Liberalizimi i vizave, këto janë përfitimet ekonomike që do t’i kenë qytetarët

Politika

Liberalizimi i vizave, këto janë përfitimet ekonomike që do t’i kenë qytetarët

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 22 prill 2023 Në ora: 08:16
Foto ilustrim

Të mërkurën në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u mundësuar qytetarëve lëvizje të lirë në Zonën Schengen më së voni nga 1 janari i vitit 2024.

Pas ceremonisë së nënshkrimit, raportuesi i Parlamentit Evropian për vizat për Kosovën, This Reuten, tha gjatë një konference për media se më së largu nga 1 janari i vitit 2024, shtetasit që kanë pasaporta të Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen.

“Ky vendim nuk është kuptimplotë vetëm për Kosovën, për shkak se të gjithë shtetasit e tjerë të rajonit kanë mundur të udhëtojnë, përveç Kosovës. Ishte i padrejtë, i paarsyeshëm dhe kësaj situate tashmë i ka ardhur fundi. Kosova ka punuar shumë për të plotësuar të gjitha kushtet dhe për t’i përmbushur ato para shumë vjetësh dhe tashmë po shpërblehet për këtë gjë. Por, nuk është vetëm moment i rëndësisë së madhe për Kosovën, por është me rëndësi edhe për ne, pasi BE-ja përfundimisht e përmbushi premtimin e vetë”, tha Reuten.

Ai shtoi se ky vendim hap kapitull të për integrimin e rajonit në bllokun evropian.

"Nuk mund t’ia falim vetes që të na ikë kjo mundësi për një kohë të gjatë. Duhet të punojmë që këtë rajon ta fusim në familjen tonë evropiane", tha Reuten.

Gjersa, hapi i fundit mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare, që pritet të ndodh pas 20 ditësh, njohësit e ekonomisë thonë se përfitimet ekonomike për qytetarët janë të shumëfishta, ndërsa Kosovës do t’i përmirësohet pozita ekonomike.

Përfitimet ekonomike

Njohësi i ekonomisë, Ilir Fetahu, thotë se liberalizimi do të sjellë përfitim të shumëfishtë për qytetarët e Kosovës.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën është lajm i mirë. Përfitimi për Kosovën dhe qytetarët e saj është i shumëfishtë, në radhë të parë mundësia e lëvizjes është njëra prej kritereve kyç në zhvillimin e përgjithshëm, si për personat e biznesit që ju hapen rrugët që të kontaktojnë më lehtë në vendet të cilat ata aspirojnë të bëjnë biznes, por në të gjitha resorët mundësitë janë që të jetë shumë më mirë dhe më shpejtë të arrihet qëllimet e veta”, deklaroi Fetahu.

Image
Ilir Fetahu

Gjersa, numri i të rinjve që braktisin vendin është i lartë në Kosovë. Sipas, ASK-së në vitin 2021 janë larguar 42 mijë persona, ndërsa Fetahu thotë se tashmë qytetarët e kanë mundësinë të shohin se nuk është “bash ashtu siç ata e mendojnë” jetën jashtë Kosovës.

“Eventualisht edhe qytetarët të cilët janë të pa kënaqur dhe dëshirojnë të shkojnë në Evropë, e kanë mundësinë që të shkojnë ta shohin, ta shohin që nuk është bash ashtu siç ata e mendojnë nga Kosova dhe të kthehen dhe të punojnë e të kontribuojnë në vendin e tyre”, shprehet Fetahu.

Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë - brenda gjashtë muajsh - në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Piraj: Lehtësimi i lëvizjes së njerëzve do të mundësojë edhe lehtësira në biznes

Biznesmeni Burim Piraj, thotë se liberalizimi i vizave do të krijojë lehtësira në biznes dhe në përmirësimin e pozitës ekonomike të Kosovës.

“Kosova ka qenë kohë të gjatë e izoluar nga Unioni Evropian, në të njëjtën kohë kanë qenë të vështirësuara dhe lëvizjet e afaristëve, është dashur të përgatiten shumë dokumentacione për të aplikuar për një vizë të biznesit, shpesh herë edhe janë refuzuar vizat pa asnjë arsyetim. Është rast shumë i veçantë nënshkrimi i MSA-së për qarkullim të lirë të mallrave e nga ana tjetër nuk ka gëzuar Kosova qarkullim të lirë të njerëzve. Lehtësimi i lëvizjes së njerëzve do të mundësojë edhe lehtësira në biznes bërjen dhe normal dhe në përmirësimin e pozitës ekonomike të Kosovës. Tani Kosova do të vendoset në shënjestër të investitorëve të mundshëm për të pasur mundësinë që të kenë qasje si në tregun Evropian ashtu edhe në lehtësirat që i gëzon Kosova. Nga një Janari pasaporta Kosovare do të renditen në një rang shumë më të lartë dhe do të jetë ndër vendet që mund të lëvizin pa vizë në shumë vende të botës”, shprehet Piraj.

Image
Burim Piraj

Përveç bizneseve, sipas Pirajt, edhe qytetarët do të kenë përfitime nga lëvizja e lirë.

Ai veçon pushimet që tashmë do të jenë më lirë për qyetarët.

“Por, jo vetëm biznesi por edhe qytetarët do të kenë përfitime nga lëvizja e lirë. Së pari udhëtimi për Turqi, Bullgari e Greqi do të kthehet në normale si në kohërat e arta, dhe biletat e aeroplanit do të lirohen sepse do të rikthehet udhëtimi me autobus në relacionet e lartë cekura. Viti 2024 nuk do të jetë shumë i mirë për turizmin Shqiptar dhe të Malit të Zi pasi që qytetarët e Republikës së Kosovës do të shpenzojnë pushimet në vende të cilat nuk kanë pas rast të udhëtojnë më parë”, deklaron ai.

Pavarësimi i mëtejmë ekonomik nga Serbia

Piraj, i cili është edhe idetor i fushatës “Besa Besë”, që synon vetëdijësimin e qytetarëve kundër konsumimit të produkteve serbe, thotë se liberalizimi mund të ketë ndikim me kauzën “mos bli prodhime serbe”.

Sipas tij, me liberalizim qytetarët nuk do të shpenzojnë mijëra euro për vizitë në Evropë.

“Liberalizimi i vizave do të ndikojë që qytetarët e Kosovës të pavarësohen edhe më shumë nga Serbia me vetë faktin se kanë ku të udhëtojnë lirshëm Sa i përket konsumit të prodhimeve serbe kohët të fundit po vërehet një vetëdijesim i qytetarëve dhe shumë familje i kanë braktisur dhe më nuk do të ketë kurrë rikthim, po ndoshta edhe liberalizimi do ketë një ndikim po nuk mendoj se do të jetë ndikim i madh sikur që është arritur me fushatën që po vazhdon të grupit “Besa Besë” me kauzën #mosbliprodhimeserbe.

Përfitime të tjera do të jenë që çdo qytetar me shumë pak para mund ta viziton Evropën, nuk do të jetë e nevojshme të shpenzohen mijëra EURO për një vizë e pastaj të futet në borxhe, ata të cilët do ta gjejnë veten mund edhe të punësohen në Evropë e ata që nuk e gjejnë vetveten atje shumë e kanë të lehtë kthimin në vend. Përfundimisht Evropa i ka bo një padrejtësi shumë të madhe Kosovës duke e mbajtur dy dekada të izoluar dhe procesi i liberalizimit është prej proceseve më bajate të pas luftës që shpesh edhe e ka demoralizuar këtë popull. Por ja që tani do të na kthehet shpresa se ndoshta Evropa do të jetë demokratike edhe ndaj Kosovës dhe Kosovarëve”, përfundon Piraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat