“Shteti konfliktuoz ka nevojë për reagim të ashpër ndërkombëtar”, eksperti i sigurisë “shpërthen” pas deklaratës së Jabllanoviçit

Politika

“Shteti konfliktuoz ka nevojë për reagim të ashpër ndërkombëtar”, eksperti i sigurisë “shpërthen” pas deklaratës së Jabllanoviçit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 prill 2023 Në ora: 17:02
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan do të mbahen këtë të diel, më 23 prill.

Ndërsa, deklarata tendencioze nga politikanë serbë nuk kanë të ndalur.

Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, ka thënë se zgjedhjet në katër komuna veriore të Kosovës, “janë në kundërshtim me demokracinë” dhe siç tha ai “nuk kontribuojnë në qetësimin e tensioneve dhe ndërtimin e besimit”.

“Përkundër kësaj, ju tani keni një përpjekje për një proces zgjedhor në veri të Kosovës pa pjesëmarrjen e serbëve dhe një përpjekje për të sjellë në pushtet ata që përbëjnë dy për qind të popullsisë në zonat ku 98 për qind jetojnë serbë”, është shprehur ai.

Ndërsa, një përshkallëzim të situatës në veri e ka paralajmëruar udhëheqësi i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç.

Eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë se situata në veri qysh nga para lufta e pas lufta nuk është zgjidhur.

“Situata konfliktuoze e krijuar qysh nga moti dhe lirisht mund të thuhet qysh nga paralufta e në vazhdimësi nga paslufta e deri më tani, kurrë nuk ka qenë i zgjidhur, edhe me kapitullimin dhe nëshkrimin e vendimit në Kumanovë nga ana e Serbisë, e kur KFOR-i është garantuesi i territorit të Kosovës, kur dihet që KFOR është pjesë e NATO-se, prapë se prapë në Kosovë nuk është funksionalizuar një stabilitet deri më tani, edhe që Serbia e ka përvojën nga lufta me NATO-në, me bombardimet që i përjetoi, për kohërat e shumë masakrave që i shkaktuan në Kosovë, dhe intervenimi i NATO-së, ishte vendim humanitar për shpëtimin e një populli të pambrojtur”, deklaron Tërnava.

Image
Hajrullah Tërnava

Sipas tij, deklarata e Jabllanoviç është vërejtje me qëllim të arritjes së qëllimit politik që serbët e Serbisë dhe të Kosovës të jenë të shqetësuar për situata të tilla.

“Thënia e udhëheqësit të Partisë Serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq se situata në veri ka potencial të përshkallëzimit, është një vërejtje e tanishme që e ka për qëllim me i arritë qëllimet e saja politike, dhe t’i bind serbët e Serbisë se edhe serbët e Kosovës janë të shqetësuar për situata të tilla, dhe kjo e thënë duhet ta ketë një efekt të politikanët dhe qeveritarët shqiptarë që të jenë më tolerant, dhe Serbisë t’i jepet ajo pjesë e veriut, që njëherë e përgjithmonë të vjen deri te pajtimi, sepse më në fund edhe serbët e Kosovës janë të interesuar që Serbisë t’i ndahet ajo pjesë e veriut. Sipas Jabllanoviqit edhe që Lista Serbe nuk është pjesëmarrëse për zgjedhjet, ajo mund të është pjesëmarrëse në pengimin e zgjedhjeve, gjë që është një mundësi e vërtetë, prandaj fajtori ndërkombëtar që deri tani non stop janë duke e përkëdhelur Serbinë me benifite të ndryshme ndaj Serbisë, edhe që nga paslufta e deri më tani në krye të shtetit serb, janë ata të cilët edhe në qeverisjen e Millosheviqit ishin në poste të larta si bashkëpunëtorë të tij si ministra, kryeparlamentar etj”, pohon eksperti.

Deri më tani në praktikë është konfirmuar se Serbia i përfillë vetëm vendimet e rëndësishme që prapa qëndrojnë shtetet e forta të botës, thotë Tërnava, duke shtuar se duhet ndërmjetësim.

“Tani është koha që Amerika dhe BE si shtete që po ndërmjetësojnë pajtimin mes këtyre dy shteteve, në këto raste të jenë më të vendosur dhe më të qartë në qëllimet e pajtimit të këtyre dy shteteve, sepse edhe marrëveshja e Kumanovës e arritur në ato kohëra të ‘99, dhe e nënshkruar nga Serbia, ka qenë e bazuar sipas kushtetutës të kufijve të vitit 1974, edhe që Serbia u ankua për këtë vendim të shpalljes së pavarësisë në Gjyq Ndërkombëtar të Drejtësisë (GJND), që u ankua Serbia, e që këtë vendim si të drejtë e konfirmoi GJND. Deri më tani në praktikë është konfirmuar se Serbia i përfillë vetëm vendimet e rëndësishëm që prapa tyre qëndrojnë shtetet e forta të botës sikur tani Amerika, Anglia, BE, prandaj thënia “se vetëm frika e vendos në dinë Serbinë”, tani ka kuptimin e saj të plotë”, thekson Tërnava.

Sjellja më e ashpër e faktorit ndërkombëtar do të jetë e frytshme për dialogun, shprehet Tërnava, duke shtuar se me këtë qasje konflikti mund të zgjas me vite të tëra.

“Prandaj, faktori ndërkombëtar duhet të sillet më ashpër ndaj Serbisë dhe nëse ka nevojë edhe ta sanksionojë Serbinë, e jo të bëjë investime marramendëse sikur deri më tani që kanë investuar në këtë shtet konfliktuoz, e kur krejt këto të mira që i janë bërë Serbisë, ajo po i keqpërdor dhe situata konfliktuoze kur të gjitha këto të mira që i janë bërë po i keqpërdor dhe situata konfliktuoze po zgjat edhe pas luftës mbi 23 vite, e që ky shtet në praktikë nuk po bindet me masat civilizuese- demokratike dhe pranë shumë nënshkrimeve të shumë vendimeve dhe marrëveshjeve që i ka bërë deri më tani me Kosovën, prapë se prapë konflikti i pa zgjidhur po zgjat. Një sjellje më e ashpër nga faktori ndërkombëtar që po i ndërmjetëson këto dy shtete për pajtimin e tyre do të ishte i frytshëm, e sidomos tani pas marrëveshjes së arritur në Ohër që vetë Serbia e konfirmoi marrëveshjen, dhe tani prapë se prapë ka të thëna nga Vuçiqi se nuk do t’iu përmbahet disa neneve të pëlqimit që janë arritur në Ohër, dhe me këtë që u tha deri më tani po konfirmohet konflikti që po zgjate me vite të tëra”, përfundon eksperti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat