Krijimi i asociacionit cenon rendin kushtetues

Politika

Krijimi i asociacionit cenon rendin kushtetues

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 11 prill 2023 Në ora: 08:06
Foto ilustrim

Të dielën janë bërë 15-vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës është ratifikuar më 9 prill të vitit 2008 dhe ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë - neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

Në 15 vjetorin e themelimit të Kushtetutës, opozita ka kritikuar Qeverinë aktuale, se po e shkelë atë.

Nga ana tjetër, analistët mendojnë se Kushtetuta e vendit më së shumti cenohet në pjesën veriore të Kosovës.

Deklaratat e opozitës

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se Kushtetuta është pasqyrë e vlerave bashkëkohore të shoqërisë tonë.

Krasniqi ka thënë se fatkeqësisht sot kemi një Qeveri dhe një kryeministër që ndërmerr veprime antikushtetuese.

“Për fat të keq, sot në Qeveri kemi një kryeministër dhe shumë ministra që disa herë kanë ndërmarrë veprime anti-kushtetuese, nga përpjekja për ta vënë nën kontroll dhe për ta cenuar integritetin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, ndërhyrja e MASHTI-t në kompetencat e nivelit lokal, si dhe cënimi i lirisë së lëvizjes së qytetarëve gjatë pandemisë, e një varg shkeljesh tjera që janë duke u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese”, ka shkruar Krasniqi.

Po ashtu, në 15-vjetorin e Kushtetutës së Kosovës, Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) konsideron se qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti është ekzekutivi, i cili më së shumti e ka shkelur këtë dokument të rëndësishëm juridik.

Analistët kanë dhënë mendimet e tyre për gazetën “Bota sot” lidhur me atë se sa është respektuar Kushtetuta e shtetit të Kosovës ndër vite.

Burjani: Serbia tenton që përmes asociacionit ta dobësoj edhe më shumë rendin kushtetues

Image
Blerim Burjani

Juristi Blerim Burjani, ka thënë se ka pasur ndryshime të dëmshme, sa i përket Kushtetutës.

Tutje, Burjani thotë se mos zbatimi në pjesën veriore, pakicat serbe të nxitura nga Serbia tenton që përmes asociacionit ta dobësojë edhe më shumë rendin kushtetues, ta dezintegroj kushtetutën dhe ta dobësojë shtetin.

“Kushtetuta mbetet akt frigjil, i atakuar politikisht me ndërhyrje të faktorit ndërkombëtarë, plotësim i saj duke dobësuar rendin kushtetues etj. Pra, ka pasur vetëm ndryshime të dëmshme, si ligji për fondin e veriut, mos funksionimi i saj dhe mos zbatimi në pjesën veriore dhe komunat tjera serbe, mos respektimi i simboleve kushtetuese, pakica serbe e nxitur nga Serbia tenton që përmes asociacionit ta dobësojë edhe më shumë rendin kushtetues, ta dezintegrojë kushtetutën dhe ta dobësojë shtetin, pak ka respektim, pak shtete në botë e festojnë ditën kushtetuese”, përfundon juristi.

Mehmeti: Kushtetuta është shkelur nga të gjithë politikanët, dikush më shumë a më pak, në parim është shkelur

Image
Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se Kushtetua është shkelur më së shumti nga Hashim Thaçi.

Sipas tij, duhet që të fuqizohet drejtësia për ata që e shkelin Kushtetutën të bartin pasoja, sepse deri më tani shkelësit nuk kanë bartur pasoja.

Kushtetuta është shkelur nga të gjithë politikanët, dikush më shumë a më pak, në parim është shkelur. Edhe sot shkelet kushtetuta, shkeljen më të madhe kushtetutës ia ka bërë Hahsim Thaçi me marrëveshjen e vitit 2013 me Asociacionin që cenoi rëndë sovranitetin e shtetit. Pra, në vazhdimësi është cenuar kushtetuta.

Duhet fuqizuar drejtësia, ata që shkelin kushtetutën edhe të bartin pasojat, jo të kalohet si deri tani ku është shkelur rëndë kushtetuta dhe askush s’ka bartur pasoja”, përfundon analisti.

Kushtetuta e Kosovës është ratifikuar më 9 prill 2008 dhe ka hyrë në fuqi më 15 qershor të vitit 2008. Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë - neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat