“Ky është vetëm fillimi”, paralajmërim jo i mirë për ish-krerët e UÇK-së në Hagë – ja çfarë do të ndodhë me dëshmitarët!

Politika

“Ky është vetëm fillimi”, paralajmërim jo i mirë për ish-krerët e UÇK-së në Hagë – ja çfarë do të ndodhë me dëshmitarët!

Nga: A.M. Më: 12 maj 2023 Në ora: 20:59
Ish-krerë e UÇK-së

Katër dëshmitarët e parë në procesin gjyqësor kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë, i kanë dhënë dëshmitë e tyre në seanca kryesisht të mbyllura.

Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

Ata po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

E në lidhje me këtë çështje për gazetën “Bota sot” foli juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Fillimisht, ai u shpreh se Specialja u detyrua të themelohej për faktin se drejtësia në Kosovë kishte dështuar.

“Në mungesë të një ambienti të përshtatshëm për një drejtësi të pavarur dhe kredibile, si dhe nën ndikimin e disa faktorëve tjerë, nën presionin e faktorit ndërkombëtar, e në veçanti të SHBA-ve, Kuvendi i Kosovës, duke i krijuar kushtet me ndryshimet Kushtetuese, themeloi Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, si gjykatë nën juridiksionin e Kosovës.

Në fakt, nga njera anë, drejtësia në Kosovë kishte dështuar, e kapur nga politikanët e papërgjegjshëm, të cilët i kishin vendosur bashkpartiakët dhe njerëzit e tyre në Prokurori dhe Gjyqësi, kurse nga ana tjetër, vet ata , të akuzuarit e Hagës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ishin konsideruar nga Prokuroria Speciale si « peshqit e mëdhenjë », që kanë mund të jenë drejtpërdrejt apo tërthorazi të implikuar në krime lufte ndaj popullatës civile, gjatë periudhës kritike 1998 – 2000, po ashtu çoi në themelimin e kësaj gjykate”, deklaroi juristi.

Image
Juristi nga Belgjika, Skënder Musliu.

Musliu vlerësoi prokurorët dhe gjyqtarët e Speciales, që sipas tij janë mjaft kredibil dhe po i mbrojnë identitetet e dëshmtiarëve, në mënyrë që të mos jenë subjekt i keqtrajtimeve.

“Në këtë gjykatë, përkundër asaj të Kosovës, janë përzgjedhur prokuror dhe gjyqtar kredibil, profesional, me integritet, me përvojë dhe të paanshëm, duke i krijuar të gjitha kushtet e nevojshme për ndarjen e drejtësisë sipas Ligjit, e jo sipas porosive politike.

Mirëpo, përveç tjerash, e në veçanti pranë kësaj gjykate, janë marrë në mbrojtje dëshmitarët, të cilët konsiderohen si « thembra e Akilit » apo si pjesa më vulnerablë e procesit gjyqësor, lidhur me nxjerrjen e provave. Duke marrë parasysh se ka mbi 300 dëshmitarë, flet mjaft për rëndësinë e tyre, e mbi të gjitha sepse, sipas Prokurorisë Speciale, këta dëshmitarë kanë qenë subjekt i keqtrajtimeve të supozuara, andaj sigurimi dhe mbrojtja e identitetit të tyre është principale për proçesin gjyqësor. Kjo nga fakti se jo rrallëherë, ka patur ndikim në prishjen e provave, frikësim të dëshmitarëve si dhe supozohen disa vrasje të dëshmitarëve potencial të Gjykatës Speciale”, nënvizoi ai.

Më tej, juristi nga Belgjika e pranoi se mbajtja e seancave të mbylluar e dëmton transparencën, por në raste të caktuar duhet ruajtur balaca mes anonimitetit dhe transparencës.

“Prandaj mbrojtja e dëshmitarëve ka rëndësi të veçantë, madje disa nga ata, për shkak të sigurisë personale dhe familiare, do t’iu ndryshohet edhe identiteti dhe mund të strehohen në ndonjë vend të BE-së, për shkak të represalieve të mundshme. Pikërisht për shkak të fragjilitetit të dëshmitarëve si dhe rëndësisë në shpalosjen e argumenteve, që mund të jenë decizive në vendimmarrje, një pjesë e seancave gjyqësore mbahen me « dyer të mbyllura » për publikun, ose dëshmitë jipen në anonimitet. Është e vërtetë se kjo mënyrë e mbajtjeve të seancave, prish balancin e transparencës së procesit gjyqësor, por vetëm për publikun, sepse palët janë pjesë e proçesit.

Mirëpo kur transparenca është e arsyeshme dhe në interes të dyja palëve dhe proçesit gjyqësor, mund të aplikohen seancat e mbyllura, gjithnjë duke e ruajtur balancin e nevojshëm”, nënvizoi Musliu.

Gjithashtu, ai tregoi se si prokuroria arrinë deri te vendimi që seancat në proceset gjyqësore të mbahen të mbylluara dhe cili është qëllimi i tyre.

“Seancat e mbyllura për publikun janë dukuri që përvoja juridike vendore dhe ajo ndërkombëtare, në raste specifike, e praktikojnë nëse ajo është në interes të palëve dhe kur ajo balancon transparencën dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. Është me rëndësi të theksoj se mbrojtja e dëshmitarëve dhe gjithçka që lidhet me t’a, rregullohen me dispozita të ndryshme ligjore e sidomos me ato të procedurës penale, që gjykatës i japin një liri të gjërë për mbrojtjen e dëshmitarëve.

Për seancat e mbyllura, private, redaktimin e dokumenteve, informacioneve dhe dëshmive, vendosë gjykata, rast pas rasti, me qëllim që të mbrohet identiteti dhe siguria e dëshmitarëve ose viktimave”, shpjegoi juristi.

Në fund, Musliu shtoi se ky është vetëm fillimi i procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, por që kështu pritet të mbahen edhe seancat e tjera në vazhdim.

“Procesi gjyqësor kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit sapo ka filluar, dhe për shkak të senzivitetit, pritshmërive, sigurimit të provave dhe dëshmitarëve, një pjesë e mirë e seancave gjyqësore po mbahen të mbyllura për publikun, dhe fatkeqësisht kjo përvojë edhe në të ardhmen do të vazhdojë, që në një masë, mund t’a cenojë transparencën, që është një kriter kryesor për ndarjen e drejtësisë”, përfundoi Skënder Musliu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat