Padurimi i BE-së për deeskalimin e situatës, konferenca ndërkombëtare e papranueshme - kjo duhet të jetë zgjidhja

Politika

Padurimi i BE-së për deeskalimin e situatës, konferenca ndërkombëtare e papranueshme - kjo duhet të jetë zgjidhja

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 30 qershor 2023 Në ora: 10:17
Tensionet e fundit në veri të Kosovës

Situata në veri tash e javë të tëra vazhdon të jetë tensionuese. Për shtensionim të situatës thirrjet janë të shumta nga ndërkombëtarët.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, të martën ka thënë se shtetet anëtare të Unionit janë duke e humbur durimin me situatën në Kosovë, duke thënë se kërkohen veprimet të shpejta për të ulur tensionet

Ai këtë deklaratë e bëri pas një takimi me kryeministrin shqiptar Edi Rama, të cilin e falënderoi për “përpjekjet dhe mbështetjen për të gjetur një zgjidhje” për situatën në Kosovë.

“E bëra të qartë dhe ky është edhe pozicionimi i shteteve anëtarë – që palët duhet të deeskalojnë situatën dhe të gjejnë një zgjidhje përpara në bazë të një udhërrëfyesi evropian që i është propozuar atyre në tavolinë javën e kaluar”, tha Borrell në konferencën e përbashkët për media me Ramën, duke shtuar se kërkohet urgjencë për të shtensionuar situatën.

“Shtetet anëtarë kanë pajtim për këtë urgjencë dhe janë duke e humbur durimin ndaj kësaj situate që po vazhdon dhe kërkohen veprime të menjëhershme”.

Analistët politikë thonë se durimi duhet të jetë racional dhe në pozicion të padurueshëm duhet të jenë shqiptarët e Kosovës që tolerojnë aq shumë krimogjenët serbë.

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se durimi fiton dhe jo joracionaliteti.

Burjani: Sanksionet s’duhet ta izolojnë Kosovën

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, procesi sanksionues mund të sjellë rezultate.

“Padurimi duhet të mbetet gjithmonë, durimi duhet të jetë racional, duhet të ekzistojë durimi derisa ekziston politika dhe konflikti, durimi fiton e jo jo racionaliteti dhe nervoza, pra duhet të ketë durim. Bota ka përjetuar dhe përjeton konflikte edhe më të mëdha me vitet të tëra, procesi sanksionues mund të sjellë rezultat, edhe ai vetëm ekonomik ndalje të integrimit në BE, kjo edhe për Kosovën edhe për Serbinë. Të dyja palët nëse nuk do të kenë ndihma financiare, por nuk duhet të ketë izolim, sepse do të sjellë pezmatim tek palët”, shprehet Burjani.

Mehazi: Qeveria e Kosovës me Albin Kurtin e kanë humbur durimin me Borrellin

Ndërsa, analisti politik Sulejman Mehazi, thotë se Borrellit duhet t’i bëhet me dije që qeveria e Kosovës me Albin Kurtin e kanë humbur durimin.

Ai përmend edhe Katoloninë dhe pa durimshmërinë e tyre ndaj “Spanjës së Borrellit”.

“Shefit të Diplomacisë së Jashtme për Siguri dhe Paqe të BE-së, Josep Borrelit, ia bëjmë me dije se përkundrazi Qeveria e Kosovës me Albin Kurtin e kanë humbur durimin me te i cili turprisht përkrah terroristët, kriminelët, sulmuesit, plumbagjuajtësit ndaj KFOR-i dhe policisë së Kosovës krimogjenët serbë në veri të Kosovës. Të padurueshëm ndaj Spanjës së tij janë edhe katalonasit të cilët janë më shumë se pesë milionë banorë brenda Spanjës së Borrellit e kurrsesi Kataloninë nuk e lejojnë të bëhen e pavarur e republikë më vete. Budallai Borreli për veriun me 4% serbë bëhet i mençur për asociacionin e pavarura serb në Kosovë, kurse për pesë milionë katalonas në Spanjë bëhet budalla për mos dhënien e Republikës së Katalonisë”, shprehet Mehazi.

Tutje, sipas tij, në vend të padurueshëm duhet të jenë shqiptarët për shkak të të drejtave të serbëve.

“Në vend që të padurueshëm të jenë shqiptarët e Kosovës që tolerojnë aq shumë krimogjenët serbët që ua kanë dhënë të drejtat kushtetuese maksimale në Kosovë, bile shumë më të drejta gjuhësore, juridike, ekonomike e kulturore kanë 4% të serbëve në Kosovë sesa pesëmilionëshi i katalonasve në Spanjë. Shtensionimi është aty te qeveria e Kosovës që ju ka dhënë të drejta kushtetuese e të barabarta njësoj sa shqiptarët shumicë, por vetë Borrelli e klika e tij e BE-së e mbajnë veriun të tensionuar. Vetë Borrellat e BE-së bëjnë tensione në veri duke përkrahur krimogjenët serbë në veri, kurse në anën tjetër kërkojnë shtensione nga kryeministri i Kosovës, Kurti?!”, thekson Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama ka dhënë propozim për një konferencë të nivelit të lartë, që palët të bisedojnë dhe të mos dalin nga dhoma pa zgjidhje në të kundërtën do të përballen me pasojat.

Mbështetës të idesë së Ramës ka dalë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, mbështeti idenë për një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, me qëllim uljen e tensioneve mes tyre.

Michel i bëri komentet në prag të një samiti të BE-së.

“Dua të them se ne e mbështesim edhe idenë për të organizuar, sa më parë që të jetë e mundur, një konferencë – së bashku me disa shtete anëtare të BE-së”, tha Michel, duke theksuar edhe nevojën e koordinimit me SHBA-në.

Ideja për konferencë ndërkombëtare, e kotë

Ndërsa analistët politikë thonë se kjo është ide koti dhe kurrfarë ideje.

“Nuk është kurrfarë ideje kjo që të ketë konferencë të përmasave ndërkombëtare, kjo është e papranueshme, Kosova mbështet dialogun BE dhe SHBA, kjo mjafton për Kosovën”, pohon Burjani.

Kurse, analisti politik Sulejman Mehazi, thotë se Rama është i vockël për të dhënë propozime të tilla.

“Sa për propozimin e Ramës për një konferencë të nivelit të lartë bisedues mes Kosovës me Serbinë është i kot, niveli i tillë u mbajt në Ohër, fjalët e Ramës nuk zënë vend, vëllai ideologjik i Vuçiqit, Edi Rama është i vockël për të dhënë propozime të tilla. Rama nuk është i vetëdijshëm se para amerikanëve e evropianëve, por edhe para Albin Kurtit është zog i vogël politik”, përfundon Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat