“Prapavija” e dhunës në Kuvend dhe si do të vazhdojë tani e tutje?

Politika

“Prapavija” e dhunës në Kuvend dhe si do të vazhdojë tani e tutje?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 korrik 2023 Në ora: 14:20
Pamje nga përleshja në Kuvend

Kanë kaluar disa ditë që nga 13 korriku, dita kur ndodhi përplasja në Kuvendin e Kosovës në mes të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe deputetëve e ministrave nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se puna e mirë e qeverisë do të vazhdojë dhe se nuk ka protestë që bazohet në grushte. Ndërsa analistët politikë thonë se Kosova e Kuvendi i saj ditën e enjte kishte “pushtuar” ballinat ndërkombëtare e rajonale, kësaj radhe jo për ndonjë sukses, e as për ndonjë marrëveshje me Serbinë, por për dhunë në mes deputetëve e ministrave.

E gjitha kishte filluar me kur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, iu ndërpre fjalimi.

Ai po fliste për Radoiçiqin, dhe se si është tërhequr fletarrestimi ndaj tij në vitin 2021, disa ditë para se të formohej Qeveria e tij.

"Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë, është që është në një hotel në Kopaonik, në Serbi", u shpreh Kurti.

Më pas, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Mërgim Lushtaku, iu afrua foltores dhe e gjuajti me ujë Kurtin dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimin.

Në atë moment, në mbrojtje të të dyve doli ministri i Financave, Hekuran Murati, të cilin Lushtaku pastaj e shtyu fizikisht me duar. Bislimi goditi me shishen e tij me ujë deputetin Lushtaku, i cili më pas pati përplasje fizike edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në të njëjtën kohë, deputeti Hajdar Beqa, goditi ministrin Murati në fytyrë.

Grushte u shkëmbyen mes të dyja palëve.

Nga përleshja, Kurti, i rrethuar me sigurimin dhe ministrat e tij, u shty dhe u përplas në një nga ulëset e Kuvendit pranë foltores.

“Përgjithësisht Kuvendi i Kosovës dominohet nga personalitete të kulturës e të shembullit të mirë”

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, thotë se disa struktura të së kaluarës nuk kanë ndryshuar akoma dhe ata u rikujtuan më 13 korrik.

Sipas saj, Kuvendi i Kosovës dominohet nga personalitete të kulturës e të shembullit të mirë.

Image
Jeta Statovci

Kemi rrugëtuar mbi dy dekada si një shoqëri e cila aspiron kulturën dhe standardin evropian të të vepruarit në politikë. Kemi menduar se kishim lënë pas sjellje të tilla, dhe përgjithësisht besoj se nuk jemi të tillë si ata pak deputetë që dhanë shembullin më të ulët të mundshëm në Kuvend. Përgjithësisht Kuvendi i Kosovës dominohet nga personalitete të kulturës e të shembullit të mirë, por disa struktura të së kaluarës nuk kanë ndryshuar akoma, dhe dje na rikujtuan se kush janë në esencë”, shprehet Statovci.

Pas tensioneve në Kuvend dhe pauzës disa orëshe, deputetët kishin miratuar disa projektligje, kjo sipas deputetes Statovci dëshmi që puna e mirë do të vazhdojë.

“Koha kur dhuna ka përcaktuar fatin politik të popullit të Kosovës ka përfunduar

Sipas saj, nuk ka protestë që bazohet në grushte.

“Kuvendi i Kosovës siç e dini dominohet nga forca e madhe politike e përcaktuar nga vullneti i popullit, pikërisht sepse sovrani e ka shumë të ditur kush çka përfaqëson. Nuk mund të pengohet Kuvendi me grushte; grushtimi i Ministrave është sulm ndaj personit zyrtar, është vepër që denohet me ligj. Ne jemi shumë të vendosur që të mos nënshtrohemi ndaj dhunës, pavarësisht nga cila enti, parti politike apo individë mund të vijë dhuna. Koha kur dhuna ka përcaktuar fatin politik të popullit të Kosovës ka përfunduar. Nuk ka protestë që bazohet në grushte, Kuvendi i nënshtrohet vetëm votës popullore dhe Kushtetutës, assesi grushteve. Puna e mirë do vazhdoj, madje, siç e dini edhe ju, mbrëmë janë votuar një sërë Projektligjesh, si Paga Minimale, Rregullimi i cmimit te produkteve farmaceutike, zgjedhja e Guvernatorit, Ligji për Institutin e Krimeve të Luftës, e shumë të tjera”, thekson Statovci.

Tensionet në Kuvendin e Kosovës u rritën për shkak të kritikave pas publikimit të disa përgjimeve ku ishte përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka pranuar se ka zhvilluar një bisedë me nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq. Në të kaluarën Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar vazhdimisht personat që kanë mbajtur kontakte me Radoiçiqin, që gjendet në listën e zezë amerikane, e kërkohet nga autoritetet gjyqësore të Kosovës.

“Foltoren në Kuvend e mbuluan me marre”

Image
Skënder Mulliqi

Analisti politik, Skënder Mulliqi, rrahjen në Kuvend e quan të turpshme.

Sipas tij, është skadaloze të luftohet qeveria Kurti në këtë mënyrë.

Ata që vetë kontaktuan me Radojqiqin, Rakiqin, Simiqin e Vuçiqin, nuk e lanë me dhunën e orkestruar në Kuvend, pa u paraqitur me pano "Zdravo". Foltoren në Kuvend e mbuluan me marre, duke qitur një ikonografi te tille, kur dihet se çfarë averzioni shkakton kjo te shumica shqiptare të cilët nga pushtetet shoviniste serbe u vranë dhe u persekutuan. Kjo shfaqje në Kuvendin e Kosovës, ishte skenar mirë i përgatitur, i cili shume i ka gëzuar shovinistët serbo mëdhenje. I mbushen me këtë lajm gazetat e tyre në përkrahje të PDK-së, e Kurtin pse nuk u përfshi në këtë skenar të rrahjes e quajtën "qyqar”. Rrahja në Kuvend është e turpshme sa nuk e lajnë as lumejt. Të luftohet Qeveria Kurti me metodat brutale, kjo është më shumë se skandaloze. Kur është koha më shumë se kurrë për unitet, deputetët e PDK-së, e shndërruan Kuvendin në arenë gladiatorësh, në arenë të rrugaqërisë politike. Janë çuar peshë ata që e pritën Listën Serbe në Kuvend për 6 orë për ta formuar Qeverinë. Shpërfaqen brutalitet ata të cilët nënshkruan marrëveshje në dëm të Kosovës gjatë zhvillimit të dialogut me Serbinë, me të cilat tash po përballemi. Kryeministri Kurti gjithë luftën politike po e bën që mos të gjejnë zbatim marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015. Vetëm pse nuk po lejon një tjetër Republika Serpska, përmes implementimit të Asociacionit më kompetenca ekzekutive po përballet Kosova me masa ekonomike dhe politike nga BE-ja”, thekson Mulliqi.

Kritikohet opozita

Sipas tij, pushteti nuk merret me puq, por me vota.

“Pushteti nuk merret me puq, por me votat e sovranit. Qeveria Kurti po mbron sovranitetin dhe integritetin territorial nga shovinizmi serbomadh pa e rrezikuar me asgjë minoritetin e privilegjuar serb dhe asnjë shtet tjeter përrreth. Këtë kauazë politike ishte dashur ta përkrahin edhe opozita, e cila ka zgjedhur metodat te mbrapshta të të berit opozitarizëm. Sigurisht se edhe këtë opozitë po e pengon çdo sukses në qeverisje me vendin, siç është edhe vendimi i marrë në kuvend për ligjin e pagave minimale, në vend që të jetë e kundërta. Ata që e kishin pushtetin për 20 vite, dhe e keq përdorën atë për përvetësime të paligjshme personale, i drojnë ndeshjes më ligjin, dhe nga ky kënd duhet shikuar veprimet e tyre në Kuvend, dhe në mjetet e informacionit publik që i kanë nën kontroll. Më se keqi për bllokun opozitar që edhe në këto rrethane të krijuara më Serbinë dhe në kushtet e masave ekonomike, po tentojnë të bllokojnë punën e Kuvendit për të rrëzuar Qeverinë Kurti. Kanë menduar gabimisht se do të rrezojnë pushtetin shumicë të Albin Kurtit, siç e kanë rrëzuar më parë kur LVV ishte në koalicion me LDK”, pohon Mulliqi.

Llogaritë e gabuara

Ai thotë se Kuvendi duhet t’i kthehet punës së rregull, gjersa shton se opozita siç ka vepruar deri më sot, i kanë bërë dëme vetit dhe shtetit të Kosovës.

Mendoj, se edhe pse qëllimi i opozitës nuk është të të bërit opozitarizëm konstruktiv, megjithatë e dinë mirë se nuk i kanë votat për ta rrëzuar, qeverinë, dhe do t’i kthehen punës së rregullt të kuvendit. Do t’i kthehen edhe për një arsye. Se këta deputet që kanë mandatin nga blloku opozitar më zgjedhje të reja nacionale, shumë prej tyre e humbin postin e deputetit, dhe sigurisht se nuk dëshirojnë ta humbin këtë mundësi. Mirë është që t’i kthehen e të bëjnë opozitarizëm në mënyrë parimore në kontrollim të pushtetit, për çka edhe opozita ekziston. Kështu siç kanë vepruar deri më sot, i kanë bërë dëme vetit dhe shtetit të Kosovës. Praktikat e vjetra të qeverisjes me vendin, zor që do të kthehen më në Kosovë, së tashme ka një vetëdijësim tjetër shumë më pozitiv të qytetarëve. Nëse mendojnë krerët e bllokut opozitarë të vazhdojnë më incidente apo të bojkotojnë punën e kuvendit, që të kemi zgjedhje të reja, atëherë kanë bërë llogari të gabuara. Nëse kanë humbur së fundi me 50 për qind, tash do t’i humbasin zgjedhjet më përqindje edhe më ta lartë. Një zhvillim i tillë i ngjarjeve politike, tek e fundit nuk është i logjikshëm të ndodhë në kohën kur Serbia dhe Rusia po na kërcënojnë me luftë në zhbërje të Republikës tonë demokratike”, përfundon Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat