E kundërshtoi hapjen e “Urës së Ibrit”, vjen reagimi i ashpër ndaj Lajçakut: Duhet treguar vendin!

Politika

E kundërshtoi hapjen e “Urës së Ibrit”, vjen reagimi i ashpër ndaj Lajçakut: Duhet treguar vendin!

Nga: A.M. Më: 30 prill 2023 Në ora: 18:37
Miroslav Lajcak

Ditë më parë, në Kuvendin komunal në Mitrovicë të Veriut, u mor vendimi që të hapet ura mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve dhe lëvizje të lirë.

E për këtë vendim, nuk humbi kohë dhe reagoi edhe Lista Serbe, ku edhe lëshoi kërcënime se nëse kjo ndodh do të ketë incidente

Po ashtu, kundër këtij vendimi doli edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ku u shprehur i prerë për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, duke thënë se nuk është koha për ta bërë një gjë të tillë.

“Ne ende po na u duhet të përballemi me këtë përditë. Teksa flasim, në Mitrovicë ka pasur kërkesë që të hapet ura [Ura e Ibrit]. Atmosfera, dukshëm, nuk është që të ndodh një gjë e tillë”, deklaroi Lajçak, teksa tha se të dyja palët duhet të respektojnë vijat e kuqe të njëra-tjetrës.

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, foli profesori dhe njohësi i ccështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi.

Sipas tij, Urën e Ibrit, serbët e përdorin si pikësynim për ndarjen e Kosovës, e që për këtë tha se i ka ndihmuar Franca.

“Ura e Ibrit është bërë pikë ndarëse e pikësynimit serbo-madh për ndarjen e Kosovës dhe për aneksimin e kësaj pjese nga shteti serb. Këtë gjendje e ka krijuar kryesisht Franca. Madje, para intervemimit ushtarak të NATO-s me 1999, në ndarjen e komandimit të zonave në Kosovë, ka qenë kusht që veriu të bie nën komandën e Francës. Kështu edhe u bë.

Pas luftës u nda kjo pjesë e veriut të Kosovës me dakordimin e shtetit të Francës dhe kundër kësaj ndarje në vitin 1999/2000 qenë bërë nga shqiptarët demonstrata masive për unifikimin e tokës së Kosovës. Kjo, në atë botë nuk u lejua nga Franca, këtë e ndihmoi Hashim Thaçi me PDK-në e krijuar dhe Franca e ndau veriu e Kosovës. U dëbuan mbi 15 mijë familje shqiptare, u bë spastrimi i veriut, vendin e tyre e zunë militarët dhe kolonistët serbë”, deklaroi juristi.

Kelmendi, tha se që nga ajo kohë, de-facto u nda Kosova, ku edhe në pushtetin në veri u vendosën simbole të serbëve dhe Ura e ibrit u bë pikëndarëse.

Image
Muhamet Kelmendi

“Që nga ajo kohë është de-fakto Kosova e ndarë. Edhe kur u organizuan organet e shtetit u bë edhe de-jure ndarja, sepse të njëjtat forca serbo-mëdha të kohës së Millosheviçit u bënë policë, administratorë, gjyqtarë dhe prokurorë. U ndërrua vetëm uniforma, qëndrimet serbo-mëdha mbetën të njëjta. Ku, kjo gjë vazhdoi deri tash.

Në veri të Kosovës u ndërtua pushteti serbomadh, u vendosën simbolet çetnike dhe u caktuan vijat kufitare. Në këtë anë, ‘Ura e Ibrit’ u caktu si pikë ndarëse e interesave koloniale dhe raciste serbo-mëdha. Edhe pas pavarësisë së Kosovës, u vendos pushteti serbomadh, ku në pushtetin në veri të Republikës erdhën çetniket dhe mbeti ‘Ura e Ibrit’ pikëndarëse”, theksoi ai.

Këto zhvillime, juristi i lidhi me zgjedhjet në veri, ku vendimin për lirimin e ‘Urës së Ibrit’ e cilësoi si legjitim, ndonëse Lajccak e kundërshtoi këtë gjë.

“Tash u mbajtën zgjedhjet, doli një pushtet i ri demokratik, ku asamblistët e Mitrovicës së Veriut e nxorrën vendimin, me të cilin kërkohet lirimi për qarkullim mbi ‘Urën e Ibrit’.

Ky është vendim legjitim dhe ligjor, çdo veprim tjetër, qoftë nga UE, sikundër bëri i "madhi" Lajçak, duke kërkuar që ura mos të hapet, ashtu edhe forcat militare serbo-ruse në veri, duhet të kundërshtohen me forcën e ligjit”, shpejgoi Kelmendi.

Ndër të tjera, ai ia bëri me dije Lajccakut që askush s’mund t’ia përcaktojë Kosovës ligjet dhe vendimet.

“Nuk ka të drejtë askush që t’i përcaktojë Kosovës sjelljet brenda Republikës. Qëndrimet e pushtetit dalin nga ligjet në fuqi dhe Kushtetuta, ku mbi atë bazë jepet përgjegjësi.

Assesi nuk dëgjohen idetë sllavo-mëdha, as nga vetë z Lajçak. Atij dhe kujtdo duhet treguar vendi. Kosova është shtet dhe si shtet vepron brenda territorit të vetë sovran”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat