Dhuna dhe tensionet në Kuvend/ Haxholli: Sjellje të tilla mund të na dërgojnë në krizë të re institucionale

Politika

Dhuna dhe tensionet në Kuvend/ Haxholli: Sjellje të tilla mund të na dërgojnë në krizë të re institucionale

Nga: Q.R Më: 14 korrik 2023 Në ora: 13:36
Dhuna në Kuvend

Duke folur për dhunën në Kuvend, hulumtuesja Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë se këto përplasje fizike janë të papranueshme dhe e dëmtojnë demokracinë parlamentare, shkruan Botasot.

Sipas saj, nëse përsëriten akte të tilla nuk ka klim të mirë për të vazhduar puna parlamentare.

Derisa nuk e përjashton mundësinë që sjellje të tilla mund të dërgojnë vendin në krizë të re institucionale.

Image
Violeta Haxholli

“Ne si KDI i dënojmë këto sjellje të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe anëtarëve të Qeverisë. Këto përplasje fizike janë të papranueshme dhe e dëmtojnë demokracinë parlamentare, imazhin e Kosovës dhe janë hap prapa në zhvillimin demokratik të vendit. Nëse përsëriten akte të tilla nuk ka klimë të mire për të vazhduar puna parlamentare, partitë politike duhet të përmbahen nga çdo akt i tillë në ditët dhe javët në vazhdim në mënyrë që jeta parlamentare të zhvillohet në mënyrë normale. Përndryshe sjellje të tilla mund të na qojnë në një krizë të re institucionale ku bllokohet funksionimi normal i kuvendit, siç kemi dëshmuar në të kaluarën që kemi pasur kriza të tilla dhe në këtë drejtim duhet të ketë menaxhim më të mire të seancave nga ana e kryetarit të kuvendit I cili duhet të shqiptoj masa ndëshkuese për deputetët të cilët i thyejnë rregullat parlamentare, ashtu siç parashihet në rregulloren e kuvendit”, deklaron ajo për Botasot.

Eskalimi i situatës erdhi si rezultat i kritikave pas publikimit të disa përgjimeve ku ishte përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, të cilat rritën tensionet në seancën e Kuvendin të Kosovës më 13 korrik, që kulmuan me përleshje fizike.

Kusari-Lila ka pranuar se ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Në të kaluarën Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar vazhdimisht personat që kanë mbajtur kontakte me Radoiçiqin, që gjendet në listën e zezë amerikane, e kërkohet nga autoritetet gjyqësore të Kosovës. 

Në seancën plenare paraditen e 13 korrikut, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, iu ndërpre fjalimi. Ai po fliste për Radoiçiqin, dhe se si është tërhequr fletarrestimi ndaj tij në vitin 2021, disa ditë para se të formohej Qeveria e tij.

"Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë, është që është në një hotel në Kopaonik, në Serbi", tha Kurti.

Më pas, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Mërgim Lushtaku, iu afrua foltores dhe e gjuajti me ujë Kurtin dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimin.

Në atë moment, në mbrojtje të të dyve doli ministri i Financave, Hekuran Murati, të cilin Lushtaku pastaj e shtyu fizikisht me duar. Bislimi goditi me shishen e tij me ujë deputetin Lushtaku, i cili më pas pati përplasje fizike edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Në të njëjtën kohë, deputeti Hajdar Beqa, goditi ministrin Murati në fytyrë. Grushte u shkëmbyen mes të dyja palëve. Nga përleshja, Kurti, i rrethuar me sigurimin dhe ministrat e tij, u shty dhe u përplas në një nga ulëset e Kuvendit pranë foltores.

Policia e Kosovës, e thirrur nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, dhe mbrojtja e afërt e kryeministrit, ndërhynë për t'i ndalur përleshjet. Ata qëndruan brenda në sallën e Kuvendit, deri sa kryeministri u largua nga aty.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat