Kundërshtohet ideja e Ramës për ‘mbylljen’ e Kurtit e Vuçiqit: Nuk zgjidhet problemi kështu - kjo është kërkesa për BE-në dhe SHBA-të

Politika

Kundërshtohet ideja e Ramës për ‘mbylljen’ e Kurtit e Vuçiqit: Nuk zgjidhet problemi kështu - kjo është kërkesa për BE-në dhe SHBA-të

Arife Morina Nga Arife Morina Më 8 korrik 2023 Në ora: 17:35
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duket se me çdo kusht dëshiron të përfshihet dhe të bëhet pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.

Që nga tensionimi i situatës në veri të vendit, deklaratat e Ramës në lidhje me dialogun kanë qenë të shpeshta.

Kryeministri i Shqipërisë, jo pak herë ka dhënë ‘këshilla’ se si të dilet nga kriza mes dy shteteve dhe të arrihet një zgjidhje finale në kuadër të dialogut.

Së fundi, Rama kritikoi procesin e negociatave të Brukselit, marrë parasysh gjendjen e tensionuar në veri të Republikës së Kosovës. Ai ka propozuar një konferencë normalizimi ku kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq do të mbylleshin deri kur të përfundonte diskutimi për gjithë mospajtimet.

“Të dy liderët të merren dhe të mbyllen brenda në një konferencë noramlizimi, pa të drejtë dalje deri kur të përfundoj bashkëbisedimi që të trajtohen ato pika, që askush nuk i kundërshton, por në të njejtën kohë secili ia hedh tjetrit fajin pse nuk zbatohen, sepse s’ka vullnet. Ky është fakti. Ka edhe një dehje nga ky karshilleku me gjithë planetin demokratik, në emër të nuk e di se çfarë. Por realiteti i përditshëm sot, po bëhet bazë për një realitet shumë negativ nesër, në të gjitha aspektet. S’më takon mua të diskutoj ekonominë e Kosovës apo aq më pak të Serbisë.

Mirëpo, vështirë është të besohet se Kosova do pranojë një konferecë të tillë apo ‘mbylljen’ me Vuçiqin.

Mund të thuhet kështu, pasi qe Kurti dhe Rama nuk janë në një linjë të njëjtë me qëndrimet politike, sa që refuzojnë të takohen me njëri-tjeterin.

E këtë propozim të Ramës e komentuan analistët politikë për gazetën “Bota sot”.

Kelmendi: Nuk ka nevojë për një konferencë qoftë të mbyllur apo të hapur

Image
Muhamet Kelmendi

Së pari, profesori Muhamet Kelmendi kundërshtoi një konferencë për Kosovën dhe Serbinë.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se as konferencat as takimet e mbyllura Kurti-Vuçiq nuk e zgjidhin problemin mes dy vendeve.

Sipas tij, mjafton të zbatohet marrëveshja e arritur në Bruksel dhe çdo gjë zgjidhet.

“Mes Kosovës dhe shtetit serb kemi shumë marrëveshje. E fundit është marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit të këtij viti. Me atë përcaktohen të drejtat e palëve dhe jepet rruga e zgjidhjes së çështjes Kosovë-Serbi.

Shikuar këtej nuk ka nevojë për një konferencë tjetër, qoftë të mbyllur, qoftë e hapur. Konferenca është mbyllur, marrëveshja ekziston, atë duhet zbatuar.BE dhe SHBA dalin edhe garantues të zbatimit të kësaj marrëveshje.

Por, këtu çalon cështja, pasi BE dhe SHBA-të e dijnë se është Serbia subjekti që po ikë nga zbatimi i Marrëveshjes dhe Aneksit Kosovë-Serbi, dhe, përkundër kësaj, nuk kemi masa dhe mjete që po zbatohen kundër shtetit serb. U futen masat ndaj Kosovës. Ndonëse, shkaktar i gjendjes është Serbia”, deklaroi profesori.

Krahas kësaj, Kelmedi, vlerësoi se qasje e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj shtetit serb është e gabuar.

Ai tha se derisa Kosovës po i bëhen kërkesa absurde, ndaj shtetit serb dhe kriminelëve serbë nuk po merret asnjë masë.

Dihet se SHBA dhe BE po përpiqen ta largojnë Beogradin mga Rusia. Kjo është e pamundur. Kështu, Serbia po arrinë të përfitoj financa nga BE dhe investime nga SHBA-të. Kjo çështje ka arritur deri në atë pikë, sa që në raport me Kosovën, përkrahet shteti serb, qoftë edhe duke toleruar krime terroriste ndaj shtetit tonë.

E gjithë kjo, u vazhdua me kërkesa absurde ndaj Kosovës. Kërkohet largimi i policisë nga ndërtesat e komunave në veri dhe të kryetarëve. Kurse, nuk kritikohet dhe nuk merren masa ndaj shtetit serb për aktet kriminale dhe bojkotimin e zgjedhjeve të 23 prillit. Nuk u kërkua as masa serbe për largimin e policëve, gjyqtarëve, kryetarëve të komunave dhe të administratës nga puna në katër komunat e veriut”, theksoi ai.

Ndër të tjera, profesori tha se moszbatimi i marrëveshjes së arritur në Ohër nga ana e shtetit serb, ka ndikuar në tensionum të situatës në veri.

Ai tha se nuk zgjidhen problemet Kosovë-Serbi pa ndëshkim të kriminelëve serbë.

Vendosen ndaj Kosovës masa e nuk diskutohen shkaktarët e gjendjes dhe kriminelët serb, ndaj tyre nuk u morën as masa ndëshkuese. Këtu qëndron fakti pse kemi gjendje të rëndë në veri të Kosovës. Këtu është shkaku pse nuk po zbatohen marrëveshjet e bëra nën mbikqyrjen e BE-së dhe SHBA-së.

Pa ndërmarrë masa konkrete ndaj Serbisë, nuk ndalen kriminelët serbë, nuk zgjidhen çështjet në mes Kosovës dhe Serbisë. Vazhdimi me përkëdhelje ndaj Beogradit vetëm i shton apetitet nacional-terriroriste të Serbisë, këtej edhe nuk ndalet shteti serb”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Burjani: Problemi nuk zgjidhet nëse Kurti e Vuçiq mbyllen në ndonjë hapësirë

Ndërsa, analisti politik, Blerim Burjani në një prononcim për “Bota sot” kundërshoi dienë për konferencë ndërkombëtare, derisa tha se porblemet nuk zgjidhen me ‘mbylljen’ e Kurtit dhe Vuçiqit.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, Serbia nuk pranon një ide të tillë, pasi ajo nuk ka ndonjë obligim direkt nga ndërkombëtarët, vetëm Kosova ka një të tillë, siç është Asocaicioni.

“Problemi nuk zgjidhet nëse Kurti e Vuçiq mbyllen në ndonjë hapësirë deri në përfundim të arritjes së ndonjë marrëveshjeje. Serbia nuk pranon një ide të tillë, deri më tash problem mbetet Asociacioni që vetëm Kosova e ka obligim direkt, Serbia nuk ka ndonjë obligim direkt.

Marrëveshja e Ohrit kishte dhënë detyra direkte dhe thelbësore për interesat serbe në Kosovë, Serbia thuhej se do ta njihte defakto Kosovën, kjo ishte gënjeshtër e fshehur në marreveshje për të cilën Serbia e tha qartë se nuk pranon marrëveshje kurrë dhe për këtë u sanksionua fare”, deklaroi analisti.

Madje, Burjani tha se shteti serb nuk do marrëveshje përfundimtare, pasi nuk do pranojë kurrë ta njohë Kosovën.

Serbia nuk do marrëveshje përfundimtare, këtë e ka bërë me dije Vuçiq, opozita serbe është edhe më ekstreme ndaj njohjes.

Nuk mund të ketë konferenca të tipit ndërkombëtar, por takime mund të ketë dhe mund të zgjidhen disa çështje të ndërsjellta, pra takimet për zgjidhje mund të jenë tre ditore por jo konferenca, dihet se BE dhe SHBA-të janë në këto takime”, nënvizoi ai.

Në fund, analisti tha se Kosova mund ta pranojë Asociacionin vetëm kur Serbia ta njohë si shtet të pavarur, përndryshe pa njohje nuk zgjidhet problem dhe vetëm se dëmtohet vendi ynë.

“Kompromisi i vetëm që mund ta bëjë Kosova është që për themelimin e asociacionit të ketë njohje reciproke që do t’i jepte fund problemit, tjerat propzime s’kanë asnjë kuptim. Pa njohje reciproke nuk ka zgjidhje dhe s’do të ketë kurrë. Substanca e problemit është njohja reciproke. Perëndimi dështoi kur e hoqi njohjen reciproke. Me heqjen e njohjes de jure nga agjenda, nuk mbetet gjë më, Kosova shkon drejt dështimit dhe ndarjes eventuale herët apo vonë”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat