Parashikohen befasi të pakëndshme pas propozimit të Ramës, vjen paralajmërimi për Kosovën: Kujdes, ja me kë u koordinua!

Politika

Parashikohen befasi të pakëndshme pas propozimit të Ramës, vjen paralajmërimi për Kosovën: Kujdes, ja me kë u koordinua!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 korrik 2023 Në ora: 12:01
Edi Rama dhe Albin Kurti

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë takimeve të fundit të tij me zyrtarët evropianë në Bruksel ka propozuar një ide për mbajtjen e një conference ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

E këtë ide të Ramës, e mbështeti edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Dua të them se mbështesim edhe idenë sa më shpejt të jetë e mundur për të organizuar një konferencë me disa vende anëtare shumë aktive të Bashkimit Evropian për të mbështetur të gjitha përpjekjet e ndërmjetësimit në bashkërendim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, sepse kohët e fundit kemi parë disa vështirësi duke u bërë arsye për përshkallëzim dhe mendoj se ka ardhur koha për të pasur një qasje globale, ka ardhur koha për të bërë hapa të qartë në normalizim”, tha zoti Michel.

Krahas kësaj, kryeministri Rama ka thënë se kjo konferencë do t’i bënte palët bashkë “dhe të mos lejohen të dalin nga dhoma pa zgjidhje, apo në të kundërtën të përballen me pasojat”.

Megjithatë, në opinionin publik në Kosovë, kjo konferencë po vlerësohet si shumë e rrezikshme për Kosovën dhe si një ide shumë e dëmshme për shqiptarët.

E për këtë ka pas edhe kritika ndaj Ramës dhe qëndrimeve të tij ndaj tensioneve Kosovë-Serbi.

Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga kriza në veri të Kosovës. Shtetet e Bashkuara mbështesin një plan tre piëksh të paraqitur nga Bashkimi Evropian për shtensionimin e situatës që përfshin: pezullimin e operacioneve policore në afërsi të ndërtesave komunale me përfundimin e njëkohshëm të protestave; shpalljen e zgjedhjeve të reja komunale me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës; dhe një kthim në dialog për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Mehazi: Propozimi i Edi Ramës për një Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë është ide e Vuçiqit e menaxhuar nga oligarkët e Putinit!

Image
Sulejman Mehazi

E në lidhje me këtë propozim të Edi Ramës, ka folur profesori dhe njohësi i ccështjeve kushtetuese, Sulejman Mehazi.

Në një prononcim për “Bota sot” tha se veprimet e Kurtit po vënë në pah tradhtitë Ramës dhe dhe armiqësinë e hapur të BE-së, KE-së ndaj vendit tonë.

Së pari, ai u shpreh se kjo është një ide e Vuçiqit e menaxhuar nga oligarkët Putinit.

“Veprimet dinjitoze politike të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, jo vetëm që kanë zhveshur e zbuluar qëllimet korruptive të partive opozitare në Kosovë, por është duke ia nxjerrë turpet tradhtuese edhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës dhe armiqësinë e hapur të BE-së, KE-së ndaj Kosovës.

Propozimi i Edi Ramës për një Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë është ide e Vuçiqit e menaxhuar nga oligarkët e presidentit të Rusisë, Vladimir Putinit në bashkëpunim me bandat krimogjene evropiane në krye me Presidentn e Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili përkrah idenë Serbia-Albania të Vuçiqit dhe Ramës e jo kushtetutën e Kosovës të cilën me shumë xhelozi e mbron Albin Kurti”, deklaroi profesori.

Mehazi e vlerësoi si absurde tentativën e Ramës e Michelit për mbajtjen e një konference ndërkombëtare për të krijuar një republikë serbe në Kosovë.

“Sipas logjikës së Ramës dhe Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel është se Konferenca Ndërkombëtare e Rambujës dhe ajo e Marrëveshjes së Ohrid të anashkalohen e zhvlerësohen e me propozimin e Edi Ramës e Charles Michel të rrinisë nga fillimi një Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë ama në rrjedhën politike e diplomatike të Serbisë.

Absurditeti më i madh i Ramës e Michelit është që për 4% të serbëve në Kosovë me të drejta të barabarta me popullatën shumicë shqiptare të mbahet një konferencë ndërkombëtare për të krijuar një republikë serbe në Kosovë”, shpjegoi ai.

Më tej, profesori tha se kriminelët politikë të evropës janë bashkuar për të përmbysur Kurtin, mirëpo kjo vetëm sa po e zbulon fytyrat kriminale, tradhtare e armiqësore të Kosovës.

“Konferenca Ndërkombëtare e Ramës në përkrahje të kreut të Këshillit të Evropës, Charles Michel e ka kuptimin e hudhjes dhe zhdukjes së pavarësisë dhe kushtetutës së Kosovës në dobi të Serbisë gjenocidiale, që Kosova nga një shtet serioz të rikthehet në Korporatë kriminelësh evropiane, serbe e ruse.

Shkurt, kryeministri i Kosovës është duke bindur popujt e Ballkanit Perëndimor se botën politike evropiane e udhëheqin kriminelët që përkrahin shtetin më të vrazhdë e gjenocidial në botë Serbinë. Se kriminelët politikë të evropës janë bashkuar tog për të përmbysur politikanin më të spikatur të Ballkanit Perëndimor, Albin Kurtin i cili me intelegjencën e tij politike një nga një, radhë radhë e palë palë është duke zbulon fytyrat kriminale, tradhtare e armiqësore të Kosovës sikurse që janë në Shqipëri Rama, në BE Borrelli, Lajçaku dhe në Këshillin e Evropës, Charles Michelin”, nënvizoi Mehazi.

Ndër të tjera,e konsideroi të mjerushme përkrahjen e Këshillit të Evropës për idenë e Ramës lidhur me mbajtjen e një konference ndërkombëtare.

Sipas tij, Kurti po na bind se botën evropiane e udhëheqin mizevirët e korruptuar politikë

“Ne kemi menduar se vetëm Vuçiqi është i lig po ja që Albin Kurti ka zbuluar dhe ka zhveshur hapur edhe ligësitë e Edi Ramës, BE-së, Këshillit të Evropës. Të Korruptuarit e BE-së, KE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor janë bashkuar tog për të mposhtur besnikërinë politike e shtetërore të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Është e mjerueshme se në çfarë niveli ka rënë Këshilli i Evropës e cila përkrah iniciativën e Edi Ramës-Vuçiqit për një konferencë ndërkombëtare vetëm për shkak se kryeministri Kurti mbron fuqishëm kushtetutën dhe sovranitetin e Kosovës.

Kurti dita ditës është duke na bindur se botën njerëzore evropiane e udhëheqin mizevirët e korruptuar politikë”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Zogaj: Në konferencat e tilla ndërkombëtare ndodhin befasi të pakëndshme, sidomos ndaj shteteve të reja e të brishta, siç është Kosova

Image
Skënder Zogaj

Kurse, publicist Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se propozimi i Ramës për konferencë ndërkombëtarë është thikë në shpinën e Kosovës.

Sipas tij, ky është një veprim i shpifur, mospërfillës ndaj institucioneve shtetërore të Kosovës dhe atakues ndaj qeverisë Kurti.

“Propozimi i Ramës për konferencë ndërkombëtare rreth uljes së tensioneve shqiptaro-serbe, që tashmë e ka mbështetur edhe Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, është hiq më pak se thikë në shpinën e Kosovës, sepse, është një propozim hilrqar, teksa bëhet pa konsultime paraprake me udhëheqjen legjitime të Kosovës, gjë që unë e konsideroj veprim të shpifur paternalist, mospërfillës të institucione shtetërore të Kosovës dhe atakues ndaj Qeverisë së Kosovës e cila nuk e meriton këtë lloj veprimi në kohën dhe rrethanat aktuale. Është një sjellje që në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet, sepse, nuk ekziston asnjë pengesë e bashkëpunimit të duhur ndërmjet dy shteteve shqiptare që, çdo mos bashkëveprim paguhet nga të dy vendet. Rama mund të mendojë ndryshe, por e ka gabim sepse, kjo ndarje ka tagër”, deklaroi publicist.

Krahas kësaj, Zogaj tha se mbajtja e kësaj konference është shumë e rrezikshme dhe mund të ndodhin befasi të pakëndshme.

“Konferenca e kthen prapa çështjen e Kosovës, sepse dialogu trepalësh kthehet prapa dhe kjo është me shumë rrezik, ngase në konferencat e tilla ndërkombëtare ndodhin befasi të pakëndshme, sidomos ndaj shteteve të reja e të brishta, siç është Kosova”, vlerësoi ai.

Ndër të tjera, publicist kërkoi nga Kosova që të ketë kujdes nga iniciaativa e Ramës.

“Mirëpo, tashmë iniciativa e Ramës ka marrë udhën dhe, Qeveria e Kosovës duhet të tregohet e kujdesshme. Them se, me kujdes duhet të sillen edhe mediet kosovare, që, nuk është mirë të bëjnë fushata hipotetike, as ndaj Ramës, rë cilit jam thellësisht i bindur se ka me mjaftu vetvetja e tij”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat