Krahasoi veprimet e Kurtit me ato të Millosheviqit/ Analistët: LDK të distancohet nga “deklarata e mbrapshtë” e Muhaxherit

Politika

Krahasoi veprimet e Kurtit me ato të Millosheviqit/ Analistët: LDK të distancohet nga “deklarata e mbrapshtë” e Muhaxherit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 6 korrik 2023 Në ora: 08:24
Lumir Abdixhiku dhe Gazmend Muhaxheri

Situata aktuale politike në Kosovë nuk është më e mira. Presion i madh është duke iu bërë qeverisë Kurti për të shtensionuar situatën në veri të vendit.

Akoma më shumë “benzinë zjarrit” po i hedhin deklarimet e politikanëve opozitarë në Kosovë, të cilët nuk po i ndalin sulmet ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Së fundi, nënkryetari i LDK-së dhe njëherit kryetari i Pejës, Gamzend Muhaxheri bëri një deklaratë “skandaloze”, duke i krahasuar veprimet e Qeverisë Kurti me ato të kasapit të Ballkanit Sllobodan Milleshoviq.

Ai në një emision televiziv krahasoi “qëllimet e Kurtit me ato të “Kasapit të Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq, i cili thoshte në vitin 89-të se “Po vendosim shtetin ligjor në Kosovë”.

Pas kësaj deklarate pati reagime të shumta kritikuese për Muhaxherin që e bëri një krahasim të tillë.

Shala: Polarizimi jetësor institucional në Kosovë nuk i kontribuon avancimit për unitet politik

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se deklarimet e tilla nuk duhet të jenë determinues për zhvillimet politike.

“Deklarimet politike të epiteteve të tilla nga njerëz që janë protagonist të jetës institucionale si dhe me peshë në subjektin politik parlamentare nuk do të duhet të jetë determinues për zhvillimin politik.

Polarizimi jetësor institucional në Kosovë nuk i kontribun avancimit për unitet politik në procesin tejet të rëndësishëm që ka hy Kosova”, shprehet ai.

Mulliqi: LDK të distancohet nga Muhaxheri

Image
Skënder Mulliqi

Analisti Skënder Mulliqi deklarata e tij është shumë e dëmshme për Kosovën sidomos e dalë nga kjo parti shtet- ndërtuese.

“Është dëm shumë i madh për LDK-në dhe për Kosovën, që në krye të subjektit politik shtet ndërtues, të të madhit Ibrahim Rugova, të vijnë në krye njerëz të profilit mesatar të dijes, si kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, dhe nënkryetari Gazmend Muhaxheri. Aq më e dëmshme është për këtë parti se këta kurrë nuk kanë qenë kuadro politike të LDK-së rugoviane. Që të dytë këta kanë punuar te Veton Surroi, njeri i partisë ORA, e tjetri publicist. Nuk është e çuditshme të dëgjojmë nga soji i këtyre politikanëve aksidental deklarime skandaloze politike pas gjendjes së krijuar në veri, nga strukturat kriminale serbe të dirigjuara nga Vuçiq për ndarje të Kosovës. Kjo gjë nuk po i mundon shumë disa nga krerët e LDK-së, por po i mundon fakti i të qenit me çdo kusht në pushtet”, shprehet ai.

Tutje, analisti nënvizon se Muhaxheri hodhi dru e gur mbi qeverinë Kurti, deklarime këto që ishin skandaloze.

Sipas tij, LDK duhet të distancohet nga deklarimet e Muhaxherit, madje thotë se duhet edhe ta shkarkojë nga pozita e nënkryetarit.

"Muhaxheri hodhi gur e dru, mbi Qeverinë Kurti, në Rubikon. Kritikat që i bëri nënkryetari i LDK-se dhe kryetari i Pejës, lidhur me eskalimin e situatës në veri të vendit, ishin skandaloze. Të krahasosh veprimet politike të Albin Kurtit në Kosovën e pavarur, me veprimet kriminale e pushtuese të kryekriminelit të luftës, Sllobodan Millosheviq në Kosovën e okupuar, kjo është shumë e turpshme për një politikan i cili mendon që është i kalibrit të lartë, e është politikan i nivelit lokal.

Nga kjo deklaratë e Gazit, ishte dashur të distancohet LDK-ja, dhe ishte dashur të kërkohet edhe shkarkimi i nga posti i nënkryetarit. Gazi duket se i iku për atë çka edhe duhej të fliste pas situatës së krijuar në Pejë, me vërshime, e cila kërkon angazhim konkret për sanimin e gjendjes pas dëmeve të shkaktuara, dhe pas dy jetëve të humbura. Nuk janë bërë vërshimet krejt për shkak të reshjeve, por faji është edhe i mos punës së duhur për mirëmbajtje apo riparimeve të stabilimenteve të kanalizimeve të qytetit. Gazi, mos u merr me politika të mëdha se nuk e ke takatin. Po të ishe i një rangu të lartë, kurrë nuk do të kishe dhënë një deklaratë të tillë shumë të mbrapshtë politike”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat