“Zhgënjim i madh”, vjen deklarata e fortë: Jo vetëm Serbia, ja dhe kush po e pengon Kurtin!

Politika

“Zhgënjim i madh”, vjen deklarata e fortë: Jo vetëm Serbia, ja dhe kush po e pengon Kurtin!

Nga: A.M. Më: 27 qershor 2023 Në ora: 08:19
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq

Kosova po përballet me zhvillime të shumta, ku ato në komunat veriore kanë marrë vëmendjen më të madhe.

Serbia me grupet e saj kriminale po tentojnë të destabilizojnë situatën për qëllime puro politike.

Fatkeqësisht, në përballje me shtetin serb, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk po e ka mbështetjen e partive opozitare, të cilat zëshëm po e kritikojnë atë, madje edhe ka pasur tentativa për mocion mosbesimi për shkarkimin e tij.

Opinionisti Dedë Preqi në një prononcim për gazetën “Bota sot” tregoi dy faktorët kryesore që po e pengojnë zhvillimin e Kosovës.

Së pari, ai tha se përveç Vuçiqit të Serbisë, faktor tjetër që po ngadalëson çdo çështje që shkon në favor të vendit tonë është opozita.

“Në shtetin e Kosovës, ekzistojnë  dy faktorë kryesor, që po e pengojnë zhvillimin dhe ndërtimin e shtetit të ri demokratik, njëri është faktori i jashtëm, i cili ka përvojë shekullore, që është Serbia, e cila po i shfrytëzon me përkushtim brishtësitë tona politike përmes ndasive partiake, që është faktori i dytë, duke e ngadalësuar çdo çështje që pritej të shkon në favor të Kosovës dhe ndikimi i saj në këto relacione, e ka vënë shpeshherë këtë vend në sprova të ndryshme dhe në qarqet ndërkombëtare”, deklaroi opinionisti.

Krahas kësaj, Preqi u shpreh se shteti serb edhe pas çlirimit të Kosovës vazhdon me propaganda e saj dhe “mitet e qelbura”.

Image
Opinionisti Dedë Preqi

Ai vlerësoi se faktori serb me politikat e tyre po ndikon jashtëzakonisht shumë te serbët e Kosovës.

“Ndikimi i sjelljes së Serbisë ndaj Kosovës edhe pas çlirimit të saj, mbetet po aq aktive, sa do të ndikonte në çrregullimin e marrëdhënieve të saj me bashkësinë ndërkombëtare, duke zbehur njohjet e Kosovës, nga shumë vende të botës, edhe pse shembulli i shtetit të ri demokratik i këtij vendi, do të ndikonte më shumë dhe fuqishëm nga vendet më të forta dhe më të fuqishme të botës, duke e njohur shtetësinë e saj.

Faktori Serbi, po ndikon fuqishëm në pjesën veriore të Kosovës, që është e banuar me shumicë serbe, të cilët marrin të gjitha predikimet dhe këshillat nga Beogradi dhe Vuçiqi, madje edhe shpresat e këtij populli varen nga politika e miteve të qelbura serbe, duke mos hequr dorë nga e kaluara, si një epidemi shekullore serbe, pa menduar se e ardhmja e tyre duhet të jetë Kosova dhe jo Serbia”, nënvizoi ai.

Për këtë veprime të Serbisë, opinionisti në pjesë të faji ia hodhi bashkësisë ndërkombëtare dhe tolerimeve të tyre përballë tekeve të shtetit serb.

“Serbia akoma i fsheh edhe 1700 kufoma të shqiptarëve, të cilët u vranë dhe u kidnapuan në trollin e tyre stërgjyshor, që nuk u zbuluan dhe identifikuan deri në këto ditë, duke ua humbur gjurmët e tyre të krimit, por për këtë është fajtore edhe bashkësia ndërkombëtare, gjegjësisht ajo evropiane, të cilat nuk u treguan aq të përkushtuara, që Serbinë duhej shtrënguar dhe kushtëzuar për këto teke të saj, që janë sjellje jo humane dhe procese të dhimbshme për familjet e atyre që i presin me vite të tëra kufomat e të afërmeve të vet”, theksoi Preqi.

Ndër të tjera, ai fajësoi edhe opozita për qasjen e saj kundër Kurtit dhe qeverisë së tij, në një moment shumë kritik për Kosovën, ku Serbia nuk po i ndal synimet fashiste ndaj Kosovës.

Opinionisti potencoi se partitë opozitare po e shfrytëzojnë qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj kryeministrit, dhe po i dalin kundër Kurtit.

“Mirëpo, për fat të keq, faktori tjetër që po ndikon dhe po i përmbush ëndjet e Serbisë dhe ato të kriminelit Vuçiq, është edhe faktori i brendshëm kosovar, gjegjësisht roli i opozitës, e cila po i shfrytëzon presionet dhe akuzat ndaj qeverisë së Kosovës, që po i bëhen nga ana e Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar, dhe ndjeshëm edhe brengosjen dhe shqetësimin e këtij populli, për ta kthyer vëmendjen kundër kryeministrit dhe qeverisë Kurti.

Dhe para se gjithash faktori partiak dhe politika e brishtë e tyre, e cila do hapte plagë të reja në shoqërinë kosovare dhe qeverisjen e vendit, është zhgënjimi më i madh që i bëhet një populli që nuk e priti, sidomos pas pavarësisë së vendit të vet, që është edhe eksperienca e dobët, të cilën populli nuk mund ta kalon lehtë, duke u përballur çdo ditë e më shumë me kushtet e dobëta sociale dhe ekonomike, dhe për popullin është pakëz vështirë të kuptojë kohën në të cilën jemi, kur duke shikuar para,  i duket se po përjeton një ëndërr të keqe, duke pritur se një ditë këto ëndrra do të shndërrohen në ato më të mira”, përfundoi opinionisti Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat