25 për qind më pak policë në dhe rreth objekteve komunale/ Ekspertët e sigurisë tregojnë nëse pas këtij vendimi mund të cenohet siguria në veri

Politika

25 për qind më pak policë në dhe rreth objekteve komunale/ Ekspertët e sigurisë tregojnë nëse pas këtij vendimi mund të cenohet siguria në veri

Nga: Qëndresa Rexhaj Më: 14 korrik 2023 Në ora: 09:24
Policia në veri. Foto nga arkiva

Mbrëmjen e të mërkurës Policia e Kosovës ka reduktuar numrin e pjesëtarëve të saj në dhe rreth objekteve komunale në veri.

Ky aksion ka ardhur si rezultat i zotimit të Qeverisë së Kosovës dhënë Bashkimit Evropian, me qëllim të shtensionimit të situatës në veri, shkruan Botasot.

Islami tregon pse strukturat ilegale dhe të inteligjencës serbe nuk do të ndërmarrin asnjë veprim

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, shprehet i bindur se pas marrjes së garancionit nga Presidenti serb për largimin e një pjese të Policisë, strukturat ilegale dhe të inteligjencës serbe nuk do të ndërmarrin asnjë veprim qoftë në komuna ose përreth tyre.

Sipas tij, largimi i 25% të Policisë së Kosovës është hap i madh nga Qeveria e Kosovës, që të fillojë de-përshkallëzimi i situatës.

Image
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami

“Parakusht për de-përshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës është që strukturat e krimit të organizuar dhe inteligjencës serbe të mos veprojnë në veriun e Kosovës. Unë shumë besoj se pas marrjes së garancioneve nga Presidenti serb për largimin e një pjese të Policisë, strukturat ilegale dhe të inteligjencës serbe nuk do të ndërmarrin asnjë veprim qoftë në komuna ose përreth tyre dhe si rezultat i kësaj, pra kemi marrëveshje që 25% të policisë së Kosovën të largohen nga dhe përreth objekteve komunale, 25 % është një përqindje e vogël pra si shenjë e vullnetit të mirë nga ana e qeverisë së Kosovës që të fillojë de-përshkallëzimi i situatës dhe unë konsideroj që ky hap është në të mirë të qytetarëve të veriut dhe e vlerësoj si hap të rëndësishëm”, deklaron ai.

Ndërkaq, sa i përket asaj se pas reduktimit të numrit të Policisë a mund të cenohet siguria në veri, ai vlerëson se nuk ka rrezik, për shkak se 75% e strukturave të sigurisë janë aty.

“Jo sepse 75% e strukturave të sigurisë janë atje dhe në rast se vlerësohet që situata mund të përshkallëzohet institucionet përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë janë aty”, deklaron Islami për Botasot.

Shala: Policia do të duhej të bëj një analizë të veprimeve të saj

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, thotë për “Bota sot” se pas tërheqjes së trupave, Policia e Kosovës duhet të bëjë një analizë të veprimeve të saj tutje.

Sipas tij, stafi udhëheqës ka dëshmuar që mund të garantojnë rend dhe siguri për të gjithë qytetarët.

Image
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala

“Policia e Kosovës tani pas fillimit të procedurave të tërheqjes, do të duhej të bëj një analizë të veprimeve të saj si pasoj e interferimit të drejtpërdrejt të ministrit në punët e tyre dhe që nga analiza e dalur të mos t’i jepet mundësia të ndërhyj deri te pjesa teknike operacionale. Stafi udhëheqës dhe efektivet në terren kanë dëshmuar që mund të garantojnë rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim etnie dhe që Policia si institucion është çelësi kryesor i urave të bashkëpunimit në luftën kundër veprimeve kriminale”, deklaron ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se në takimin që kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka zhvilluar të hënën me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, Kosova është pajtuar që menjëherë të zvogëlojë praninë policore në dhe përreth ndërtesave komunale në veri, siç thuhet, për 25%.

Kurse, Kryeministri Albin Kurti ka thënë se marrëveshja e arritur midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për zvogëlimin e pranisë policore në veri, nuk është për largim të njësive të caktuara.

Ai ka thënë se këto janë vendime të brendshme të Policisë, ku politika nuk mund të ndërhyjë.

“Njësitet policore nuk janë duke u zvogëluar, është duke u zvogëluar prania e policisë. Marrëveshja jonë nuk është për largim të kësaj apo asaj njësie, sepse këto janë vendime të brendshme të Policisë ku politika nuk përzihet dot”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ky është gjest i vullnetit të mirë nga ana e Kosovës.

“Në dy javët e fundit nuk ka as protesta të dhunshme dhe as incidente. Duke e pasur këtë parasysh ne kemi thënë që është e dobishme të bëjmë një zvogëlim, reduktim për 25 për qind të policisë në ndërtesa dhe rrethina të tyre, si gjest i vullnetit të mirë nga ana e Kosovës”, është shprehur Kurti.

Kurse, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, derisa është deklaruar se dakordimi midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian më 10 korrik në Bratislavë rreth hapave për shtensionim të situatës në veri, ka thënë se po kërkohen arsye për ta fajësuar Serbinë.

Në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën, Vuçiqi është deklaruar rreth kërkesave që faktori ndërkombëtar ka për të dyja palët e dialogut sa i përket deeskalimit në veri.

“Tani fshihet një tjetër mashtrim nga Perëndimi. Kjo nënkupton ‘kthehuni dhe flisni normalisht’ edhe pse kanë arrestuar rreth 40 serbë. Shtensionimi është kur tërheqin 25 për qind të diçkaje? Ata kërkojnë një arsye të mjaftueshme për ta fajësuar Serbinë”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat