“Republika në rrezik”, çfarë po paralajmërohet pas takimit të 2 majit?/ Këtë gjë nuk duhet ta pranojë Kurti nga Serbia!

Politika

“Republika në rrezik”, çfarë po paralajmërohet pas takimit të 2 majit?/ Këtë gjë nuk duhet ta pranojë Kurti nga Serbia!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 4 maj 2023 Në ora: 18:13
Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga BE-ja. Pamje nga takimi i mbajtur më 2 maj në Bruksel.

Në takimin që u zhvillua në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuҫiq, nuk u arrit ndonjë marrëveshje për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

E vetmja marrëveshje që u arrit ishte dakordimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, për Personat e Zhdukur me Forcë.

Nga ana tjetër, një draft statut u prezantua nga një ekip menaxhues i themeluar nga qeveritë e kaluara të Kosovës, ekip ky të cilin e përbënin vetëm serbë, por ky draft, sipas shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrel, nuk është përfundimtar por vetëm i pari.

“Palët kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm për themelimin e Asociacionit. Kjo marrëveshje është dakorduar para dhjetë vitesh. Ekipi menaxhues i përbërë nga serbët e Kosovës ka prezantuar draftin e parë që nuk është përfundimtar. Përshëndes faktin që ky draft tashmë u hodh në tryezë”, tha Josep Borrel.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha pas takimit se draft-statuti i prezantuar nga ekipi menaxhues në takimin me presidentin serb, ka qenë "fundamentalisht i papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës”.

Kurti tha se ai ka propozuar një "draft-vizion” mbi kornizën që rregullon çështjen e komuniteteve jo shumicë në Kosovë.

Ai tha se ky draft statuti i Ekipit menaxhues (i shkarkuar të mërkurën) dëshmon dëshirën për “Republika Srbska” në Kosovë.

Mehazi: Nuk mund të tolerohen ambiciet e Vuçiqit për krijimin e një republike serbe

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Image
Profesori Sulejman Mehazi.

Ai u shpreh se është normale që kryeministri të mos pajtohet me draf-statuin pasi është në shkelje të kushtetutës së Kosovës dhe se Kurti nuk mund ta vazhdojë atë që Mustafa dhe Thaçi kanë nënëshkruar.

“Që para 2 majit të takimit në Bruksel është ditur se problemi më i madh i dialogut në mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiqit nuk do jetë pika e parë e të vrarëve të humbur e të pa gjeturve nga lufta, por pika e dytë e ndjeshme e asociacioneve serbe në Kosovë. Është shumë normale që kryeministri i Kosovës nuk është pajtuar me draft-statutin e errët të prezantuar nga ekipi menaxhues katër anëtarësh serbe të cilët kishin tejkaluar e degraduar kushtetutën e Kosovës për të krijuar një "Srpska republikë" brenda territorit të Kosovës në veri. Edhe vetë presidenti i Serbisë, Vuçiqi, pas takimit deklaroi se "Sot kemi ardhur te muri”, pasi Kurti nuk pajtohet me asociacionet e nënshkruar më 2015 nga ish-kryeministri i Kosovës Mustafa”, u shpreh ai.

Më tej, profesori thotë që Drafti Vizionar i Albin Kurtit për asociacionin serb në krahasim me draft-statutin e errët, nacionalist e shovinist të propozuar nga Serbia është më i kapshëm.

“Nuk mund të tolerohen ambiciet e Vuçiqit për krijimin e një republike serbe me kryeqendrën e saj në Mitrovicën e veriut, që do ishte i njëjtë sikurse kryeqendra e "Srpska republikës" në Bosnjë-Hercegovine me kryeqendrën e saj në Banjallukë. Edhe për vetë Lajçakun, Borrellin e BE-në Drafti Vizionar i Albin Kurtit për asociacionet serbe në krahasim me draft-statutin e errët, nacionalist e shovinist të propozuar nga Serbia është më i kapshëm, më i gjerë, më i hapur, më demokratik, po dhe i ngjashëm me llojet e asociacioneve të shteteve evropiane të propozuar dy muaj më parë nga vetë përfaqësuesi evropian Lajçaku. Drafti vizionar i kryeministrit të Kosovës e ka kuptimin e paqes e lirisë evropiane, kurse draft-statuti i Serbisë e ka kuptimin e luftës dhe robërisë së Kosovës nga Serbia ruse. Drafti vizionar i Kurtit është propozim demokratik evropian, gjersa draft-statuti i Serbisë është sunduese serbe-ruse”, nënvizoi Mehazi për “Bota sot”.

Kelmendi: Republika e Kosovës gjendet para një prove të madhe

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbsiedim me “Bota sot”, thotë që janë bërë dy gabime në deklaratën e miratuar për të zhdukurit dhe se u bë një ikje nga të dhënat e krimeve të luftës.

Image
Profesori Muhamet Kelmendi

“Në raport me shtetin serb, ditë më parë u paraqit në Bruksel, nga grupi punues i Kosovës, që përfaqësohej nga katër veta të grupit politik të kriminelit të luftës, Vuçiq draft statuti mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Paraprakisht u miratua deklarata mbi të “zhdukurit” nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000. Duke analizuar këtë deklaratë dalin dy shkelje të rënda që u bënë në kontekst të Kosovës. 1. Lufta ka përfunduar në Qershor të vitit 1999, e jo në dhjetor të vitit 2000. 2. Në këtë kohë, pas Qershorit 1999 e deri në dhjetor 2000 me rastet e veprave penale në Kosovë janë marrë organet e UNMIK-të. Qëndrim shumë të dëmshëm. Po kështu, me deklaratë apo marrëveshje të bërë në Bruksel, u ik nga e dhëna krimet e luftës. U pranua vetëm deklarata mbi të pagjeturit”, shpjegoi profesori.

Në fund, ai theksoi që është dashur të shkarkohet më herët komisioni ekipin menaxhues të draft-statutit të Asociacionit.

“Në Bruksel u paraqit një draftstatut për një shtet të ri serb në Kosovë. Tash po del se komisionin e caktoi Kosova, ndërsa përbërja ishte e shtetit serb. Anomali! Natyrisht se u shkarkua. Po ky shkarkim është dashur të bëhej me herët, para se të vijë të drafti. Kjo u lejua! Kosova nuk mund të lejoj një Asociacion ku krijohet një shtet i ri serb. Kështu de-fakto dhe de-jure shkatërrohet Republika e Kosovës. Në anën tjetër, nuk patëm reciprocitet në marrëdhënie me shtetin serb. U harrua Lugina e Preshevës dhe Sanxhaku! Më 2 maj u bë vazhdimi i punës së Qeverisë. Z.Kurti iku me “bisht nën këmbë" nga Brukseli. Republika është në rrezik”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat