Marrëveshja për situatën në veri, analistët paralajmërojnë Kosovën: Ja “kushti” që mund ta kërkojë tani Serbia

Politika

Marrëveshja për situatën në veri, analistët paralajmërojnë Kosovën: Ja “kushti” që mund ta kërkojë tani Serbia

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 korrik 2023 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

“Drita në fund të tunelit” për situatën e krijuar në veri të Kosovës, tashmë shihet. Qeveria e Kosovës ka njoftuar se është pajtuar që të zvogëlojë praninë policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja, pas verës.

Pajtimi për këtë është arritur gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas Qeverisë të gjithë hapat do të finalizohen brenda një periudhe dyjavore.

Një hap i tillë nga analistët politikë konsiderohet i duhur dhe i vonuar. Sipas tyre, në veri “luhet një lojë” nervash dhe taktike.

Haziri: Kurti duhet t’i sqarojë opinionit se çfarë arriti me këto katër muaj tensionim në veri

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se qeveria e Kosovës duhet t’i sqarojë opinionit se çfarë arriti me këto katër muaj tensionimi në veri.

“Vendim i duhur dhe i vonuar dhe si rezultat i presionit ndërkombëtar dhe masave të vendosura ndaj Kosovës nga BE dhe ShBA. Dhe tani qeveria e Kosovës dhe vetë z. Kurti duhet t’i sqarojë opinionit se çfarë arriti me këto katër muaj tensionim në veri të vendit përpos masave nga BE-ja, prishja e raporteve me aleatët dhe prishja e imazhit të Kosovës në sytë e investitorëve potencialë të huajë, ku vendi ynë tashmë shihet si një vend i pasigurt për investime, polarizimi i shoqërisë e dëme të tjera”, shprehet Haziri.

Në media tashmë është publikuar marrëveshja në gjuhën angleze, mes Kosovës dhe BE-së, në të cilën janë të përfshira katër pika:

1.Qeveria e Kosovës publikisht shpall përkushtimin e saj për të punuar në depërshkallëzimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë masë për përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës. Kjo përfshin një ulje të menjëhershme për 25% të gjithë pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale.

2.Policia e Kosovës kryen rregullisht vlerësime të përbashkëta të sigurisë me EULEX-in dhe me KFOR-in sipas nevojës, për të vlerësuar mundësinë e zvogëlimit të mëtejshëm të gjithë pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale.

3.Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike duke inkurajuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pas verës, në katër komunar në veri. Kosova angazhohet që të ketë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.

4.BE-ja do të ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel për të finalizuar Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit, pas së cilës do të fillojë zbatimi i të gjitha dispozitave të marrëveshjes.

Me këtë vendim të qeverisë së Kosovës, sipas Hazirit, presioni kalon tashmë te Serbia.

“Nga ky vendim i qeverisë së Kosovës, tani presioni ndërkombëtar kalon te Serbia që mos t’i pengojë serbët kosovarë për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme lokale dhe mos të mbështesë bojkotimin e tyre”, pohon Haziri.

Pak orë para se të bëhet i ditur vendimi i qeverisë së Kosovës për marrëveshje në veri, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ishte shprehur skeptik.

Ai pas një aktiviteti që u mbajt në Pejë, kishte thënë se e ka të vështirë të thotë se janë afër arritjes së një zgjidhjeje për situatën në veri, përkundër takimit të djeshëm të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Megjithatë ai tha se deeskalimi i situatës në veri duhet të ndodhë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Beogradi zyrtar do të jetë gjithnjë i interesuar për destabilizim”

Deklaratën e ambasadorit amerikan, analisti Haziri e konsideron realiste, gjersa shton se vendimi i qeverisë së Kosovës nuk është për zgjidhje përfundimtare për problemin në veri.

“Lidhur me deklaratën e ambasadorit amerikan, është realiste , pasi ky vendim nga qeveria e Kosovës nuk është për zgjedhjen përfundimtare të problemit në veri, por shtensionim i situatës dhe një lloj normaliteti që palët i rikthen në tavolinën e dialogut. Natyrisht se deri sa akoma nuk ka një marrëveshje finale Kosovë- Serbi me njohje reciproke Beogradi zyrtar do të jetë gjithnjë i interesuar për destabilizim si formë dhe jo vetëm për të forcuar pozicionin e saj negociues dhe imponues në procesin e dialogut me Kosovën”, thekson Haziri.

Kurse, analisti politik Faton Mehmeti, thotë se Kurti përpiqet ta tërheqë perin deri në fund, por të mos e këput”.

Image
Faton Mehmeti

Sipas tij, serbët do të kërkojnë formimin e asociacionit si kusht për t’u kthyer në institucione dhe ata do ta kenë mbështetjen e ambasadës amerikane.

“Në veri po luhet lojë nervash dhe taktike, Kurti e tërheq perin deri në fund, por nuk e këput, derisa Serbia mundohet që të përfitojë nga kjo situatë për të propaganduar për "diskriminimin" e serbëve me Asociacion si kërkesën kryesore të tyre. Serbët do të vazhdojnë me bojkotim në tentativë për të përfituar sa më shumë. Ata do kërkojnë Asociacionin si kusht për t’u kthyer në institucione, me ambasadën amerikane që në mënyrë të pa shpjegueshme nuk po e mbështet Kosovën siç e meriton. Kjo edhe ka frymëzuar më shumë serbët për bojkot dhe insistim në Asociacion. Serbia me çdo kusht synon destabilizimin e vendit deri tek Asociacioni, hapi i parë i krijimit të shtetit të ri brenda Kosovës”, deklaron Mehmeti.

Kujtojmë, se Bashkimi Evropian kishte paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Edhe më herët, krerët shtetërorë në Kosovë janë shprehur të gatshëm që të organizojnë zgjedhje të reja në komunat në veri, por kanë kërkuar që ato të përgatiten, në mënyrë që të mos ketë bojkotim.

Zgjedhjet e 23 prillit, nga të cilat dolën kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, ishin bojkotuar nga partitë dhe popullata serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat