“Kurti ia dha një nga ‘goditjet’ më të rënda”, zbardhen prapaskenat e vizitës së Ramës: Humbja e këtij basti e nervozoi!

Politika

“Kurti ia dha një nga ‘goditjet’ më të rënda”, zbardhen prapaskenat e vizitës së Ramës: Humbja e këtij basti e nervozoi!

Nga: A.M. Më: 8 korrik 2023 Në ora: 09:36
Albin Kurti dhe Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, qëndroi të enjten në Prishtinë në kuadër të një vizite që po ia bëri rajonit për përgatitjet e samitit të radhës të Procesit të Berlinit që pritet të mbahet në muajin tetor në Tiranë.

Ai takoi presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetarin e parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, por nuk takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri Kurti refuzoi këtë gjë, pasi tha se nuk e sheh të arsyeshëm një takim të tillë pa mbajtjen e mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive, e cila u anulua një ditë para se të niste punimet në muajin qershor nga kryeministri Rama

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi në një prononcim për “Bota sot” komentoi vizitën e Ramës në Kosovë dhe vendimin e Kurtit për të mos e takuar atë.

Së pari, ai u shpreh se kryeministri i Kosovës me refuzimin e takimit ia dha mesazhin se “nuk je në anën e Kosovës, por je në anën e Serbisë”!

Po ashtu, tha se ky vendim erdhi pasi Rama anuloi mbledhjen e qeverive shqiptare.

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte të enjten në Kosovë, por nuk u prit nga homologu I tij, kryeministri Albin Kurti. Zoti Kurti kishte mundësi t’i shmangej e të shkonte diku për një vizitë atë ditë për ta justifikuar refuzimin për takim me zotin Rama. Por nuk e bëri. Ai donte që t’i jepte mesazhe të qarta atij. T’i thoshte se “nuk je në anën e Kosovës, por je në anën e Serbisë”! Se gjithnjë ke bërë avokatin e Serbisë e të Aleksandër Vuçiç në samitet ndërkombëtare dhe asnjëherë avokatin e Kosovës. Se, edhe kur ke avokatuar për Kosovën, je përqëndruar vetëm te një person, te Hashim Thaçi, të cilin ke dashur ta mbrosh për shkak se keni një linjë qëndrimi pro-Serbisë.

Kryeministri i Kosovës nuk e priti kryeministrin e Shqipërisë, sepse ky i fundit anuloi mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive të 16 qershorit të shkuar pa u konsultuar, me një status në Tëiter, pra me arrogancën e një politikani që sillet edhe me fqinjët si me Arben Ahmetajn apo Lefter Kokën. Anulimi i njëanshëm i mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive ishte akt I trishtueshëm, një sinjal se kryeministri I Shqipërisë qe dhe është I gatshëm të ndëshkojë Kosovën për interesat e Serbisë”, deklaroi profesori.

Bytyçi vlerësoi se Kurti nuk e kishte të nevojshme të takohet me Ramën, pasi më parë u takua me Vuçiqin, kjo pasi cilin prej këtyre të fundit ta takosh është njësoj.

Image
Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi

“Po takove Edi Ramën, ke takuar gjithashtu Aleksandër Vuçiç!”

Ai përmendi edhe se si kryeministri Rama e sulmoi të parin e qeverisë sonë në vazhdimësi gjatë vizitës së tij në Kosovë.

“Ky konkluzion provohet edhe nga fakti që gjatë gjithë turit ballkanik, në Shkup, Prishtinë, Sarajevë e Podgoricë sulmoi vazhdimisht Albin Kurtin, por në asnjë rast nuk përmendi dhe aq më pak ta qortojë ose kritikojë Aleksandër Vuçiç. Foli gati dy orë të enjten në mbrëmje në Klan Kosova, por vazhdimisht atakoi Kurtin e asnjëherë Vuçiçin. Madje nuk pranoi që të dënojë as bandat e Beogradit në veri të Kosovës. Kjo do të thotë se Rama është lajmës dhe përçues i mesazheve të presidentit të Serbisë në këtë tur ballkanik. Kurti është takuar me presidentin serb shumë herë. Dhe mesazhet e sinjalet e sjelljes së tij në Ballkan e kundër Kosovës Albini i ka marrë drejtpërdrejt nga origjinali, nga Aleksandër Vuçiç. Ndaj nuk është e nevojshme të takohet me kopjen e Vuçiçit që të marrë të njëjtat mesazhe, sinjale dhe qëndrime politike. Derisa Kurti takon Aleksandër Vuçiç, nuk është nevoja të takojë Edi Ramën. Aq më tepër që kryeministri i Shqipërisë mendon, beson dhe punon në të njëjtën linjë me presidentin e Serbisë. Po takove Vuçiç, ke takuar edhe Edi Ramën! Dhe anasjelltas, po takove Edi Ramën, ke takuar gjithashtu Aleksandër Vuçiç! Njëlloj është”, theksoi ai.

Në vazhdim, profesori tha disa fjalë edhe për takimet e Ramës me Osmanin e Konjufcën, të cilat i vikësoi formale dhe simbolike, pa ndonjë efekt shumë të madh.

Refuzimi që i bëri Kurti Edi Ramës do të jetë ngjarje që do të shënohet në histori

Atij ia tërhoqi vëmendjen edhe thirrja e një qytetari drejt Ramës, me një etiketim prej ‘tradhtari’.

Gjatë vizitës në Kosovë kryeministri i Shqipërisë u prit nga presidentja Osmani dhe kryeparlamentari Konjufca. Ky i fundit ia bëri të qartë para gazetarëve se prej shumë vitesh zoti Rama e ka dëmtuar çështjen e Kosovës. Pritja që i bëri zonja Osmani u shoqërua me një reagim të një qytetari, duke e thirrur atë “tradhtar! Madje disa herë. A bënë mirë presidentja dhe kryeparlamentari që u takuan me kryeministrin e Shqipërisë? Kjo çështje po trajtohet me reagime të shumta pro dhe kundër. Për mua, takimet janë etike, janë formale. Si të tilla bëhen edhe midis aktorëve që janë në luftë me njëri-tjetrin.

Megjithatë qëndrimet e Edi Ramës ndaj Kosovës i emërtoi me meritë djali që i thërriste nga larg në momentin që Rama i ishte drejtuar për takim presidentes së vendit. Takimet që ai bëri në Prishtinë ishin simbolike. Thjesht për të thënë se “ne nuk jemi kundër takimeve”! Por nga komunikatat që u dhanë, nuk kam vënë re ndonjë gjë substanciale. Nuk e di nëse biseda ka qenë thjesht bisedë batutash, thashethemesh dhe goditjesh nën brez. Por ato nuk prodhuan asgjë. Nuk prodhuan as një konferencë të përbashkët shtypi, sepse kjo konferencë duhej bërë vetëm nëse do të kishte një takim Kurti-Rama”, shpejgoi Bytyçi.

Më tej, ai tha se Rama nuk mund t’i japë Kurtit dhe Osmanit leksione për Procesin e Berlinit, ku edhe e hodhi në dyshim se ky ishte qëllimi për vizitën në Kosovë.

“Në fakt Kurti nuk priti kryeministrin e Shqipërisë, por organizatorin e samitit të Procesit të Berlinit të planifikuar në Tiranë për me 16 tetor 2023. Sepse ky tur nuk ka aspak qëllim Procesin e Berlinit, të cilin Rama së bashku me Vuçiç dhe Zaev e lanë në bufenë e pritjes politike, duke e zëvendësuar me Open Balkan. Ishte Kurti ai që ka mbajtur linjën e vazhdueshme të Procesit të Berlinit dhe kundërshtoi ashpër Ballkanin e Hapur. Rama nuk mund të japë leksione për Procesin e Berlinit. Aq më pak Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit”, potencoi profesori.

Në fund, Bytyçi shtoi se ky refuzim i Kurtit ndaj Ramës do shënohet në histori, pasi është një rast i rrallë.

Ai tha se kjo është një goditje e rëndë për kryeministrin e Shqipërisë, prandaj edhe është i nervozuar.

"Megjithatë refuzimi që i bëri Kurti Edi Ramës do të jetë ngjarje që do të shënohet në histori. Kushdo që do ta shkruajë historinë e sotme, do të thotë se me datën 6 korrik 2023 kryeministri i Kosovës nuk pranoi ta takojë kryeministrin e Shqipërisë. Është rasti i parë dhe i rrallë në marrëdhëniet midis shteteve. Duke theksuar këtë, historianët do të detyrohen të shkruajnë edhe për shkaqet e kësaj ngjarjeje. Dhe shkaqet shkojnë në ndëshkim të figurës së Edi Ramës. Pikërisht kjo e nervozoi shumë kryeministrin Rama. Ai ka një bast me historinë. Dhe humbja e këtij basti i dhemb më së shumti se gjithcka tjetër. Është i gatshëm ta heqë njërën veshkë, ta presë gjysmën e mëlçisë, ta vendosë zemrën në dis pajpase e nuk është i gatshëm të pranojë dështimin në histori. Kjo që ndodhi në Prishtinë me Edi Ramën është një nga goditjet më të rënda për të. Prandaj është shumë i nervozuar! Shumë aktiv dhe hakmarrës! Kjo do ta bëjë edhe më të dështuar”, përmbylli profesor Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat