“Tupanxhiu e surlaxhiu” - Profesori nga Amerika reagon ashpër ndaj Abdixhikut e Selmanajt pasi kritikuan Kurtin!

Politika

“Tupanxhiu e surlaxhiu” - Profesori nga Amerika reagon ashpër ndaj Abdixhikut e Selmanajt pasi kritikuan Kurtin!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 10 maj 2023 Në ora: 15:35
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti- kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Asociacioni dhe mënyra se si duhet të formohet ai vazhdon të jetë çështja mos pajtuese në mes palës së Kosovës dhe asaj serbe.

Në takimin e mbajtur në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel ishte paraqitur draft statusi i Asociacionit, i formuar nga Ekipi Menaxhues i tij.

Ky version nuk është pranuar nga kryeministri Kurti, i cili të nesërmen edhe ka shkarkuar Ekipin Menaxhues që në përbërje kishte Danijela Vujiçiq, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq

Drafti i Ekipit Menaxhues është kritikuar edhe nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i cili të martën ka thënë se ai është një shtet brenda shtetit dhe një propozim i tillë projekton federalizimin e Kosovës.

Kryetari LDK-së thotë se një organizim i tillë s’ka vend brenda rregullimit shtetëror të Kosovës dhe si i tillë duhet të refuzohet si bazë negociuese por edhe si ambicie politike.

Sipas Abdixhikut, s’do të ketë Qeveri, parti politike apo njeri që mund ta pranojë një organizim të tillë.

Ai thotë se ikja nga përgjegjësia sjell dokumente e koncepte të tilla sikurse propozimi për Asociacionin nga Ekipi Menaxhues.

“SHTET BRENDA SHTETIT. Dokumenti i draft-statutit, i përpiluar nga Ekipi Menaxhues, e i bërë publik në medie është më tepër se Asociacion dhe është më tepër se Autonomi – është shtet brenda shtetit; Republikë brenda Republikës. Ky draft-statut, në të 67 nenet e në nëntë kapitujt e tij, projekton Federalizimin e Kosovës si koncept të ri organizativ pas shpalljes së pavarësisë.

Një trup që nxjerrë ligje, menaxhon asete kombëtare, pasuri publike e burime natyrore, një trup që organizon zgjedhje, mbanë referendume e merr kompetenca nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës – nuk ka vend në rregullimin tonë shtetëror e kushtetues.

Si i tillë, ai jo vetëm që duhet të refuzohet si bazë negociuese por dhe të refuzohet si ambicie politike. Në Kosovë nuk do të ketë parti, nuk do të ketë qeveri e nuk do të ketë njeri që mund ta pranojë një organizim të tillë. Qeveria e Kosovës ndërsa, duhet të marrë pronësinë në procesin vijues. Asociacioni bëhet nga institucionet tona dhe atë vetëm brenda rendit tonë kushtetues. Çdo ikje nga përgjegjësia është dorëzim dhe çdo dorëzim sjellë dokumente e koncepte të tilla; siç ka ndodhur dhe me këtë tani”, ka thënë ai.

Ndaj Abdixhikut ka reaguar profesori nga Amerika, Binak Maxharraj, i cili thotë se ai ka filluar të luajë rolin e “tupanxhisë”.

Maxharraj shprehet se Abdixhiku nuk ka zbuluar asgjë të re me deklaratën e tij, duke ia kujtuar se atë e ka nënshkruar shefi i tij.

“Kur Abdixhiku i bie tupanit e Dritoni surlës?! Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka filluar të luajë rolin e tupanxhisë kur i bie tupanit në syfyr, kurse pas i shkon vazali i tij surlaxhiu Driton Selmanaj. Kryetari Abdixhiku në rolin e telallit me tupanin e tij paska thënë diçka të mençur që askush nuk e paska ditur deri më tani, ka thënë se dokumenti i përpiluar nga Ekipi Menaxhues, mbi çështjen e Asociacionit, është më tepër autonomi ‘’shtet brenda shtetit’’. Kurse surlaxhiu Driron Selmanaj paska hedhur akuza ndaj qeverisë Kurti se e gjithë angazhimi i tij paska qenë vetëm sa për të ardhur në pushtet duke shtuar se në Qeverinë e Abdullah Hotit, pjesë e së cilës ishte edhe ai, kishte qasje të mirëfilltë për dialogun dhe kjo na çoi deri në Washington, bile në Shtëpinë e Bardhë i shoqëruar edhe me mikun e LDK Richard Grenellin. Risi perfekte?! Së pari, sa i përket konstatimit të kryetarit të LDK Lumir Abdixhiku se “Ekipi Menaxhues mbi Asociacionin është tepër autonom ”shtet brenda shtetit””.

“Më këtë z. Abdixhiku nuk ka zbuluar asgjë të re, sepse Asociacionin me ”shtet brenda shtetit” e nënshkroi më 2015 ish- shefi i tij dhe shkatërruesi i LDK-së Isa Mustafa si anti kushtetues me 23 shkelje të kushtetutës, kurse atëherë Lumiri nuk e paska vërejtur fare që ky Asociacioni i Isa Mustafës në të cilin Vuçiqi po ngulë këmbë “na qenka shtet brenda shtetit”. Por, ish shefi i Lumirit, Isa Mustafa e me vonë edhe ish shefi tjetër i Lumirit bënë shkelje edhe më të rëndë kur pranuan aktin edhe më të turpshëm duke e emëruar Ekipin për menaxhimin e Asociacionit plotësisht serb nën përkujdesjen e Vuçiqit bile edhe duke e plotësuar përbërjen prapë me serbë, por edhe me ndonjë deputet të Parlamentit të Serbisë. Pra, çka ka pritur Lumiri se ky ekip do të shkruajë një draft të pranueshëm kur nuk e njohin pavarësinë e as shtetin e Kosovës”, shprehet Maxharraj.

Image
Binak Maxharraj

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se Qeveria Kurti e ka dëshmuar se e gjithë përpjekja e saj e gjatë opozitare ishte vetëm për pushtet.

Ai ka thënë se qytetarët e kanë parë që diskursi i tij ishte fiktiv.

“Qytetarët e kanë parë që i gjithë ai diskurs i këtij kryeministri paska qenë fiktiv. Krejt i paska pasur për të ardhur në pushtet”, ka thënë Selmanaj.

Selmanaj ka thënë se në Qeverinë e Abdullah Hotit, pjesë e së cilës ishte edhe ai, kishte qasje të mirëfilltë për dialogun.

“Në Qeverinë Hoti, ku isha unë, e ndërruam qasjen. Hoqëm taksën dhe hapëm mundësinë dhe ajo na çoi në Uashington. Strategjia jonë ka qenë do të diskutojmë për gjithçka, por s’do të merremi vesh për asgjë, pa u pajtuar për gjithçka”, ka deklaruar Selmanaj.

Por, sipas tij, kjo agjendë u dëmtua me Kurtin në krye të qeverisë. E për më shumë, sipas Selmanajt, Kurti përfundoi në agjendën e Serbisë.

“Kur erdhi ky kryeministër, e ndërroi tërë agjendën. Tha është i parëndësishëm dialogu, e pastaj rrëshqiti në dialog pa strategji, pa transparencë, pa llogaridhënie, e me gjasë përfundoi në agjendën e Serbisë”,  u shpreh Selamanaj.

Duke komentuar deklaratën e Selmanajt, Maxharraj, thotë se LDK për të ardhur në pushtet i ka shkelur parimet e veta dhe ka bërë koalicion me PDK-në.

Ndërsa, sipas tij, Hoti është i vetmi kryeministër i cili ka hyrë në zyrën më të fuqishme të botës, është pajtuar për heqjen e pikës së 10 që synonte njohjen reciproke dhe ia lanë Kurtit asociacionit e marrëveshje tjera të dëmshme.

“Telalli tjetër i LDK dhe servil i Lumirit, Driton Selmanaj e paska kritikuar qeverinë Kurti se i gjithë qëllimi i tij paska qenë vetëm sa për të ardhur në pushtet duke theksuar se me qeverinë Hoti gjithçka paska ndryshuar në dialog me strategji të qartë, e cila strategji i çoi edhe deri në Washington, pikërisht në Shtëpinë e Bardhë me një strategji të qartë duke i ngreh për hunde Richard Grenelli kryekëput për interesa elektorale, sepse presidentit Trumb po binin votat, që me vonë edhe i humbi zgjedhjet, kurse tashti po sorollatet nëpër gjykata. Por, sikur paska harruar z Selamanj strategjiku se për të ardhur në pushtet LDK i shkeli të gjitha parimet dhe qëndrimet e anëtarësisë, thoshte se nuk do të bëj koalicion me PDK-në, por i tradhtoi Isa Mustafa edhe natën iku dhe iu rras në gji PDK-së duke formuar qeverinë e koalicionit dhe më pastaj e hodhi edhe amanetin e presidentit historik Ibrahim Rugovës se “nuk duhet LDK ta ndihmojë Thaçin të bëhet president”. Isa Mustafa si një anti rugovist i përbetuar, e anashkaloi për interesat e tij personale këtë amanet. Ishte i vetmi Hoti ai që në zyrën më të fuqishme të botës në Zyrën Ovale hyri bashkë me vrasësin e bashkëkombësve të tij, çfarë s’ka ndodhur asnjëherë që një vrarës me të cilin ka luftuar Amerika dhe e ka shkatërruar të pranohet në Shtëpinë e Bardhë. Çfarë strategjie zhvilloi Hoti atje kur pranoi të hiqet pika e 10-të e njohjes, këto janë turpe dhe skandalet e LDK-së që ia kanë lënë qeverisë Kurti si kopil te dera me të cilat po ballafaqohet që t’i heq apo t’i zvogëlojë ndikimin e tyre. Në vend se të turpërohen për dëmet që LDK së bashku me PDK-në ia bënë shtetit me asociacionin, por edhe me demarkacionin me Malin e Zi, ata sot paraqiten si azgana sikurse krenohen me të bërat e partisë së tyre”, shton Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat