Dështim apo sukses, komentohet puna në Kuvendin e Kosovës – analistët ‘shpërthejnë’ me kritika ndaj deputetëve

Politika

Dështim apo sukses, komentohet puna në Kuvendin e Kosovës – analistët ‘shpërthejnë’ me kritika ndaj deputetëve

Arife Morina Nga Arife Morina Më 29 korrik 2023 Në ora: 14:03
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka mbyllur sesionin pranveror të punimeve, ku gjatë ditës së djeshme, ende pa filluar u mbyll seanca e fundit e këtij sesioni.

Pas kësaj të gjitha grupet parlamentare folën para mediave. Opozita e para duke hedhur akuza e kritika ndaj pushtetit për korrupsion e izolim të vendit, ndërsa u shprehen se vjeshta duhet të sjell situatë të re në vend.

“Kjo qeveri e cila vjedh rezervat shtetërore, që vjedh edhe kafshatën e bukës së qytetarëve, në grurë e në vaj, çfarë duhet të presim ne më shumë pse duhet t’i lejojmë të vazhdojë punën e më tutje. Ne duhet të kemi angazhim të vazhdueshëm ë ta dërgojmë vendin në zgjedhje”, tha Abelard Tahiri, Partia Demokratike e Kosovës.

“Po deklaroj se Kosova nuk mund të vazhdojë në shtator me sanksione, me një qeveri me skandale si ai i Zdravës dhe ai i vajti, me një qeveri që në vazhdimësi qëllimshëm bën shkelje kushtetuese”, tha Arben Gashi, Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Unë dyshoj se Albin Kurti do tërhiqet”, tha Besnik Tahiri, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Për partinë në pushtet, ky sesion parlamentar konsiderohet i suksesshëm ndërsa, fajin për shumë gjëra ia la opozitës.

“Mund të klasifikohet si një nga sesionet më të suksesshme sa i përket ndryshimeve strukturore në ekonominë e Kosovës dhe në politika sociale të cilat kanë qenë premtime programore të shumicës parlamentare”, tha Armend Muja, Vetëvendosje.

Me këto deklarata, të zgjedhurit e popullit e mbyllën punën për tu rikthyer në shtator me sesionin e vjeshtës.

Mirëpo, gjatë këtij sesioni që lamë pas, në Kuvendin e Kosovës ndodhën ngjarje dhe veprime që nxitën reagime të mëdha, ku ajo që spikati më shumë ishtë përleshja fizike e deputetëve të PDK-së me përfaqësuesit e qeverisë.

Se sa produktiv ishin të zgjedhurit e popullit në punën dhe pjesëmarrjen e tyre në Kuvend, e komentuan analistët politikë.

Mehazi: Sesa të papërgjegjshëm janë shumica e deputeteve në Kuvendin e Kosovës tregoi seanca e fundit

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi

Fillimisht, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” kritikoi ashpër deputetët, derisa tha këta të fundit më me vlerë i kanë pushimet sesa zbatimi i ligjeve në parlament.

“Sesa të papërgjegjshëm janë shumica e deputeteve në Kuvendin e Kosovës tregoi seanca e fundit kur për shkak mungesës së kuorumit seanca nuk u mbajt e u përmbyllë vetëm për një shkak, të shkuarjes kah sytë këmbët të deputetëve në pushime verore, se për deputetët e papërgjegjshëm më shumë e rëndësishme është shkuarja në det për t'u rrezitur e pushuar sesa ligjet e dalura në parlamentin e Kosovës, për deputetët më vlerë kanë pushimet sesa zbatimi i ligjeve në parlament, aq të padurueshëm paskëshan qenë deputetët sa që nuk kanë pritur ditën e fundit të seancës e turrevrap për të shkuar në pushime deri më shtator”, deklaroi profesori.

Krahas kësaj, Mehazi, përmendi disa nga veprimet në seancat e fundit, ku tha se për pak për pak Kuvendi i Kosovës do të bëhej arenë vrasjesh e luftrash.

“Ndoshta të mjerët deputetë janë lodhur nga seancat e fundit të ofendimeve, rrahjeve e trazirave brenda Kuvendit në mes PDK-së e LVV-së sa që dhe për pak Kuvendi i Kosovës do të bëhej arenë vrasjesh e luftrash. Deputetët e Kosovës duhet të jenë të vetedijshëm se janë votuar për të kryer obligimet shteterore deri në ditën e fundit të punës e jo të lënë Kuvendin e zbrazur për t'u rrezitur e freskuar me pije të ndryshme gjatë pushimeve verore”, theksoi ai.

Ndër të tjera, profesori bëri një krahasim interesant të deputetëve me ushtarët, ku tha se diciplina duhet të jetë e të njëjtit nivel.

“Deputetët e kanë kuptimin e ushtarëve, sepse mbrojnë Kushtetutën e Kosovës politikisht me ligjet e nenet në Kuvend, gjersa ushtarët e Forcave të Kosovës mbrojnë kufijtë dhe sovranitetin e Kosovës nga armiqtë. Deputetët janë ushtarë politikë të Kosovës, kurse oficerët e ushtarët e Kosovës janë mbrojtës të sovranitetit të Kosovës. Sa janë të diciplinuar ushtarët në kazermat e Kosovës aq duhet të jenë të diciplinuar edhe deputetet në Kuvendin e Kosovës”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Burjani: Me shumë probleme, me pak efikasitet, ky Kuvend është shumë i dobët

Kurse, analisti Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot” efikasitetin e punës së Kuvendit në sesionin pranveror e cilësoi si shumë të dobët dhe me probleme.

Image
Analisti Blerim Burjani

“Me shumë probleme, me pak efikasitet, ky Kuvend është shumë i dobët, pa iniciativa të deputetëve apo grupeve parlamentare për propozim të ligjeve apo dokumenteve strategjike, vetëm qeveria çka të sjell gatshëm në Kuvend”, deklaroi ai.

Sipas tij, ka shumë deputetë që nuk kanë përvojën e duhur, të cilëve u mungon përgatitja e duhur, ku si pasojë edhe punë në Kuvend dështon në mungesë të kuorumit.

“Pra, ky Kuvend mjaft i dobët dhe pa perspektivë që ndonjëherë do ta luaj rolin e shefit për qeverinë, pra ka shumë dobësi, përplot njerëz të pa përvojë.

S’ka gjë prej këtij Kuvendi, pra kështu do të jetë kur mungon kuorumi apo pjesëmarrja e deputetëve të pa përvoj dhe me shkollim të dobët pa përgatitje, pra nuk kemi as çka të presim prej tyre. Pra vetëm me kalu ky mandat e asgjë më shumë, deri më sot ky është vlerësimi, se çka do të ndodhë nuk dihet”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat