“Populli mund të eksplodojë nga brenda”, veprimtari i çështjes kombëtare alarmon – kjo është thirrja urgjente për Qeverinë!

Politika

“Populli mund të eksplodojë nga brenda”, veprimtari i çështjes kombëtare alarmon – kjo është thirrja urgjente për Qeverinë!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 12 korrik 2023 Në ora: 22:11
Albin Kurti

Veprimtari i çështjes kombëtare, profesori Fahri Mahalla, thotë se, shumë shtetas të Republikës së Kosovës, do të mbesin pa kulm mbi kokë.

Krejt kjo si pasoj e rritjes së tatimit në pronë të paluajtshme.

Ai thotë se, edhe rritja e çmimeve ushqimore bazë është e papërballueshme.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës, nga momenti që nuk arrijnë t'i paguajnë tatimet ndaj shtetit, dhe ushqimin për familjet e tyre, bien në depresion, prandaj pyesin se “çka me pagu ma parë, kur kemi mungesa të parave”?

“Me i paguar tatimet, apo me ble ushqim për familje, apo me i ble barnat”?

“Ushqimi mbi të gjitha për të mbijetuar, barnat gjithashtu duhen për t’u shëruar. Për të dalë nga kjo situatë, janë dy zgjidhje. Të rriten rrogat, apo të zbriten tatimet, dhe çmimet e ushqimeve bazë”, thotë profesori.

Ai shton se, biznesmenët i rrisin çmimet sipas dëshirës, në veçanti i rrisin çmimet kur vijnë mërgimtarët në pushime.

Image
Profesor Fahri Mahalla

“Qeveria duhet t’i kontrollojë çmimet, duhet ta ketë një kufi. Tatimet dhe çmimet duhet të harmonizohen, me të ardhurat e rrogës mujore. Biznesmenët dhe institucionet e Kosovës po bazohen në rrogat e mërgimtarëve. Ndoshta disa mërgimtarë mund t’i përballojnë çmimet dhe, jo të gjithë. Por vendasit, me rrogat që marrin nuk mund t’i përballojnë as çmimet, as tatimet. Duke mos arritur t’i përballojnë çmimet e ushqimeve bazë dhe tatimet, mund të vijë deri te një revoltë popullore. Qeveria duhet ta ketë parasysh këtë”, thotë ai, teksa shton se, Qeveria duhet të merr masa sa ma parë, sa nuk është bërë vonë.

“Çdo gjë që eksplodon nga brenda, dëmet janë të pariparueshme, sidomos në situatën që jemi me Serbinë. Serbia e do destabilizimin e Kosovës, dhe të tjerët. E keqja nëse vjen nga jashtë, mund të ndalohet me ndihmën e popullit. Populli kur është në harmoni me institucionet shtetërore, i eviton të gjitha të këqijat. Qeveria duhet të afrohet me popullin, është një thënie: skamja të dërgon në derë të hasmit. Mos e bëni popullin me eksplodu nga brenda. Nëse popullit i mbyllen të gjitha dyert, qytetarët nuk kanë rrugë tjetër. Institucionet nuk duhet të ia vështirësojnë jetën qytetarëve, sepse pa para nuk ka ushqim, pa ushqim nuk jetohet, pa barna nuk shërohemi. Pa para nuk kemi mundësi m’i paguar as tatimet”, potencon ai.

Ai thekson se, pozita dhe opozita duhet të afrohen për ta shpëtuar Kosovën nga e keqja dhe për ta penguar shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova.

“Rritja e tatimeve në pronën, dhe rritja e çmimeve të ushqimeve bazë mund ta ngrisin revoltën e brendshme. Ju bëj thirrje institucioneve të Kosovës, të jenë të vëmendshme, mos t’ua shtrëngojnë popullit lakun në fyt. Merre me mend, edhe mërgimtarët, po mendojnë me i shitë shtëpitë dhe banesat. Çka me bërë qytetarët që jetojnë në Republikën e Kosovës, si mund t’i përballojnë çmimet bazë të ushqimeve, dhe si mund ti paguajnë tatimet në pronë, dhe barnat, etj etj. Shteti nuk mbahet duke i rrit tatimet. Së pari rriten rrogat, pastaj tatimet të rriten minimalisht.  Tatimet duhet të paguhen, duke u bazuar në rrogat që marrin qytetarët. Rroga e dinjitetshme, ndalon shpërnguljen e të rinjve nga Kosova. Kosova dhe Shqipëria, janë shtetet ma të bukura, dhe ma të dashura në botë për shqiptarët”, thotë profesori.

Sipas tij, opozita nuk duhet t’i gëzohet të keqes, dhe dështimeve të Qeverisë Kurti.

“Kjo qeveri mund të gaboj nga mosdija, dhe nga mos  përvoja. Opozita duhet të afrohet për ta ndihmuar këtë qeveri, sepse jemi në gjendje të vështirë, mos të them jemi në gjendje lufte, në pyetje është Kosova. Dikur edhe ju, që tani jeni në opozitë, ishit në pushtet, edhe ju keni bërë gabime, keni bërë edhe të mira për Kosovën. Por mos u mburrni se keni qenë pa gabime, edhe ju i  keni bërë disa gabime të pariparueshme. Atëherë kur ishit ju në pushtet, ishim në rrethana ma të favorshme për Kosovën, ka patur mundësi, me u bërë më shumë më shumë për Kosovën. Zënkat e subjekteve politike, të të gjithëve, pa përjashtim e kanë prurë Kosovën në këtë gjendje që ne ende nuk i dimë dëmet që ju kanë bërë Kosovës, nga të paditurit, apo nga të shiturit, apo nga ata që e kanë të zënën bishtin me derë, që janë të shantazhuar, së shpejti të gjitha do të dalin në sipërfaqe. Ata që e dëmtuan, apo e tradhtuan Kosovën, duhet të dalin para drejtësisë. Disa më shumë kanë bërë për veten e tyre sesa për Kosovën. Tani është momenti të bashkohemi të gjithë, për hir të Kosovës”, përfundon profesori Fahri Mahalla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat