Juristët japin një parashikim jo të mirë për asociacionin – ja çfarë paralajmërojnë!

Politika

Juristët japin një parashikim jo të mirë për asociacionin – ja çfarë paralajmërojnë!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 25 korrik 2023 Në ora: 18:43
Takimi i Ohrit, 18 mars

Themelimi i Asociacionit mbetët një nga temat më të diskutuara në opinionin vendor dhe atë ndërkombëtar.

Së fundmi është kryeministri Kurti që ka folur për këtë çështje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Sipas kryeministrit Kurti, Asociacioni mund të themelohet “sipas planit të Ahtisarit, por e gjithë kjo duhet të jetë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese të saj dhe gjithashtu në përputhje me letrën e Federica Mogherinit, e cila i ishte dërguar ish-kryeministrit të Kosovës, Mustafa, në të cilën shkruan se ai asociacion nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv apo të përfaqësojë nivelin e tretë të qeverisjes”.

Më tutje, ai ka thënë se Marrëveshja e Ohrit e ka specifikuar se të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen plotësisht.

“Neni 7 flet për vet-menaxhimin e komunitetit serb, i cili lidhet me nenin 10, i cili thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese, duhet të zbatohen plotësisht. Kemi 39 marrëveshje të tilla. Dy prej tyre i referohen asociacionit të komunave me shumicë serbe nga viti 2013 dhe 2015”, ka thënë kryeministri Kurti.

Mirëpo sipas juristëve a mund të ketë shpejt një Asociacion të tillë të përmendur nga kryeministri Kurti?

Burjani: Një model si Tiroli jugor duhet të garantohet nga Kosova

Image
Blerim Burjani

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.

Ai u shpreh se mund të ketë lojë fjalësh mirëpo që pavarësisht kësaj shenjat janë të këqija, pasi po përmendet një Tirol Jugor në Kosovë.

“Kjo deklaratë vetëm deri tash nuk ka pas gatishmëri për të themeluar një Asociacion të tillë, pra a është lojë fjalësh apo jo, pritet të shihet. Shenjat janë të këqija, pasi që Lajçak dëshiron një Triol Jugor në Kosovë e që është gjysmë shtet në shtet. Modeli i tillë i përmendur jo rrallë dërgon ka regjionalizimi i Kosovës, proces i dëmshëm për shtetin”, u shpreh ai.

Juristi thotë që një model i tillë duhet të garantohet nga Kosova.

“Një model Tirol duhet të garantohet nga Kosova me Kushtetutë kjo prish shtetin unitar. Theksojmë që për Aosciacion nuk ka shpëtim por vetëm vonim”, shpjegoi Burjani për “Bota sot”.

Kelmendi: Asociacion me pushtet ekzekutiv, të përcaktuar në territor, kurrë nuk duhet të pranojë Republika e Kosovës

Image
Muhamet Kelmeni

Ndërsa, juristi tjetër Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që ndikim të keq në dialogun Kosovë- Serbi, kanë pasur Escobar dhe Hill pasi të njëjtit po mbajnë anën e Serbisë.

Sipas tij, tash kemi një lojë të madhe të Escobar dhe të Ambasadorit të SHBA-së në Beograd, z.Hill, pas të dy po bëjnë një politikë që Kosovën e dëmtuan në raport me shtetin neofashist serb.

“Qëndrimet e SHBA-ve ndaj Ballkanit Perëndimor, sidomos ndaj Kosovës dhe Serbisë, kanë pësuar luhatje me kundërthënie të mëdha politike. Kundruall Serbisë kemi nga Uashingtoni qëndrim në zbutje dhe në raport me Kosovën një kthesë që ka krijuar një vështirësi të madhe. Pa Uashingtonin kurrë nuk do të kishte Asociacion dhe as Gjykatë në Den Hagë. Me Uashingtonin bëri UE-ja presion të madh mbi Kosovën dhe e detyruan në qëndrime që tash njihen. Tash kemi një lojë të madhe të Escobar dhe të Ambasadorit të SHBA-së në Beograd, z.Hill. Të dy po bëjnë një politikë që Kosovën e dëmtuan në raport me shtetin neofashist serb”, thekson ai.

Juristi në fund shtoi që mbetët të shihen qëndrimet përfundimtare mbi Asociacionin dhe Marrëveshjen përfundimtare të Brukselit dhe asaj të Ohrit.

“Mbetët të shihen qëndrimet përfundimtare mbi Asociacionin dhe Marrëveshjen përfundimtare të Brukselit dhe asaj të Ohrit. Për njohje ka qëndrim të qartë në Uashington. Ndërsa, për Asociacion, kemi luhatje dhe qëndrim jo real. U tha se nuk do të ketë pushtet ekzekutiv. Po jepen edhe garanci. Por, ajo që ka mbetur pa përgjigje është niveli horizontal a vertikal i Asociacionit, momenti dhe koha e formimit, nëse duhet të formohet. Mbetët të shihet kjo. Kosova nuk mund dhe nuk duhet të formojë Asociacion brenda një hapësire territoriale”, përfundoi Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat