Tensionet në veri goditje për ekonominë/ Sadiku: Bllokimi i fondeve sjellë probleme të mëdha për Kosovën

Politika

Tensionet në veri goditje për ekonominë/ Sadiku: Bllokimi i fondeve sjellë probleme të mëdha për Kosovën

Nga: Q.R Më: 4 korrik 2023 Në ora: 13:37
Foto ilustrim

Masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia shqiptoi Kosovës, për shkak të, siç u tha, mospërfilljes së kërkesave për shtensionimin e situatës në veri të vendit, po shihen teje shqetësuese. Kriza e vazhdueshme dhe e pazgjidhur në veri nuk po sjell vetëm pasoja politike për Kosovën, por edhe ekonomike.

Muhamet Sadiku, profesor i Ekonomisë, thotë për “Bota sot” se bllokimi i fondeve të BE-së për Kosovën sjell probleme të mëdha në shumë fusha e sidomos në ekonomi.

“Këto janë një përzierje e sanksioneve edhe politike edhe ekonomike, por ajo që na godet më së shumti janë këto sanksione ekonomike të cilat do të kenë ndikim në zhvillimin ekonomik, në zhvillimin e demokracisë, do të kenë ndikim në realizimin e shumë projekteve të cilat Bashkimi Evropian nëpërmjet fondeve të para anëtarësimit i ka financuar, kështu që bllokimi i shumë fondeve që kanë pasur për qëllim mbështetjen e Kosovës, është lajm shumë i keq për vendin, i cili sjell probleme të mëdha”, thotë ai.

Image
Muhamet Sadiku

Sipas tij, nga viti 2007 deri më 2022 BE ka ofruar 1,7 miliard euro mbështetje për vendin, prandaj ai vlerëson se qeveria duhet t’i rregulloj marrëdhëniet me BE-në.

“Qeveria duhet t’i rregulloj marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe partner të tjerë ndërkombëtar, kjo do të ofronte mundësi për krijimin e një situate të re në rrafshin e bashkëpunimit ekonomik, sepse prej vitit 2007 deri në vitin 2022 BE ka ofruar 1, 7 miliard euro mbështetje për Kosovë dhe ky i fundit është mbështetësi më i madh në zhvillimin e vendit, bllokimi i kësaj mbështetje reflekton negativisht në zhvillimin e ardhshëm të Kosovës”, deklaron ai.

Kujtojmë se, BE-ja ka pezulluar përkohësisht punën e të gjitha grupeve punuese për MSA-në, ftesat për pjesëmarrjen e Kosovës në takime të nivelit të lartë, programimin e fondeve për Kosovën, përfshirë ato nga IPA dhe nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë, Kosova mbetet me trendin më negativ të investimeve të huaja krahasuar me shtetet e rajonit, si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat