Thanë se Kurti ka ‘shkelur çdo vijë të kuqe’, kritikohen ashpër PDK dhe LDK – u përmendet kjo gjë nga e kaluara!

Politika

Thanë se Kurti ka ‘shkelur çdo vijë të kuqe’, kritikohen ashpër PDK dhe LDK – u përmendet kjo gjë nga e kaluara!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 3 maj 2023 Në ora: 11:52
Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku

Që nga ardhja në pushtet, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar disa takime ne presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Të gjitha këto takime janë realizuar në kuadër të bisedimeve Kosovë-Serbi, të cilat janë organizuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë takimeve të fundit, të dy palët pranuan propozimin franko-gjerman, ku në Ohër u arrit marrëveshja, por që nuk u nënshkrua shkaku i presidentit serb.

Ndërkombëtarët e kanë mbështetur kryeministrin Kurti për gatishmërinë e tij për të biseduar dhe arritur një marrëveshje finale mes dy vendeve.

Megjithatë, njëjtë si aleatët ndërkombëtarë nuk po mendojnë edhe dy partitë më të mëdha opozitare në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Kjo, pasi ato po konsiderojnë se me dakordimin në Ohër me Serbinë, kryeministri Albin Kurti ka shkelur çdo vijë të kuqe.

Nga PDK thonë se Kosova nga kjo marrëveshje e ka rolin zbatues e sipas tyre Serbia është kërkuese. Kurse nga LDK thonë se kanë frikë nga ajo se çfarë mund t’i sjell Kosovës kryeministri Kurti nga takimi i dy majti në Bruksel.

Theksojmë se, që nga ardhja në pushtet, opozita në vazhdimësi ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qasjen e tij ndaj dialogut me Serbinë.

Qarri: Këto dy parti opozitare, PDK dhe LDK, vazhdojnë të jenë më tepër në shërbim të Vuçiqit dhe Listës “srpska”

Image
Gani Qarri

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Fillimisht, ai kritikoi ashpër ish-pushtetarët dhe qasjen e tyre ndaj bisedimeve me Serbinë.

“Në fakt duke parë se, përveç kooketimit të pandërprerë me kryekriminelët e veriut si Milan Radojçiq, gjatë qeverisjes së Thaçit, Isa Mustafës e Ramush Haradinajt, edhe në institucionet shtetërore si dhe stacionet policore në veri të Kosovës, valonin vetëm flamujt shtetëror të Serbisë, PDK dhe LDK, janë shkatërrueset më të mëdha të çdo sensi shtetëror të Republikës së Kosovës, si dhe zhvatësit dhe abuzuesit më mëdhenj me ligjet dhe pasuritë e shtetit dhe të qytetarëve të varfër të Kosovës”, deklaroi analisti.

Qarri, u kthye pas në kohë dhe përmendi marrëveshjen e Asociacionit, ku për këtë i kritikoi ashpër Thaçin dhe Mustafën.

“PDK, gjegjësisht kryetari saj Hashim Thaçi, pa kaluar asnjë vit nga vendimi i GJND-së, e cila më 22 korrik të vitit 2010 vulosi edhe ndërkombëtarisht pavarësinë e Kosovës martire, që në fakt ishte edhe suksesi më i madh politik dhe historik, i shtetit të sapoformuar të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, ai i vendosi statusit të saj, "FUSNOTËN" famoze me të cilën neutralizoi tërësisht shtetësinë e vendit tonë.

Thaçi përveçse e ktheu Republikën e Kosovës, në vend me status të pazgjidhur politik, ishte pikërisht vet ai, që më 19 prill të vitit 2013 nënshkroi edhe marrëveshjen për "zajednicën" një etnike serbe, ndërsa më 25 gusht të vitit 2015 këtë e nënshkroi për së dyti edhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, kurse Avdullah Hoti, po i LDK-së, përkundër faktit që Danijela Vujiçiq ishte anëtare e partisë së Aleksandër Vuçiqit dhe deputete e Kuvendit të Serbisë, miratoi emërimin koordinatore të Ekipit Menaxhues për projektimin e “zajednicës””, deklaroi analisti.

Sipas tij, PDK dhe LDK kanë marrë vendime të rënda dhe të gabueshme për Kosovën, ku ndonëse kanë kaluar disa vite, vendi ynë ende përballet e pasojat e marrëveshjeve të tyre, siç është në këtë rast Asociacioni.

“Po këto dy parti, PDK e udhëhequr nga kuislingu Thaçi dhe LDK e kryesuar nga renegati jugo-komunist Isa Mustafa bashkë me dorën e zgjatur të Serbisë në Kosovë, të ashtuquajturën "listë serbe" që erdhi si produkt i marrëveshjeve të dëmshme në kurriz të Kosovës, ndërmjet Hashim Thaçit e Aleksandër Vuçiqit, miratuan edhe në Kuvend me shumicën absolute të votave "asociacionin" antikushtetues një etnik serb, të cilin Kushtetuesja e vendit tonë, me të drejtë hodhi poshtë, ngase binte në hiq më pak se 23 nene në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e shtetit dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

Prandaj vetëm mungesa e një drejtësie të mirëfilltë dhe prokurorie të njëmendtë, në Kosovë, u ka lejuar këtyre partive të inkriminuara të mbijetojnë politikisht dhe të mos denoncohen asnjëherë nga sistemi i drejtësisë së kalbur, që edhe sot po habit botën, me vendimet kaotike e kontroverse duke i dhënë reputacionin më të keq të mundshëm, shtetit të Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare, pa spastrimin rrënjësor të të cilës, Kosova, as që mund të bëjë një hap të vetëm, përpara në rrugëtimin drejt integrimit në BE”, theksoi ai.

Më tej, analisti tha se këto dy parti duhet të kenë ‘turp’, kur deklarojnë se Kurti ka shkelur ‘vijat e kuqe’ me arritjen e marrëveshjes në Ohër.

Ai vlerëson se këto kritika nuk kanë vlerë, pasi dihet se këto subjekte politike kanë dëmtuar vendin me qeverisjet e tyre.

“Madje po këto dy parti të çoroditura opozitare PDK dhe LDK, të cilat vazhdojnë të jenë më tepër në shërbim të Vuçiqit dhe Listës "srpska", se sa të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, pa të cilën nuk kanë mundur asnjëherë as të qeverisin, kanë guximin që të japin konstatime dhe konsiderojnë pa fije turpi, se kinse me marrëveshjen e dakorduar në Ohër me Serbinë, kryeministri Kurti, paska shkelur çdo vijë të kuqe, duke harruar shkeljen dhe tejkalimin e të gjitha vijave të kuqe nga ato vet, të cilat shkuan deri atje, sa ia lanë Kosovës kopil në derë, edhe "zajednicën" e cila edhe sot vazhdon ta rrezikojë Kosovën me ndarje.

Kështu që kritikat e tyre, të ashtuquajturës opozitë, jo vetëm që nuk kanë asnjë vlerë, kur dihet publikisht, se opozita e tanishme, përveçse për më tepër se një dekadë qeverisje jo vetëm që nuk kane arritur asgjë, por edhe kanë dëmtuar në mandatet e tyre, shtetin e Kosovës, në të gjitha mënyrat e mundshme, vetëm për të shpëtuar udhëheqësit e vet të shantazhuar, duke kërkuar edhe në ditët e sotme, dikush ndarjen e Kosovës, e tjetri asociacionin një etnik serb me kompetenca ekzekutive, sikur të ishin politikan të Serbisë dhe jo partiak të Kosovës”, shpjegoi Qarri.

Ndër të tjera, ai tha se këto parti ‘po frikësohen për dështimin e Vuçiqit’ në përpalljen e tij me Kurtin.

Madje, ai ua rikujtoi kohën kur sa ishin pjesë e qeverisë bashkëpunuan me Radojçiqin.

“Në fakt, PDK dhe LDK, po të brengoseshin vërtetë për Kosovën, në zhvillimet më të reja dhe jo të frikoheshin e përjetonin atakë kaq të rënda paniku, se dosti i tyre Vuçiq, do të dështojë në përballje me kryeministrin Albin Kurti, kur mbarë faktori ndërkombëtar, është i preokupuar dhe angazhuar maksimalisht që të arrihet deri te implementimi i marrëveshjeve të dakorduara, si opozitarë, që të paktën në letër, figurojnë të janë të këtij vendi, do te duhej të ishin shumë më bashkëpunuese me Qeverinë.

Dhe në këto ditë të vështira për vendin, do të kontribuonin që të fitojë Kosova dhe jo të dalë fituese Serbia fashiste dhe krimineli Aleksandër Vuçiq, i cili, nga sjelljet e opozitës, krijohet përshtypja, se ai ishte dhe mbetet edhe sot, udhëheqësi faktik edhe i PDK-së dhe LDK-së, për të mos thënë se shef i tyre ishte Milan Radojçiqi, me të cilin bashkëpunuan dhe kooketuan deri në ditët e sotme, duke valuar flamujt e Serbisë edhe në entet shtetërore dhe stacionet policore të Kosovës në gjithë veriun e vendit tonë, gjë që do të hyj dhe mbetet edhe në histori, si turpi i pashlyer për PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, me të cilat, pas Vettingut, sistemi i spastruar i drejtësisë, duhet me urgjencë të merret edhe ligjërisht”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Mehmeti: E turpshme, e neveritshme dhe e pafalshme, se si PDK e LDK ende nuk kanë reflektuar

Image
Faton Mehmeti

Kurse, edhe analisti tjetër politik, Faton Mehmeti kritikoi ashpër dy partitë më të mëdha opozitare në vend.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se ‘si kanë fytyrë’ këto parti ta kritikojnë Kurtin për marrëveshjet që i kanë arritur vetë.

“Për cilat vija të kuqe e kanë fjalën PDK dhe LDK. Si kanë fytyrë ta kritikojnë Kurtin për marrëveshjet të bëra nga vetë ata, Kurti është viktimë e marrëveshjeve të dëmshme nga LDK-PDK me Vuçiqin në Bruksel”, deklaroi ai.

Sipas tij, kjo është pafytyrësi, pasi ato do duhej të kërkonin falje për dëmet që ia shkaktuan vendi dhe jo të qaseshin në këtë mënyrë.

“Kjo është pafytyrësi, këto dy parti s’kanë asnjë fije të drejtë as morale me kritiku dikë për gjërat e bëra nga vetë ata. Në vend se të kërkonin falje për dëmet që i kanë bërë vendit, dhe pastaj të heshtin duke i ofruar qeverisë bashkëpunim, shpërfaqin pafytyrësinë. E turpshme, e neveritshme dhe e pafalshme, që ende s’kanë reflektuar duke vazhduar të mbesin në vend”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat