A do arrijë opozita të ‘shpëtojë’ nga Kurti? Prapaskenat për rrëzimin e qeverisë – ja çka ndodhë nëse vendi shkon në zgjedhje!

Politika

A do arrijë opozita të ‘shpëtojë’ nga Kurti? Prapaskenat për rrëzimin e qeverisë – ja çka ndodhë nëse vendi shkon në zgjedhje!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 6 korrik 2023 Në ora: 20:35
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Kosova po përballet me zhvillime të shumta politike.

E qasjen e Qeverisë Kurti karshi këtyre zhvillimeve, nuk po e pëlqen opozita, më saktësisht PDK, LDK e AAK.

Së fundi, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë se zgjidhja e vetme për situatën e krijuar në vend, është rrëzimi i Qeverisë Kurti.

Kështu është shprehur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Tahiri, ka thënë se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian të vendosura ndaj Kosovës e dëmtojnë rëndë të ardhmen euroatlantike të vendit.

“Shpreh shqetësimin që Qeveria dhe kjo mazhorancë tentoj ta mbajë të feshur komunikimin që i kishte bërë BE-ja nga data 28 qershor që këto sanksione kanë hyrë në fuqi. Kemi hyrë në një shkallë të rrezikshme të zhvillimeve me BE-në. Kjo është mjaft shqetësuese, masa të tilla e dëmtojnë rëndë të ardhm3en tonë euroatlantike, e dëmtojnë raportin tonë me secilin shtet të BE-së, konsideroj që si opozitë tashmë jemi në prag të një udhëkryqi ku do të na imponohet të marrim vendime që janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë”, tha Tahiri.

Shefi i deputetëve të PDK-së, më tej theksoi se edhe Kuvendi është i dështuar.

“Një Kuvend i dështuar që nuk e meriton me vazhdu asnjë ditë të vetme, sepse ka blloku agjendën e vendit, gjithçka ka stagnuar. Jemi në gjendje të mjerueshme si vend si rezultat i kësaj qeverisje. Zgjidhje është rrëzimi i kësaj qeverie. Ne e dimë aktualisht me numra sesi jemi në këtë Kuvend, e rëndësishme është që ne të gjejmë rrugën ta gjejmë drejtimin dhe të mos vuajmë për protagonizëm. Dështimi i mocionit do të thotë që tre muaj të ardhshëm nuk mundemi të bëjmë një mocion të ri, dhe ne nuk duam që ta lëmë këtë qeveri të vazhdoj më tutje”, tha Tahiri.

Është befasuese gjithë ky ngulm i Tahirit, por jo vetëm, edhe i liderëve tjerë të partive opozitare, për rrëzimin e Kurtit nga qeveria, kur dihet se numri i tyre në ulëset në Kuvend është i pamjaftushëm për mocion.

Së çfarë do përfitonin partitë opozitare në rast të rrëzimit të Qeverisë Kurti dhe se çka do prodhonin zgjedhjet e reja, treguan analistët politikë për “Bota sot”.

Preqi: Për ta rrëzuar qeverinë Kurti, nuk është vështirë, vetëm a i ke numrat dhe kryhet puna

Image
Opinionisti Dedë Preqi

Në një bashkëbisedim me “Bota sot”, opinionisti Dedë Preqi u shpreh se situate në veri të vendit është e brishtë.

Mirëpo, sipas tij këtë situatë po tentojnë opozita ta shfrytëzojnë kundër Kurtit dhe qeverisë së tij, më saktësisht Tahiri dhe Krasniqi.

“E vërtetë, sot kemi një situatë shumë të brishtë në veriun e këtij vendi, përshkak se një pjesë e popullit serb të veriut, nën ndikimin e Beogradit dhe Vuçiqit, kanë për qëllim ta ndajnë veriun e Kosovës, përmes Asociacionit të komunave serbe, apo në formën e asaj, që po e përdorin sot, përmes protestave të dhunshme dhe në forma të tjera kriminale, duke e tensionuar këtë pjesë të vendit deri në pa kufi, të cilët po armatosen përditë për të krijuar një luftë të re, sikur edhe me automjete të Ambulancave, duke i bartur armët prej Serbie, duke i futur në Kosovë.

Kinse duke marrë shkas në situatën e tensionuar në veri të vendit, grupi parlamentar i PDK-së, dhe shefi i saj Abelard Tahiri, para mediave thotë, se shpëtimi i vetëm i këtij vendi është rrëzimi i qeverisë Kurti, nga pushteti, ndërsa kryetari i kësaj partie Memli Krasniqi, i kërkon mejdan kryeministrit Kurti, çka do të thotë kjo, njëri kërkon rrëzimin e kryeministrit, tjetri i kërkon mejdan kryeministrit të vendit në shenjë ballafaqimi me të”, nënvizoi opinionisti.

Po ashtu, Preqi rikujtoi kohën sa ishin në qeveri, partitë opozitare dhe atë se çka punuan ato për vendin.

Krahas kësaj, ai tha se ata mund të rrëzojnw Kurtin, por që më pas mund të përballen me vështirësi për ta kaluar pragun në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

“Kjo do të thotë se, po t’i japim një shikim paraqitjes dhe rrethanave të opozitës ndaj qeverisë së tanishme të Kosovës, sikur mund të themi se tani e tutje hapet një faqe e re e historisë së kësaj opozite, e cila kur ishte vetë në pushtet, e pamë se sa pak ishte e përgatitur për të administruar pushtetin, duke e keqpërdorë dhe abuzuar më të, dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për elementet e mbrapshta brenda saj, siç ishte korrupsioni dhe krimi i organizuar, por pikërisht edhe për ato që kanë të bëjnë me organizimin, sundimin e ligjit dhe udhëheqjen e dobët të saj deri në skaj.

Për ta rrëzuar qeverinë Kurti, nuk është vështirë, vetëm a i ke numrat dhe kryhet puna, por ka edhe duhet ta bindin popullin e këtij vendi, se në vend të Albin Kurtit, do të vjen një udhëheqës tjetër më i mirë, apo edhe më i keq nga radhët e opozitës së sotme, e cila nuk është e vetëdijshme se me pozitën që ka është shumë mirë në krahasim më zgjedhjet e ardhshme, që e ka vështirë me kalue pragun”, nënvizoi ai.

Tutje, opinionisti shtoi se ata do të duhej edhe të përballen me gjithë rrëmujën dhe presionin që po i bëhen Kosovës dhe pasojat me të cilat mund të përballet ajo.

“Dhe premisa e dytë, do të ishte guximi, me të cilin duhet të ballafaqohen me kaosin kërcënues që ka krijuar veriu i Kosovës, bashkë me serbët dhe Vuçiqin, sepse ky guxim do të ballafaqohet edhe me bashkësinë ndërkombëtare, e cila sikur po na bënë mjegull dhe trysni, thua se ne, nuk jemi duke e kuptuar të vërtetën e këtij kaosi të krijuar nga serbët dhe politika e Beogradit, dhe duhet të përpijmë çdo gjë, që rekomandohet, pa i llogaritur pasojat që do ta ndjekin popullin e këtij vendi dhe vetë shtetin e Kosovës”, vlerësoi Preqi.

Ndër të tjera, ai tha se opozita po bënë gjithçka për marrjen e pushtetit, madje edhe po radhiten krah Listës Serbe.

“Për fat të keq, askush nuk e ka llogaritur opozitën e sotme në krye me PDK, LDK dhe AAK, që do të radhitën me Listën serbe, duke mos llogaritur në kauzën e shtetit të Kosovës dhe sovranitetin e këtij vendi, por llogaria e tyre bëhet gjithçka dhe kauzë për të marrë pushtetin në dorë, prandaj edhe kjo është një parandjenjë e mundësive hyjnore, së mes në trysnisë që sa vjen e shtohet në këtë botë, që mund të jetë edhe e kotë”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.

Mulliqi: Tahiri duket se nuk është shumë i interesuar se si Kosova të dalë nga situata në veri e kërcënuar me luftë nga Vuçiqi dhe Putini

Kurse, analisti politike, Skënder Mulliqi në një prononcim për “Bota sot” reagoi ashpër ndaj deklaratës së Tahirit të PDK-së, duke ia rikujtuar se ishte partia e tij që e la si “mollë sherri” Asociacionin.

Image
Analisti politike, Skënder Mulliqi

“Situata e krijuar në veri më incidente permanente të strukturave kriminale paralelele serbe te ndihmuara nga shërbimet e tyre sekrete dhe të grupit paramilitar rus Wagner, jane pjellë ekskluzive e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuqiq, i cili ka për synim ndarjen e Kosovës. I përmenda strukturat paralele serbe, të cilat edhe janë promotori kryesor i të gjitha ngjarjeve me incidente të shumta për të destabilizuar vendin. Këto struktura kriminale na i lanë si mollë sherri me Asociacionin me kompetenca ekzekutive, pikërisht partia e Abelard Tahirit, i cili është më zhurmuesi sot nga taborri opozitar. Them i zhurmshëm si shefi i grupit parlamentar të PDK-së, janë edhe shumë kolegë të tjerë nga opozita, që nuk po bëjnë opozitarizëm konstruktiv. Ata janë vë në kor të përbashkët për të rrëzuar qeverinë e mirë të Kurtit, në situatën që asnjë opozitë tjetër e shteteve demokratike nuk do të kishte vepruar kështu”, deklaroi analisti.

Krahas kësaj, Mulliqi vlerësoi se shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, nuk po i interesonin situate në veri, por cak ka rrëzimin e qeverisë Kurti.

“Tahiri duket se nuk është shumë i interesuar se si Kosova të dalë nga situata në veri e kërcënuar me luftë nga Vuçiqi dhe Putini për copëtim të sërishëm të saj, por e ka vë tehun në rrëzimin e Qeverise. Shpëtimi për Kosovën do të ishte që mos t’i kishim pasur në pushtet gjatë 20 viteve partitë që tash janë në opozitë, e të cilët punuan më shumë keq, se sa mirë në planin e brendshëm politikë ashtu edhe në atë të jashtëm. Kosova u varfërua dhe u izolua si është më së keqi. U plaçkitën prona shoqërore në të katër anët, dhe kjo bëri që shumica edhe të jetojnë në kushte mizerable. Në planin e jashtëm i krijuan favore Serbisë, gjatë bisedimeve maratonike për normalizim të marrëdhënieve, duke rrezikuar seriozisht edhe statusin politik të vendit”, nënvizoi ai.

Gjithashtu, analisti tha se PDK dhe LDK nuk kanë të drejtë ta kritikojnë qeverinë Kurti, kur dihet se sa gjatë e kishin pushtetin dhe nënshkruan marrëveshjen e dëmshme të Asociacionit.

Madje, tha se shpëtimi i vetëm për vendim është uniteti i spektrit politike dhe jo rrëzimi i qeverisë Kurti.

“Kjo qeveri ka ngulur fortë këmbë që mos të implementohet Asociacioni i vitit 2013 dhe 2015, i nënshkruar në Bruksel nga Thaçi dhe Mustafa. PDK dhe LDK kanë më së paku të drejtë të adresojnë kritika, kur dihet se që të dy këto subjekte politike e kishin gjatë pushtetin, e nuk e kanë dhënë provimin ashtu si duhet për shtet ndërtim dhe mirëqenie të përgjithshme. Dhe, aq më pak e kanë dhënë provimin në realacion me Serbinë e Vuçiqit, i cili për një kohë edhe na i caktonte agjendat e bisedimeve. Serbia nga këto lëshime edhe u faktorizua, duke gjetur përkrahje edhe nga qarqet e caktuara evropiane në synimet për defaktorizimin dhe deligjitimimin e shtetit të Kosovës. Sikur mos të ishin nënshkruar marrëveshjet e dëmshme të Brukselit, sigurisht se sot nuk do të kishim ardhur para aktit të kryer. Këtë gjë nuk është që nuk e di edhe Abelard Tahiri. Të deklarosh se i vetmi shpëtim është rrëzimi i Qeverisë, është absurde në këto rrethana të krijuara politike. Shpëtim për vendin është uniteti i gjithë spektrit politik në vend”, theksoi Mulliqi.

Më tej, ai tha se në rast se rrëzohet qeveria Kurti, PDK do pësojë një humbje të madhe dhe se përfitimet për të do jenë zero.

“Po e zëmë se do të realizohet dëshira e shefit të grupit parlamentar të PDK-së, por, shtrohet pyetja logjike, çka do të fiton opozita, në këtë rast PDK-ja? Sigurisht se do të pësonin humbje edhe më të rëndë se sa në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme nacionale. Do të thotë së përfitimi do të jetë një zero e madhe. Opozita dhe Tahiri të kthehen e të bëjnë opozitarizëm parimor në kontrollimin e pushtetit, se vetëm ashtu e ndihmojnë veten, dhe i ndihmojnë proceset. E ndihmojnë po ashtu edhe Kosovën që të dalë faqebardhë nga një situatë qëllimisht e krijuar nga hegjeomonia e Serbisë, e cila me çdo kusht po dëshiron të zgjeron territorin e saj me tokat e shqiptarëve”, përmbylli Skënder Mulliqi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat