“Çfarë do të ndodhë me policët dhe çfarë statusi do të ketë veriu”, juristi krijon “pikëpyetje” pas marrëveshjes për deeskalim të situatës

Politika

“Çfarë do të ndodhë me policët dhe çfarë statusi do të ketë veriu”, juristi krijon “pikëpyetje” pas marrëveshjes për deeskalim të situatës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 korrik 2023 Në ora: 17:33
Veriu i Kosoves

Qeveria e Kosovës tashmë ka arritur të pajtohet me BE-në për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Në bazë të një vendim të njoftuar të martën, Qeveria ka njoftuar se është pajtuar që të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, pas verës.

Dakordimin në mes të Kosovës dhe BE-së, e ka njoftuar edhe kryeministri Albin Kurti në Twitter, në gjuhën angleze.

“Qeveria jonë ka arritur një marrëveshje me BE-në për hapat e ardhshëm për deeskalimin në veri dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Kjo tregon gatishmërinë tonë për të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon, në shërbim të demokracisë dhe sundimit të ligjit”, ka shkruar Kurti.

Ai ka publikuar edhe katër pikat e kësaj marrëveshjeje.

Këto janë katër pikat e prezantuara nga Kurti:

• Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

• Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

• Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.

• BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.

Veprimet e sipёrpёrmendura do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore.​

Duke komentuar vendimin e qeverisë së Kosovës dhe këto masa, juristi Muhamet Kelmendi, thotë se këto de fakto dërgojnë te vendosja e pushtetit serbo madh në katër komunat e veriut të Kosovës.

“Masat e ndërmarra nga Qeveria Kurti në Bratisllave janë hap që dërgon te vendosja e pushtetit serb në veri të Kosovës. Në Bratisllavë të Sllovakisë u bë takimi midis kryenegociatorit të Kosoves z.Bislimi dhe atij te UE, z Lajqak. Nga takimi dolën disa vendime, që de-fakto dërgojnë te vendosja e pushtetit serbomadh në katër komunat e veriut të Kosovës. Vendimet ishin: 1. Zvogëlimi i numrit të policëve të Kosovës nëpër komuna dhe rreth komunave në veri për 25%. 2. Analizimi i gjendjes në veri me strukturat e sigurisë, si KFOR, EULEX etj., kohë pa kohë, për të ecur në masat tjera. 3. Përkatitjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës. 4. Punën e përbashkët që zgjedhjet të bëhen mbi bazën ligjore. 5. Mos të ndërmerret asnjë veprim që dërgon në keqësimin e gjendjes në veri të Kosovës”, deklaron Kelmendi.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, zgjedhjet do të mbahen dhe në pushtet domosdo do të vijnë kandidatët e përcaktuar nga shteti serb.

“Nga qëndrimet e tilla vërehet se tërë masat e ndërmarra deri më tash hiqen gradualisht nga fuqia e tyre e veprimit dhe shkohet në zgjedhje te reja dhe të jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Kosovës. Thjesht: Zgjedhjet e reja do të mbahen dhe këtu në pushtet domosdo do të vijnë kandidatët e përcaktuar nga shteti serb, të cilët nëpërmjet Listës serbe do të futen në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Qëndrimi që mos të ndërmerren masat tjera që rrezikojnë gjendjen nënkupton, kuptohet në interpretim logjiko-autokton, mos arrestimin e kriminelëve dhe mos ndalimin e kandidateve për asamblistë dhe kryetar të komunave në veri të vendit. E këtë pikërisht para zgjedhjeve duhet ndërmarrë. Me këto vendime do të kemi pushtetin e njëjtë si më herët. Edhe njerëzit e edhe ana juridiko-politike e shoqërore mbesin të njëjta. Asgjë nuk ndryshon”, pohon Kelmendi.

Ai thotë se mbetet e paqartë pjesa se si do të veprohet me policët e Kosovës dhe çfarë statusi do të marrë veriu.

“Mbetet e paqartë se si do te veprohet me policët e Kosovës? Kur mendohet të largohen nga komunat? Çfarë statusi do të marrë veriu etj.? Mendohet se policët gradualisht do të zvogëlohen në numër, mos edhe të largohen tërësisht, duke i lëshuar vendin ushtarëve të KFOR-te dhe policëve të EULEX-it. Mundet që OSBE të marrë edhe rolin e organizimit të zgjedhjeve në veri. Faktet e tilla tregojnë se kështu humbe sovraniteti i shtetit. Futet veriu nën ombrellën e Rezolutës së KS të OKB-së nr. 1244 dhe del territori pa status. Këtej, kërkohet që paraprakisht dhe në vijë të veprimeve të ndërmerren masat e veçanta sipas Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Kërkohet që për veri të ketë qartësi juridike, ekonomike e organizative. Nuk duhet lënë çështjen në amulli statusore, sepse vetëm krijon rreziqe, e cila shpie drejt konflikteve”, nënvizon juristi.

Ai kërkon zbatim të marrëveshjeve juridike të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, gjersa shton se pa zbatimin e tyre nuk ka zgjidhje të çështjes së veriut.

“Veriu i Kosovës është pjesë e intergritetit territorial të Kosovës dhe kjo duhet të sanksionohet. Me këtë krijohet baza e shtetit ligjor. Ndërsa, ecja në zgjedhje, pa këtë, vetëm probleme krijon. Marrëveshja e Bruxelit dhe aneksi i Ohrit kërkohet të zbatohen në përpikëmëri dhe në mënyrë kronologjike. Me atë krijohen edhe kushtet për zgjedhje dhe dihet se ku po shkon veriu. Nëse nuk zbatohen këto dy marrëveshje juridike, nuk do të kemi as zgjidhje të çështjes në veri. Gjendja mbetet e njëjtë. Zgjedhjet në veri, pa e zbatuar marrëveshjen dhe aneksin, krijojnë gjendje të njëjtë, si më herët. Ashtu bëhet baza për të dëmtuar integritetin e Republikës. Krijohen kushtet për shtet serb. Këtë nuk duhet lejuar”, përfundon Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat