Kritikoi Kurtin, Mustafës i vjen kundërpërgjigjja: Broçkulla, kishe besim te Thaçi, jo te Kurti

Politika

Kritikoi Kurtin, Mustafës i vjen kundërpërgjigjja: Broçkulla, kishe besim te Thaçi, jo te Kurti

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 11 korrik 2023 Në ora: 22:01
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Ish- kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar mbrëmë qeverinë dhe kryeministrin e saj, Albin Kurti.

Ai ka thënë se kurrë nuk ka pritur që Qeveria e Albin Kurtit do të shkojë kaq larg.

Sipas Mustafës, burimi i kësaj është edhe te përkrahje e një pjese të popullit ndaj Qeverisë.

Ai ka thënë se VV-ja bën sondazhe që sa për qind e popullsisë po i mbështesin politikat e tyre.

Sipas tij, kjo qasje është gabim dhe nuk duhet të përkrahet.

”Kurrë nuk kam pritur që do ta sjellin vendin në këtë situatë. Kurrë nuk kam besu që shkohet kaq larg dhe dikush i jep drejtën që të sillet në mënyrë kaq brutale”.

“Burimi është te një pjesë e përkrahjes popullore të cilën e kanë, vetë faktin që çdo ditë bëjnë sondazhe tregon se është një gabim i madhe dhe i atyre që i përkrahin edhe të këtyre që e përdorin këtë formë”, ka thënë Mustafa.

Gjersa, partia e Mustafës ka qenë në koalicion me VV për të formuar qeverinë Kurti I, pastaj për ta “rrëzuar”, analisti politik në Amerikë, Binak Maxharraj, thotë se Mustafa ia kishte tejkaluar Kurtit.

Sipas tij, ish- kryetari i LDK-së nuk kishte besim te Kurti siç kishte besim te Thaçi.

“Paska folur diçka Isa Mustafa: Kurrë s’kam besuar se Kurti shkon aq larg, por ti ia ke tejkaluar dyfish. Së pari, nuk është e vërtetë se keni pasur besim te Albin Kurti. Gjashtë muaj ju deshtën që të bënit koalicion me Kurtin, kurse me Thaçin ju është dashur vetëm në një natë në një restorant të errët me drita qiriu. Nuk vonoi shumë për hatër të pederit Grenell i cili t’i dha shtatë ditë që ta prishësh koalicionin dhe pastaj të rrëzohet qeveria Kurti I. Kjo u bë sepse Kurti ishte arrë e fortë, nuk mundi ta thyejë Grenell sikurse luajti me ty e Thaçin”, shprehet Maxharraj.

Image
Binak Maxharraj

Ai përmend arsyet pse Kurti dallon nga Mustafa, gjersa shton se ai flet broçkulla.

“Së dyti, Albin Kurti nuk është i korruptuar siç ishit ju elita shkatërruese e shtetit, të zhytyr në hajni, korrupsion.

Së treti, Albin Kurti kurrë nuk e ka tradhtuar shtetin sikurse bëtë ju liderët para tij, që ia dhatë si në shuplakë të dorës Çakorrin Malit të Zi.

Së katërti, Albin Kurti ishte kundër dhe nuk e votoi themelimin e Gjykatës Speciale ku ishte dashur të ishe edhe ti. Kjo është sa i përket se ke pasur besim te Kurti, pra janë broçkulla.

Së pesti, theksova se vetë nuk ke besuar se Kurti do të shkojë aq larg, pa caktuar fare largësinë. Por, një gjë dihet, ti ke shkuar edhe më larg sesa Kurti, aq larg sa që more në qafë shtetin me nënshkrimin e asociacionit një etnik serb, që do të thotë propozimi i ndarjes së Kosovës në baza etnike. Asociacioni që e ke nënshkruar më 2015 është bërë i famshëm sa që për çdo ditë Vuçiqi po e kërkon të aplikohet. Asociacioni yt të cilin Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë me 23 vërejtje, ishte thikë pas shpine për Kosovën. Ti e ke bërë, ti e ke nënshkruar, Kurti diçka të tillë kurrën e kurrës nuk do ta bënte”, shton Maxharraj.

Kujtojmë, se Isa Mustafa i shërbeu Kosovës si kryeministër që nga dhjetori i vitit 2014 deri në shtator të vitit 2017.

Ai gjithashtu kishte qenë kryetar i Prishtinës nga dhjetori i 2007 deri në dhjetor të vitit 2013.

Mustafa ishte edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që nga viti 2010 dhe 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat