“Mësohen” tri qëllimet kriminale të Serbisë ndaj Kosovës/ Kërkohet ndërhyrja sa nuk është bërë vonë

Politika

“Mësohen” tri qëllimet kriminale të Serbisë ndaj Kosovës/ Kërkohet ndërhyrja sa nuk është bërë vonë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 prill 2023 Në ora: 16:45
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Kanë kaluar javë që nga rifillimi i dialogut mbi bazën e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve Kosovë- Serbi dhe deklarata kundërthënëse nuk ndalen nga pala e kësaj të fundit.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq në një intervistë për mediumin serb RTS duke folur për për zbatimin e marrëveshjes me Kosovën: “Ne do të zbatojmë disa pjesë (të marrëveshjes), ndërsa të tjerat jo. E kam bërë të qartë atë që nuk do të zbatoj”.

Serbia shkel marrëveshjen edhe përmes ministrit të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, i cili në disa vende aziatike ka lobuar për mos njohje të Kosovës nga ato shtete.

“Vizita në Taxhikistan ishte jashtëzakonisht e rëndësishme, duke pasur parasysh, siç thashë gjatë vizitës në Uzbekistan dhe Kirgistan, se Serbia neglizhoi rajonin e Azisë Qendrore, i cili është shumë i rëndësishëm, ku janë pesë vende jashtëzakonisht miqësore dhe tradicionalisht të afërta me ne të cilat janë në anën tonë kur bëhet fjalë për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit tonë territorial”, tha shefi i diplomacisë serbe.

“Në bisedimet me zyrtarët e Taxhikistanit u konfirmua edhe një herë mbështetja e Taxhikistanit për integritetin dhe sovranitetin tonë territorial dhe u tha qartë se nuk do ta njohin pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës”, ka thënë Daçiq.

Analistët politikë thonë se Serbia ndalet vetëm me forcë dhe BE duhet të ndalojë t’i jap “karota”.

Sipas tyre, nga shteti kriminal mund të pritet gjithçka, por Kurti duhet të jetë i vëmendshëm t’i respektojë marrëveshjet.

Zogaj: Lutje pas lutjesh por tashmë po shihet se Serbia nuk merr mend

Analisti politik, Skënder Zogaj, thotë se Serbia ka fituar gjithçka me gënjeshtra.

Image
Analisti politik, Skënder Zogaj

“Serbia gjithçka në histori e ka fituar me rrena, shantazhe, shfrytëzim të situatave të ngatërruara në rajon. Ky ka qenë edhe synimi i Millosheviqit i cili kinse për t'i mbrojtur serbët nga vuajtjet që kinse po ua shkaktonin shqiptarët, i pat hutuar institucionet ndërkombëtare! Mirëpo, rrenës i dolën rrënjët dhe, bashkësia ndërkombëtare ia tregoi serbëve vendin me zjarr luftarak. Duke qenë se është përdorur dhuna, BE-ja, pas ndëshkimit serbët qe dy dekada po i shpërblen me karota, duke u përpjekur t'i vetëdijësojë që ta kuptojnë se agresionet kanë përfunduar dhe se Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur!”, shprehet Zogaj.

Ai ka kërkuar që BE t’i ndalojë “karotat” për Serbinë nëse nuk i zbaton marrëveshjet e miratuara, gjersa shton se qëndrimet e gabuara të saj shkojnë në favor të Kosovës.

“Lutje pas lutjesh por tashmë po shihet se Serbia nuk merr mend, BE-ja do të ndalojë karotat nëse Aleksadër Vuçiq nuk i zbaton marrëveshjet që i ka miratuar. Marrëveshjen e Ohrit Vuçiq nuk do të mund ta refuzojë njëanshëm dhe as që ta zbatojë pjesshëm! Nga Serbia pak gjë varet po qoftë se Kosova nuk bën gabime! Qëndrimet e gabuara të Vuçiqit shkojnë në favor të Kurtit i cili duhet të jetë shumë i vëmendshëm! Kosova pavarësisht nga qëndrimet e Serbisë duhet të jetë e gatshme dhe ashtu siç merret vesh me ndërmjetësuesit e BE-së të realizojë obligimet. Nuk ka asnjë dyshim që BE-ja i ka përgatitur mirë të gjitha”, deklaron Zogaj.

Që nga 18 marsi, dita kur edhe është zyrtarizuar marrëveshja për pajtimin e projektit për normalizim të marrëdhënieve, Serbia jo pak herë është shprehur me deklarata të sipër përmendura, duke shkelur marrëveshjen.

Kelmendi: Serbia ndalet vetëm me forcë!

Gjersa, Bashkimi Evropian nuk ka reaguar ndaj këtyre deklaratave, analisti politik, Muhamet Kelmendi thotë se Serbia ndalet vetëm me forcë.

Image
Analisti politik, Muhamet Kelmendi

Sipas tij, Serbia ka disa qëllime kriminale që pa armë nuk mund të realizohen.

“Serbia ndalet vetëm me forcë! Në kuadër të veprimeve neoshovenite serbe është padyshim edhe ky takim kriminelit të luftës Vuciq me Listën Serbe. Plani i shtetit serb është shkëputja e kësaj pjese nga Kosova dhe aneksimi nga Serbia. Krimineli i luftës A. Vuçiq ka treguar deri tash se synon ripushtimin e Kosovës ose ndarjen dhe aneksimin e veriut. Krimineli i luftës Vucic deklaron: " Ne do të zbatojmë disa pjesë të marrëveshjes, ndërsa të tjerat jo. E kam bërë të qartë atë që nuk do të zbatojë". Nga kjo deklaratë del pikësynimi i Serbisë për të ndarë ose ripushtuar Kosovën. Në veprim janë disa qëllime: 1 Dështimin e zgjedhje në veri të Kosovës, 2. Përkatitjen e masave për të ndarjen e kësaj pjese nga Kosova ose 3. Organizimin me presion kriminal të veri të Kosovës në një shtet serb të ri. Të tri këto qëllime pa veprime kriminale të armatosura nuk mund të realizohen. Kësisoj mund të priten përsëri bllokime të rrugëve, sulme kriminale me armë ndaj forcave të rendit dhe aksione tjera kriminale dhe terroriste të armatosura, me qëllim që në këtë anë të Kosovës të krijohet një gjendje lufte mos edhe lufte”, deklaron Kelmendi.

Sipas tij, përkëdhelja e Beogradit nga UE dhe Washingtoni i ka dhënë kurajo atyre.

Por, ai shton se ata duhet ta ndalin atë para se të jetë vonë.

“Nga shteti kriminal serb mund të priten çdo veprim terrorist. Sidomos tash kur nga UE dhe nga Washingtoni e ka një përkrahje mjaftë domethënëse. Përkëdhelja e Beogradit nga UE dhe Washingtoni i ka dhënë kurajo dhe forcë shtetit serb. Kjo, shihet nga veprimet kriminale në veri të Republikës. Askund në bote nuk tolerohen aksione të tilla kriminale dhe terroriste si në Kosovë që po kryhen nga kriminelët serbë të udhëhequra nga Beogradi. Sulmohen organet e shtetit dhe faktori ndërkombëtar heshtë! Bllokohen rrugët përsëri heshtë Brukseli dhe Washingtoni! Vriten policët e Republikës nga shteti serb dhe nuk akuzohet shteti serb! Dërgohen nga Beogradi banda të Wagnerit në veri të Kosovës dhe prapë nga UE dhe nga Washingtoni nuk akuzohet shteti serb! Në gjuhën e Brukselit barazohet rendi kushtetuese i Kosovës me bandat shoveno-fashiste serbe! Kjo nuk i zgjidhë problemet me shtetin neofashist serb. Kështu thellohen konfliktet dhe priten aksione edhe më të rënda. Këtë duhet të ndali UE dhe SHBA-të. Dikur mund të bëhet vonë!”, përfundon Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat