Biserko e ashpër me ndërkombëtarët: E tepërt që po e fajësojnë Kurtin, ja ç’do të ndodhë nëse serbët formojnë vet Asociacionin

Politika

Biserko e ashpër me ndërkombëtarët: E tepërt që po e fajësojnë Kurtin, ja ç’do të ndodhë nëse serbët formojnë vet Asociacionin

Nga: A.Zh Më: 27 qershor 2023 Në ora: 10:00
Sonja Biserko

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se shtetet ndërkombëtare, po i bëjnë presion më shumë Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, për situatën në veri të Kosovës.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, Biserko ka deklaruar se janë të tepërta kërcënimet e Perëndimit, për sanksione ndaj Kosovës, për shkak se ata u zhgënjyen, pasi dialogu nuk u solli zgjidhjen që prisnin.

“Është e vërtetë që Perëndimi po i bën më shumë presion qeverisë së Kosovës, të paktën kështu duket sipas deklaratave të BE-së dhe SHBA-së dhe se fajin po ia kalon Kurtit për situatën aktuale në Kosovë. Madje kanë paralajmëruar masa ndaj Kosovës, kanë kërcënuar se do të vonojnë liberalizimin e vizave etj. Mendoj se kjo është e tepërt. Kjo kryesisht për shkak se ata prisnin që dialogu të sillte zgjidhje, por gjërat morën një drejtim tjetër dhe rrjedhimisht erdhi zhgënjimi i tyre”, është shprehur ajo.

Sipas saj, ndërkombëtarët po bëjnë gabime për të gjithë rajonin, me dëshirën për të tërhequr Serbinë në anën e tyre.

“Në dëshirën për të tërhequr Serbinë në anën perëndimore duke e qetësuar atë, bëhen gabime për të cilat reagon i gjithë rajoni. Shumë në rajon besojnë se kjo është e padrejtë dhe se të qetësosh vazhdimisht Beogradin në thelb do të thotë të mbështesësh botën serbe. Ky është sigurisht një përfundim i ekzagjeruar, por reflekton zhgënjimin e të gjithë rajonit”, ka thënë më tej kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

E pyetur se çfarë mund të bëjë Prishtina tani për të ndryshuar mendjen për politikën amerikane dhe evropiane, Biserko i ka sugjeruar kryeministrit Kurti, që të pajtohet për lëvizjet e tij me SHBA-në, BE-në dhe KFOR-in.

“Mendoj se kryeministri duhet të pajtohet për lëvizjet e tij me BE-në, SHBA-në dhe KFOR-in, sepse prej tyre varet siguria e Kosovës. Pikëpamjet e tij janë të sakta, por ai duhet të marrë parasysh realitetin dhe faktin që Beogradi përdor çdo situatë për të akuzuar Prishtinën se dëshiron luftë. Në këtë kuptim, Vuçiq madje paralajmëroi se nëse kalojmë kufirin “nuk do të kthehemi”. Deklarata të tilla shqetësojnë serbët në Kosovë dhe krijojnë një atmosferë të gjoja "pogromit" të tyre. Presidenti Vuçiq tha se serbët në Kosovë do të marrin “vendime aktive” në periudhën e ardhshme, pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë”, ka potencuar Biserko për “Bota sot”.

Ajo ka thënë se nëse serbët në Kosovë, formojnë në mënyrë të pavarur një Bashkësi të Komunave me shumicë serbe, kjo do të jetë një përsëritje e formimit të “Rajoneve Autonome Serbe” (SAO) nga fillimi i viteve 1990.

“Gazeta e përditshme Blic raportoi se serbët nga Kosova do të formojnë në mënyrë të pavarur një Bashkësi të Komunave me shumicë serbe. Nëse serbët e ndërmarrin këtë hap, do të jetë një përsëritje e formimit të “Rajoneve Autonome Serbe” (SAO) nga fillimi i viteve 1990. Ato ishin një prelud i agresionit të Serbisë kundër Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës në 1991 dhe 1992”, ka shtuar Sonja Biserko./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat