Përplasjet politike: Pse e refuzoi Kurti takimin e thirrur nga Rama? Analistët: Mungesa e Kosovës dëmton perspektivën evropiane

Politika

Përplasjet politike: Pse e refuzoi Kurti takimin e thirrur nga Rama? Analistët: Mungesa e Kosovës dëmton perspektivën evropiane

Nga: Qëndresë Rexhaj Më: 17 korrik 2023 Në ora: 17:00
Albin Kurti dhe Edi Rama

Sot në Tiranë po mbahet takimi joformal i thirrur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është lideri i vetëm që e ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë takim, ku do të diskutohet për Procesin e Berlinit, samiti i të cilit do të mbahet në mes të tetorit në Tiranë.

Të pa pranueshëm dhe të dëmshëm po e konsiderojnë analistët refuzimin e Kurtit në këtë takim.

Sipas tyre, çdo mungesë e Kosovës dëmton perspektivën evropiane dhe përdoret si mos interes për bashkëpunim rajonal.

Muhaxhiri: Vetëpërjashtimi i shtetit tonë nga ky takim krijon një precedent të rrezikshëm

Image
Artan Muhaxhiri

Sociologu dhe analisti politik Artan Muhaxhiri, konsideron se mungesa e Kosovës në këtë takim krijon një precedent të rrezikshëm, pasi që siç potencon ai, në kontekstin rajonal të konferencave ndërkombëtare e barazon Shqipërinë me Serbinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën e kushtëzuar prej Republikës Serbe, si vend ku Kosova nuk mund të jetë e pranishme.

“Është absolutisht e papranueshme që personalizimi naiv i problemeve të shpifura dhe dramatizimi i mos durueshmërisë personale mes Kryeministrit Kurti dhe Rama të projektohen negativisht në rolin e Kosovës përbrenda Procesit të Berlinit. Vetëpërjashtimi i shtetit tonë nga ky takim krijon një precedent të rrezikshëm, sepse në kontekstin rajonal të konferencave ndërkombëtare e barazon Shqipërinë me Serbinë dhe Bosnje dhe Hercegovinën e kushtëzuar prej Republikës Serbe, si vend ku Kosova nuk mund të jetë e pranishme”, deklaron ai për Bota sot.

Derisa flet për takimin në Tiranë, Muhaxhiri thotë se me këtë sjellje të Kurtit shumëfishohen pengesat të cilat edhe tashmë janë të mëdha. Ndërkaq, thekson se, mungesa e vendit në këto takime thellon izolimin faktik dhe simbolik.

“Shqipëria është përzgjedhur nga BE-ja si organizatore e samitit të radhës së Procesit të Berlinit në Tetor, prandaj është gabim që ky takim të identifikohet vetëm me Kryeministrin Rama. Sjellja e këtillë gjithashtu paraqet sinjal shumë problematik ndaj projekteve të ardhshme evropiane për Ballkanin Perëndimor, pasi me këtë stil bllokues të të vepruarit shumëfishohen pengesat të cilat edhe tashmë janë të mëdha. Çdo mungesë e Kosovës në takime të tilla e dëmton perspektivën europiane dhe e thellon izolimin faktik dhe simbolik, duke e fuqizuar imazhin e një qeverie kryeneçe e cila vazhdimisht humb miq dhe krijon armiq”, deklaron ai.

Koci: Nuk e kuptoj pse Kurti refuzon pjesëmarrjen në një takim parapërgatitor të "Procesit të Berlinit"

Image
Melazim Koci

Nga ana tjetër, analisti politik, Melazim Koci, vlerëson se refuzimi i Kurtit nuk është në interes të Kosovës.

Sipas Kocit, ky veprim i Kurtit do të përdoret nga kundërshtaret, pasi do të thonë se Kosova nuk është e interesuar për bashkëpunim rajonal.

“Mospjesëmarrja e kryeministrit Kurti në tubimin parapërgatitor të Procesit të Berlinit që sot po mbahet në Tiranë është gabim. Kurti kishte shumë të drejtë që kishte kundërshtuar “Ballkanin e Hapur”, për të cilin ka pasur mbështetje të gjerë në Kosovë, sepse ai dëmtonte rënd interesat e vendit. Por, tash kur kryeministri i Shqipërisë ka hequr dorë nga ai projekt i rrezikshëm për Kosovën, nuk e kuptoj pse Kurti refuzon pjesëmarrjen në një takim parapërgatitor të “Procesit të Berlinit”. Ky refuzim i tij nuk është në interes të Kosovës, refuzimi do të përdoret nga kundërshtaret e Kosovës, pasi do të thonë se Kosova nuk është e interesuar për bashkëpunim rajonal”, deklaron ai për Bota sot.

Të katër liderët e vendeve të tjera, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, po marrin pjesë në takim.

Ata, si dhe komisionari për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, po drekojnë në vilen 30, mesditën e të hënës, në takimin joformal ku do të diskutohet për Procesin e Berlinit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat