Ngritet alarmi, zbardhen planet e Vuçiqit për manifestimin e “Vidovdanit” – ja çka do të ndodhë nesër në veri të Kosovës!

Politika

Ngritet alarmi, zbardhen planet e Vuçiqit për manifestimin e “Vidovdanit” – ja çka do të ndodhë nesër në veri të Kosovës!

Nga: A.M. Më: 27 qershor 2023 Në ora: 11:53
Aleksandar Vuçiq

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ditë më parë paralajmëroi se serbët “do të marrin hapa për lirinë e tyre” për Vidovdan më 28 qershor.

Vuçiq foli për manifestimin që bëhet për Vidovdanin në një konferencë për media në Beograd, nga ku dha këtë paralajmërim.

“Kam biseduar me përfaqësues të serbëve, me përfaqësues të dëshpëruar të serbëve dhe njerëzit duan ta ruajnë paqen, por nuk dinë ta ruajnë atë. Por jam shumë i sigurt se ata do të udhëheqin lëvizje aktive. Vidovdani është një ditë e rëndësishme në historinë serbe. Në Vidovdan çdo gjë është e dukshme, siç thotë populli ynë, ndërsa në Vidovdan, serbët, jam shumë i bindur, do të hedhin hapat e tyre në mënyrë paqësore në rrugën drejt lirisë së tyre”, tha Vuçiq.

Për atë se çfarë do të bëjë Serbia, Vuçiq tha se “nuk do ta informojmë më askënd”, përveç, siç tha ai, “ngritjes apo uljes së gatishmërisë luftarake”.

Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” tha se shteti serb cilësohet nga ndërkombëtarët si një rrezik për hapje të një fronti të ri të luftës, pas Ukrainës.

Ai përmendi disa nga vendet ku Serbia mund të hap fronte të luftës.

“Në kuadër të politikës gjeostrategjike të SHBA-ve dhe NATO-s, Kosova është një pikë e vogël që nuk ka ndonjë peshë në ndikimet gjeostrategjike.

Me luftën në Ukrainë, Serbia ka marrë një pozitë shumë më të favorshme, se sa shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor. Serbia shihet nga NATO dhe SHBA-të si rrezik i një fronti të ri të luftës në këtë rajon.

Serbia ka aftësi dhe kapacitete të krijoj konflikte luftarake në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni të veriut. Në këto shtete, kurdoherë, sa ka dëshirë Serbia, hap front”, deklaroi profesori.

Sipas Kelmendi, Serbia duke e parë pozicionin e saj po vazhdon ta përdorë atë si kërcënim ndaj Perëndimit.

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi

Ai tha se shqetësuese janë edhe raportimet se në Serbi po prodhohen armë për Ukrainën, kjo nën kontroll të NATO-s.

“Këtë pozitë e ka kuptuar shteti serb, prandaj po e përdorë mirë dhe si kërcënim ndaj perëndimit, përkatësisht SHBA-së, BE-së dhe NATO-s.

Këtu qëndron edhe fakti pse Serbia po ledhatohet nga BE dhe nga SHBA. Edhe si shtet, pavarësisht masave, nuk po akuzohet nga jashtë.

Fakt tjetër është edhe ideja që po qarkullon se në Serbi është një industri e luftës që ka filluar nën kontrollin e NATO-s të prodhojë armë për Ukrainën. Nëse kjo qëndron, kuptohet se pozita e Serbisë është mjaftë domethënëse. Këtej, priten veprime konkrete në drejtim të ndërtimit të "botës serbe". Koha po punon për këtë”, theksoi ai

Kurse, sa i përket deklarimeve të Vuçiqit në lidhje me manifestimin e Vidovdanit, profesori parashikoi se nesër, me 28 qershor, veriu i Kosovës të shpallë autonominë e vetë.

“Me datën 28 qershor është Vidovdani, një datë shumë e "rëndësishme" e shtetit serb. Me këtë datë lidhet edhe Beteja e Kosovës, një mit artificial i krijuar nga serbët për ‘Kosovën serbe’, mbi të cilën po ndërtohet "bota serbe".

Në kontekst të "botës serbe" me 28 qershor pritet që veriu i Kosovës të shpallë autonominë e vetë politiko-organizative dhe shtetërore. Me atë edhe organet e shtetit”, theksoi Kelmendi.

Ndër të tjera, ai shprehu shqetësim se në bazë të deklaratave të presidentit serb, po duket se ai ka marrë ‘dritën e gjelbër’ për veprim nga ndërkombëtarët për veprim në veri të Kosovës.

“Ky sihariq i kriminelit të luftës Vuçiq tashmë dihet. Në këtë rrugë, - thotë krimineli, - "Serbia nuk do të informojë  askënd për asgjë (...). Serbët do të ndërmarrin  çdo gjë në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, pa e rrezikuar paqen”.

Dhe vazhdon: “Populli ynë është nën sulm të ashpër nga vrasësit, hajnat dhe mashtruesit. E di mjaftë mirë se sa të vegjël jemi në krahasim me vendet e NATOS-s, por kjo është rruga e mbijetesës së popullit tonë”.

Këto thënie tregojnë se shteti serb e njeh faktorin ndërkombëtar dhe duket se ka edhe drite të gjelbër për të vepruar në organizimin e komunave në veri të Kosovës”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat