Ekskluzive: BE shpalos për “Bota sot” detaje të reja rreth dakordimit për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës

Politika

Ekskluzive: BE shpalos për “Bota sot” detaje të reja rreth dakordimit për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës

Nga: Qëndresë Rexhaj Më: 12 korrik 2023 Në ora: 18:33
Foto ilustrim

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka njoftuar dje se në takimin me përfaqësuesin e lartё tё Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, janë dakorduar për katër pika, ku përfshihet edhe deklarata publike e Qeverisë së Kosovёs që mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit, shkruan Bota sot.

Bislimi po ashtu ka njoftuar se janë dakorduar që Policia e Kosovёs bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndërtesave komunale.

Muletier: Takimi i radhës do të mbahet javën e ardhshme

Për këto dhe shumë çështje të tjera, ka folur për gazetën “Bota sot”, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Zoi Muletier.

Ajo ka thënë se në takim ndër të tjera u diskutua përgjigja e Kosovës ndaj kërkesave të BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.

Image
Zoi Muletier

“Përfaqësuesi Special i BE-së, Lajçak, pati një takim jozyrtar dypalësh me Zëvendës kryeministrin e Kosovës dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi në Bratislavë më 10 korrik. Ata diskutuan përgjigjen e Kosovës ndaj kërkesave të BE-së për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në 4 komunat veriore, dhe kthimin në zbatimin e Marrëveshjeve të Dialogut, sipas deklaratës së BE27 të 3 qershorit”, deklaron ajo.

Muletier thotë se Bislimi dhe Lajçak u dakorduan për hapat prioritar të Kosovës në tri fusha.

“Ata ranë dakord për hapat e parë prioritar të Kosovës në të gjitha këto 3 fusha. Këto përfshijnë zvogëlimin e menjëhershëm të prezencës së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, Kosova do të kryej rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas nevojës, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të kësaj pranie, duke mos ndërmarrë asnjë lëvizje që do mund të përshkallëzojë situatën, dhe do mbështesë zgjedhjet e parakohshme lokale si dhe do vendosë bazën e nevojshme ligjore”, deklaron Muletier për Botasot.

Tutje ajo konfirmon se, përfaqësuesi Special i BE-së, javën e ardhme ka ftuar kryenegociatorët në Bruksel, për të vazhduar diskutimet mbi zbatimin e marrëveshjes së re për rrugën drejt normalizimit.

“Përfaqësuesi Special i BE-së ka ftuar kryenegociatorët në Bruksel javën e ardhshme për të vazhduar diskutimet mbi zbatimin e marrëveshjes së re për rrugën drejt normalizimit dhe aneksin e zbatimit të saj, me shpresën që palët të bien dakord për hapat e ardhshëm që mundësojnë fillimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa vonesa të mëtejshme”, thotë ajo.

Ahmeti: Koha për unifikim

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, thotë për Botasot se është koha e unifikimit të partive politike parlamentare dhe jashtëparlamentare, e krejt kjo sipas tij, për shkak të çështjeve aktuale me të cilat po ballafaqohet Kosova.

“Është koha të unifikohen partitë politike parlamentare dhe jashtë parlamentare, pasi po kemi të bëjmë me çështje shumë të ndjeshme që po ballafaqohet Kosova”, deklaron ai.

Të hënën më 10 korrik në Bratislavë të Sllovakisë, kryengociatori kosovar, Besnik Bislimi bëri të ditur se është pajtuar me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak për hapat për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.

Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës.

Situata ka eskaluar më datën 29 maj, ku grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar.

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat