Publicisti hedh dyshime të mëdha, zbërthen prapaskenat e sanksioneve ndaj Kosovës: Ky është ‘jokeri’ i Vuçiqit!

Politika

Publicisti hedh dyshime të mëdha, zbërthen prapaskenat e sanksioneve ndaj Kosovës: Ky është ‘jokeri’ i Vuçiqit!

Nga: A.M. Më: 10 korrik 2023 Në ora: 17:15
Albin Kurti, Aleksander Vuçiq

Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Hyrja në fuqi e këtyre masave sipas zyrtarëve evropian pasuan mosndërmarrjen e hapave nga autoritetet në Prishtinë që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të Kosovës.

Masat parashohin “pezullimin e të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, pezullimin e financimit të programeve të Bashkimit Evropian, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për Investime në Ballkanin Perëndimor, si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike përveç atyre që lidhen me dialogun”.

Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një prononcim për “Bota sot” komentoi vendosjen e këtyre sanksioneve ndaj Kosovës.

Ai kritkoi ashpër këto masa të BE-së duke i cilësuar si skandaloze, pasi ato janë në adresë të gabuar, duhet t’iu vendoseshin Serbisë.

“"Sa poshtë ka rënë katundi!" Kështu thotë populli, në habinë e tij të skajshme, për veprimet skandaloze, që bëjnë ata, prej të cilëve nuk pritej! Sanksionet e BE-së dhe të tjerëve, të vendosura ndaj Kosovës, janë në adresë të gabuar. Është Serbia që duhej dhe duhet sanksionuar, për shkeljen e marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit. Përkundër Kosovës, Vuçiq anashkalon të gjitha marrëveshjet tjera dhe nxjerrë si "joker", qëllimshëm, Asociacionin”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Zeqiraj radhiti tri kërkesat e BE-së ndaj Kosovës dhe i analizoi ato, derisa mbështeti përgjigjen e Kurtit ndaj këtyre kërkesave.

“BE-ja parashtron tri kërkesa për Kurtin, përkatësisht, për Kosovën, që ndërlidhën me depërshkallëzimin e situatës shpërthyese në veriun e Kosovës:

1) Largimin e kryetarëve të komunave, të zgjedhur, ligjërisht, më 23 prill 2023;

2) Largimin e Policisë Speciale të Kosovës nga mjediset e 4 komunave veriore;

3) Shpallja e menjehershme të zgjedhjeve të parakohshme dhe garantimin e mbajtjes së tyre.

Përgjigja e kryeminstrit Kurti, mendoj se, është logjike. Vërtet, ai mund ta largojë nga zyra komunale, në Leposaviç, kryetarin Lulzim Hetemin, (dhe këtë duhet ta bëjë menjëherë), për ta vendosur në ndonjë objekt tjetër. Edhe pse kjo është një kërkesë provokative e cinike, sepse është teke e bandave serbe, me prapavijë të qartë politike. Objektet komunale janë pronë e Kosovës dhe jo e "milicisë fashiste të Beogradit", - siç i emërtonë, saktësisht, kryeministri Kurti”, theksoi publicist nga Gjermania.

Sipas tij, kërkesa për largimin e Njësisë Speciale të Kosovës ka si për qëllim hapjen e ‘rrugës’ për Listën Serbe për ‘psuhtimin e zyrave të komunave veriore.

Image
Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj

“Kërkesën për largimin e Policisë Speciale, e herë-herë, të gjithë Policisë të Kosovës, nga ambientet e komunave në veri, ka një qëllim, qartësisht, të lexueshëm: "Lista Serbe", e mbështetur nga dy organizatat terroriste, "Severna Brigada", (Brigada e Veriut) dhe "Civilna Zashtita", (Mbrojtja Civile), të dirigjuara nga Beogradi, realisht, nuk janë të interesuara për zgjedhje të sërishme.

Përkundrazi, duan t`i pushtojnë zyrat ekzistuese, ta vazhdojnë punën dhunshëm, qoftë edhe me pagesë nga Beogradi, për të krjuar kushtin "fait a copli", -faktin e kryer-, të pavarësimit të Veriut nga Kosova zyrtare! Zvoglimi i numrit të kontrolluar të policisë, në raport me situatën faktike në terren, mund të bëhet, por, me një rezervim gjetkë dhe në gadishmëri nevoje”, nënvizoi Zeqiraj.

Më tej, ai tha se besimi në KFOR-in u luhat pas eskalimit të situatës me 29 maj, ku u sulmuan ushtarët e KFOR-it.

“Ndërkombëtarët, ndërmjetësuesit thonë se "mbrojtjen e komunave e siguron KFOR-i!?" Por gurët, stupcat e plumbat e 29 majit 2023, në Zveçan, e vunë në luhajë besimin se KFOR-i nëse e ka seriozisht mbrojtjen e institucioneve, ndërkohë që nuk mbrojtën as vetën! Ndryshe nga Policia, Ushtria, zakonisht, është e paprekshme, duke përdorur edhe armën në vetëmbrojtje. Çuditërisht, KFOR-i nuk përdori as -gazin lotësjellës-, si masë elementare të përballjes me turmën-bandë!?”

Gjithashtu, publicisti tha se mund të priten edhe sanksione më ashpra edhe nga shtetet tjera, ndonëse ato janë të padrejta dhe të njëanshme.

“Sanksionet, tashmë, disa janë vënë, ndërkohë pritën sanksione tjera, qofshin nga BE-ja, SHBA dhe shtete të tjera veç e veç. Padyshim, këto sanksione janë sa të njëanshme, aq edhe të padrejta. Paradoksalisht, po ndëshkohet viktima-Kosovë dhe jo persekutori-Serbi! Serbia është shkelëse serike e marrëveshjeve, që nga nisma e dialogut, tej një dekade më parë dhe në vijimësi”, potencoi ai.

Ndër të tjera, shtoi se tolerance e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë, i ka krijuar hapësirë kësaj të fundit për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin.

Madje, paralajmëroi pendim të ndërkombëtarëve për këtë përkrahje që po ia bëjnë Serbisë dhe themelimit të Asociacionit.

“Toleranca me tepëri e BE-së, për Serbinë, pretenduese e shantazhuese, ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe, në veçanti, me shenjestër Kosovën, i ka krijuar hapësirë për ta destabilizuar jo vetëm Kosovën, por edhe më gjërë Ballkanin. Dhe, për revanshin e sotëm të Serbisë, nesër do të pendohen, ashtu siç u pendua Christopher Hill, për lejimin e themelimit të Asociacionit të 14 komunave në Bosnje e Hercegovinë, që fundoi me "Republika Srpska"! Por, pendimi i vonuar nuk amniston fajësinë, tashmë, të bërë”, përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat