të familjes dhe depresionit, dhe mundësinë për të punuar si më parë. Kompensimi mundëson njëfar lehtësimi financiar për viktimat”, tha kryetarja e trupit gjykues.   

Sipas vendimit, i pari që duhet të jetë në zinxhirin e kompensimit është ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa. Ai do të duhet të kompensojë viktimat me 207 mijë euro.   

Megjithatë, gjyqtarja tha se nëse Mustafa nuk ka kushte të mundshme, atëherë duhet ta dëshmojë me dokumente të cilat ofrojnë prova për pasurinë e tij. Këtu u përfshi edhe Qeveria e Kosovës, e cila u ftua të krijojë një buxhet për zhdëmtimin e viktimave.   

“Trupi gjykues fton Kosovën të krijojë Kosovën mekanizëm për zhdëmtim të viktimave të Speciales. Urdhëron administratoren t’ia përcjellë Qeverisë së Kosovës këtë dokument. Rekomandon krijimin e një fondi me nismën e Speciales në rast se Kosova nuk përmbush detyrimet e saj ndaj viktimave brenda një kohe të arsyeshme”, tha krye - gjyqtarja e rastit.     

Musliu: Nuk është normale e as morale, që shteti i Kosovës t’i dëmshpërblejë viktimat për vepra penale që nuk i ka bërë UÇK-ja, por individ të papërgjegjshëm   

Image
Skënder Musliu

E për këtë çështje për gazetën “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.   

Fillimisht, ai përmendi se si deputetët që e votuan Specialen, miratuan edhe Ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të të akuzuarve të Hagës.   

Sipas tij, kjo ishte e dëmshme, pasi atje po gjykohen individët dhe jo UÇK-ja.

“Menjëherë pas formimit të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë në vitin 2015, « pa humbur kohë », ata që votuan këtë Gjykatë, miratuan edhe Ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të të akuzuarve të Hagës. Të njëjtit politikan që promovuan dhe propaganduan këto dy Ligje, përmes deklaratave të vazhdueshme, nëpër konferenca të shpeshta për shtyp, nëpër televizione që vet ata i kontrollonin, në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës, e krijuan opinion, kinse të akuzuarit eventual në Hagë do ta mbronin UÇK-në. Mirëpo a ishte e vërtetë se në Hagë po mbrohet UÇK-ja ?! Jo, përkundrazi në Hagë do të pastrohet UÇK-ja nga keqbërësit eventual të luftës, sepse të akuzuarit nga Prokuroria Speciale akuzohen për vepra penale individuale që pretendohet se ata i kanë kryer ndaj civilëve të pafajshëm”, deklaroi ai.   

Musliu tha se me ligjin në fuqi parashihet që Kosova t’i paguajë avokatët e të akuzuarve. Në këtë rast, ai shtjelloi rastin e Mustafës dhe dënimin me gjobë.   

“Me Ligjin për mbrojtjen juridike të të akuzuarve, parashikohet që shteti i Kosovës do t’ua paguajë avokatët e të gjithë të akuzuarve në Gjykatën Speciale, nga Fondi i veçantë që sigurohet dhe alimentohet nga Buxheti i Kosovës, me kusht që ata të vërtetojnë se nuk kanë mundësi vetanake financiare të paguajnë avokatët. Për këtë qëllim, të akuzuarit duhet të plotësojnë formularin «Deklarimi i burimeve financiare », me ç’ rast ata duhet të ofrojnë dokumente zyrtare të besueshme për të ardhurat, asetet, bizneset, deklaratat e kartelave bankare, aksionet, investimet e të tjera. 

Në këtë kontekst, shembull konkret është rasti i Sali Mustafës, i cili muaj më parë u dënua me 26 vite burgim efektiv për krime lufte nga ana e Dhomave të Specializuara, kurse ditë më parë e njëjta Gjykatë atë e dënoi me gjobë prej 207 mijë euro si dëmshpërblim për 8 viktimat. Edhe pse personalisht konsideroj se Gjykata Speciale e ka ekzagjeruar shumë lartësinë e dënimit me burgim, mirëpo procedurat ankimore janë në vijim e sipër dhe ngelë pët t’u parë përfundimi”, theksoi juristi nga Blegjika.   

Po ashtu, tha se Kosova duhet ta bëjë dëmshpërblimin në rastin e Mustafës, në qoftë refuzon, mund ta bënë shtetet e treta që e financojnë Specialen.   

Mirëpo, ai tha se situate mund të vështirësohet pas përfundimit të gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët dënohen për vepra të shumta.   

“Këto dëmshpërblime ai duhet t’i ekzekutojë, siç konstaton Gjykata, nëse për këtë disponon me mjete financiare, nëse jo, atëherë shteti i Kosovës obligohet ta bëjë këtë, dhe nëse nuk e bënë Kosova, Gjykata ka lënë mundësinë që shtetet të cilat e financojnë Gjykatën Speciale, të mund ta formojnë një fond të tillë, edhe pse këto shtete gjer më tani, kanë harxhuar mbi 300 milion euro për punën e kësaj Gjykate. 

Me këtë rast dëshiroj të theksoj se, sikur të ishte vetëm rasti i Sali Mustafës, nuk do të ishte një problem i veçantë. Mirëpo gjërat do të komplikohen dhe bëhen të vështira, kur të akuzuarit e krerëve të UÇK-ës, që gjenden në paraburgim në Hagë, procesi gjyqësor i të cilëve sapo ka filluar, e në veçanti edhe disa dhjetëra të tjerë që supozohet se do të akuzohen për vrasjen e mbi 100 civilëve dhe mbi 20 personave të zhdukur, e mos të flasim për burgosjen arbitrare, keqtrajtimet e tij”, shpjegoi Musliu.   

Në vazhdim, juristi shprehi shqetësime për këtë, duke thënë se nuk është normale që Kosova t’i dëmshpërblejë viktimat e të akuzuarve. 

“Prandaj shtrohet pyetja, çka nëse këto pretendime i argumenton dhe vërteton në procesin gjyqësor Prokuroria Speciale, rrjedhimisht nëse të akuzuarit shpallen fajtor, kush do t’i dëmshpërblejë viktimat !?! 

Së pari, konsideroj se, nuk është normale e as morale, që shteti i Kosovës t’i dëmshpërblejë viktimat për vepra penale që nuk i ka bërë UÇK-ja, por individ të papërgjegjshëm që kanë keqpërdorur uniformën dhe abuzuar me «pushtetin» që kanë ushtruar mbi popullatën civile, për qëllime dhe përfitime skajshmërisht personale! 

Së dyti, emrat e të akuzuarve dhe personave që supozohet se do të akuzohen, emrat e të cilëve janë bërë publik nga gazetarë të ndryshëm, në opinion njihen si profitera të luftës dhe si milionerë të pasluftës, pasuria e të cilëve vetëm 10% është publike,  kurse pjesa tjetër  është e fshehur dhe larguar nga Kosova në forma dhe mënyra të ndryshme”, nënvizoi ai.   

Më tej, Musliu tha se zgjidhja ideale për këtë çështje është që ata që shpallen fajtor, t’iu konfiskohet pasuria, me qëllim që në mënyrë solide të dëmshpërblehen  viktima.   

“Prandaj nuk është në rregull që buxheti i varfër i Kosovës t’i dëmshpërblejë viktimat në vend që këtë ta bëjnë vet milionerët, mbase edhe familjarët e viktimave e mbushin Buxhetin e shtetit përmes taksave të ndryshme, dhe kjo do t’i bie se, edhe viktimat po e dëmshpërblejnë vetveten, në vend se këtë ta bëjnë milionerët. 

Mendoj se mënyra më reale, në kushtet ekzistuese, është që ata që shpallen fajtor, t’iu konfiskohet pasuria gjithandej, me qëllim që në mënyrë solide të dëmshpërblehen viktimat, nëse kjo eventualisht nuk mjafton, atëherë pjesa tjetër të kompenzohet nga Buxheti i shtetit ose nga një fondi i BE-së. Shpresoj se edhe organet kompetente të Kosovës do të shkojnë në këtë drejtim, sepse duke marrë parasysh numrin e madh të viktimave, në pyetje janë ndoshta me dhjetëra e dhjetëra miliona euro, që do ta rëndon Buxhetin e Kosovës”, potencoi juristi nga Belgjika.   

Ndër të tjera, ai shtoi se Specialja ka rëndësi të madhe mbase historike për zbardhjen e fatit dhe të vërtetës për vrasjet e shumta, ku qindra familjarë e presin mbi dy dekada.  

“Por, në qoftë se të akuzuarit lirohen nga akuzat me aktgjykim të formës së prerë, domosdoshmërish ata do të dëmshpërblehen për kohën e mbajtjes në paraburgim. 

Një rol të rëndësishëm në krijimin e opinionit publik lidhur me punën e Gjykatës Speciale mund ta luajnë edhe mediat, të cilat fatkeqësisht, disa nga ato,  nuk po e bëjnë punën me profesionalizëm, sepse kinse  në emër të fjalës së lirë, ato po krijojnë dyshime mbi punën e kësaj Gjykate. Në këtë kuptim, mendoj se duhet të ndalen nëpër debatet televizive manipulimet dhe propaganda e disa të ashtuquajturve analistë dhe gazetarë mercenarë që keqpërdorin dhe përdhosin emrin e «UÇK-ës, për patronët e tyre që paguhen enkas për këtë qëllim. Në pyetje është vendosja e drejtësisë për viktimat, sepse para, gjatë dhe pas luftës kanë ndodhur vrasje të civilëve, kryesisht aktivist të dalluar të LDK-ës, ushtarak të shquar të UÇK-ës që identifikoheshin si pjesëtarë të FARK-ut, prandaj Gjykata Speciale ka rëndësi të madhe mbase historike për zbardhjen e fatit dhe të vërtetës, që familjarët e presim mbi dy dekada”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.  

Burjani: BE financon vetëm punën e Gjykatës, tjerat jo

Image
Blerim Burjani

Kurse, juristi Blerim Burjani tha se Kosova do duhej t’i aguar kompensimet me pagesa nga gjykimet në Hagë.   

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se buxheti i Kosovës mund të dëmtohet shumë nga këto procese gjyqësore.   

Kjo gjykatë është e Kosovës, andaj duhet të paguaj kompensimin nga buxheti i saj, pagesa do të ndodhë edhe për të pafajshmit që do të shpallen edhe viktimat, buxheti i Kosovës në masë të madhe mund të dëmtohet, ky është vetëm fillimi, palët kanë të drejtë në kompensim, kështu ka vendosur kjo gjykatë”, deklaroi juristi. 

Ai bëri të dikur se Bashkimi Evropian e financon vetëm punën e Speciales, jo më shumë. 

Përderisa Tribunali për ish-Jugosllavi në Hagë, nuk ka bërë kurrfarë kompensimi, Kosova, pra tash kjo Gjykatë Speciale ka vendos që viktimat po sikur ata që do të shpallen të pafajshëm  duhet të kompensohen. BE financon vetëm punën e Gjykatës, tjerat jo. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat