“Kurti s’do të jetë më kryeministër”, analistët i reagojnë Vlora Çitakut: Ja çka do të prodhonin zgjedhjet e reja

Politika

“Kurti s’do të jetë më kryeministër”, analistët i reagojnë Vlora Çitakut: Ja çka do të prodhonin zgjedhjet e reja

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 29 korrik 2023 Në ora: 19:04
Albin Kurti dhe Vlora Çitaku

Janë bërë dy vjet e disa muaj që nga dita kur qytetarët e Kosovës kanë votuar për qeverisje të re dhe gjatë këtyre viteve ka udhëhequr partia e cila ishte në opozitë, madje ka arritur që ta fitojë bindshëm duke formuar qeverinë pa ndonjë koalicion apo “vota parashutë”.

Por, zëra për zgjedhje të reja dhe ndryshim të kësaj qeverisë kanë filluar të shtohen nga opozita pothuajse çdo ditë.

Të premten, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kësaj Qeverie duhet t’i bëhet e qartë se dalja nga qorrsokaku ku janë futur dhe ku e kanë futur Kosovën është shpërbërja e Kuvendit dhe kthimi i mandatit tek populli.

Çitaku ka thënë nëse beson që zgjedhjet e reja do ta prodhojnë një realitet të ri në Kosovë.

Ajo ka thënë se edhe në zgjedhjet e fundit lokale kishte pasur dyshime që opozita do t’i fitonte zgjedhjet.

Çitaku ka thënë se është e bindur që pas zgjedhjeve do të ketë një ndryshim të peisazhit politik në Kosovë dhe sipas saj është e sigurt që Albin Kurti s’do të jetë kryeministër i Kosovës.

Duke folur rreth asaj se çka do të prodhonin zgjedhjet e reja dhe nëse opozita do të zhgënjehet sërish apo do t’i ketë numrat për qeveri të re, analistët politikë ndajnë mendime të ndryshme.

Fetahu: Rezultati do të jetë në bazë të punës që e ka bërë qeveria

Sipas analistit Ilir Fetahu, kauzat me të cilat ka ardhur Vetëvendosje në vitin 2021 kanë qenë të ndryshme nga tani.

Image
Ilir Fetahu

Sipas tij, tani rezultati i VV-së do të bazohet në bazë të punës që e ka bërë qeveria.

Zgjedhjet që kanë qenë më 14 shkurt 2021, e kanë pranuar një shumicë parlamentare të prirë me Vetëvendosjen. Kauzat me të cilat ka ardhur Vetëvendosja kanë qenë krejt tjera, me të cilat nëse do të mbaheshin zgjedhjet e reja nesër nuk mund të jenë tani, tani është loja krejt tjetër, rezultati do të jetë në bazë të punës që e ka bërë qeveria dhe shumica aktuale që është në Kosovë dhe sigurisht që mendoj se opozita do të favorizohej”, deklaron Fetahu.

Ai beson në një rezultat tjetër dhe favorizuese e sheh Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Unë besoj që rezultati do të jetë krejt tjetër. Mendoj se LDK-ja është shtetformuese dhe asaj çdo ditë po i kthehet elektorati, për atë edhe nëse do të mbaheshin zgjedhjet ajo mund të dalë me një rezultat të kënaqshëm, madje duke lënë prapa edhe Lëvizjen Vetëvendosje”, thekson Fetahu.

Qarri: Zgjedhjet e reja do të prodhonin një fitore më spektakulare të Kurtit

Por, ndryshe mendon analisti politik Gani Qarri, i cili thotë se partitë opozitare ka kohë që jetojnë me shpresën se do ta çojnë vendin në zgjedhje të reja.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, partitë opozitare derisa ishin në pushtet përveçse kanë plaçkitur e zhvatur çdo gjë në këtë shtet, tani kanë bllokuar edhe marrëveshjet ndërkombëtare të donacioneve qindra milionëshe për qytetarët dhe shtetin e Kosovës në vlerën prej mese 150 milion eurove duke u kthyer me vetëdije në armik të ligjit dhe mirëqenies së qytetarëve.

Në fakt partitë e shkërmoqura opozitare, të cilat, siç dihet tanimë, kanë rënë tërësisht në fund të pusit, për nga vlerësimi i qytetarëve të Kosovës, ka kohë që jetojnë me shpresën, se do ta çojnë vendin në zgjedhje të reja, por që siç u dëshmua në realitet, kjo më tepër ishte ëndërr opozitare, të cilën partitë e dështuara, qysh nga zgjedhjet e fundit, e kanë kthyer në mjet për ngushëllimin e vetvetes dhe ushqim të vetëm, ani pse aspak kalorik, për mbijetesë politike në vend. Parti të cilat derisa ishin në pushtet, përveçse kanë plaçkitur e zhvatur çdo gjë në këtë shtet, tani kanë bllokuar edhe marrëveshjet ndërkombëtare të donacioneve qindra milionëshe për qytetarët dhe shtetin e Kosovës në vlerën prej mese 150 milion eurove duke u kthyer me vetëdije në armik të ligjit dhe mirëqenies së qytetarëve, të cilat siç dëshmojnë edhe sondazhet më të reja të UNDP-së kanë humbur çdo besim te votuesi vendor, ndërsa është rritur besimi te kryeministri, krye parlamentari dhe presidentja e vendit, deri në shifrën marramendëse mbi 60 %, fenomen i cili qysh nga vdekja e presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova, nuk ka ndodhur asnjëherë deri më tani, në Kosovë”, thekson Qarri.

Duke parë sjelljen e disa deputetëve, Qarri kërkon që Kuvendi të miratojë ndonjë rregullore që do t’i përcaktonte qartë kriteret e të qenit deputet, pasi sipas tij, ka rebelim grupor e partiak.

Në fakt duke parë cinizmin e skajshëm, rebelimin grupor e partiak, bojkotimin e punës parlamentare, shkaktimin e konflikteve fizike dhe përleshjeve në Kuvend, bllokimin e ligjeve dhe mospunën kolektive të shumicës prej tyre, është koha e fundit, që Kuvendi ta miratojë një rregullore e cila do t’i përcaktonte qartë kriteret e të qenit deputet, vendoste rregullat ligjore të sjelljes dhe detyronte kryerjen e obligimeve mandatore, të të gjithë atyre që marrin mandatin e deputetit të popullit, pa marrë parasysh partinë. Përndryshe ata, të cilët përpiqen që për llogaritë personale apo partiake, të mos-miratojnë as marrëveshjet ndërkombëtare për donacione dhuruar shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, vetëm e vetëm, për t`ia vështirësuar, sa më shumë jetën qytetarëve, jo vetëm që nuk mund të kthehen në pushtet me votën e lirë të qytetarëve, por do duhej tu merrej urgjentisht mandati i deputetit dhe tu ndalohet përjetësisht, kandidimi për deputet. Në anën tjetër, vendosja e rendit dhe e ligjit në veri, forcimi i Ushtrisë së Kosovës me kuadro të specializuara në vendet e NATO-s dhe pajisja me armatime të reja moderne e FSK-së, shtensionimi i gjendjes dhe afrimi i mbajtjes së zgjedhjeve të reja në 4 komunat veriore, të cilat pritet ta kthejnë gjendjen në binar normal të zhvillimit, ka nisë ta shqetësojë shumë, jo vetëm Serbinë nga frika e humbjes së ndikimit në Kosovë, por edhe partitë e shkërmoqura opozitare, nga droja se do ta humbin edhe atë pak mbështetje që ende u ka mbetur tek militantët e vet politik, numri i të cilëve dita e ditës, po bie”, shprehet analisti.

Ai deklaratën e nënkryetares së PDK-së e konsideron ëndërr, gjersa shton se zgjedhjet e reja do të prodhonin një fitore edhe më të madhe dhe më tepër spektakolare të Kurtit.

Kështu që, me gjithë mozaikun e ëndrrave ylberore që nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku sheh ditën me diell, ndryshimi i vetëm që zgjedhjet e reja do të prodhonin, në këto momente është më tepër negativ dhe i pa favorshëm për mbarëvajtjen e shtetit të Kosovës, nga fakti se me mbajtjen e parakohshme të tyre, do të ndërpritej procesi i stabilizimit të gjendjes në veri, do ti lironin kriminelët serb dhe dy organizatat e shpallura terroriste, nga ndjekja ligjore dhe ndihmonin vetëm Vuçiqin, për ti ikur presionit mbi të, nga bashkësia ndërkombëtare, e cila sa vije e rritet, që ai ti lejojë pjesëtarët e pakicës serbe të marrin pjesë në zgjedhje dhe të votojnë lirshëm e pa presione nga Serbia, si dhe të mos ndërhyjë më në çështjet e brendshme të Kosovës. Ndërsa ndryshimi tjetër që zonja Çitaku thotë se zgjedhjet e reja do të prodhonin, do të jetë një fitore edhe më e madhe dhe tepër spektakolare e kryeministrit Kurti, i cili përveçse do të jetë përsëri kryeministër i pakontestueshëm, ai pritet ti marr rreth 60% të votave, siç paralajmërojnë edhe sondazhet më të reja të publikuara nga UNDP, këto ditë. Madje zonja Çitaku dhe mbarë opozita do të ishte mirë, që ti rilexonin edhe disa herë radhazi, sondazhet më të reja, para se të kërkonin mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, sepse, ato jo vetëm që nuk do ti mundësonin opozitës së shkërmoqur të fitojë numrat për qeveri të re, por do të prodhonin edhe një zhgënjim total dhe shumë më denigrues për opozitën, që do të binte si tërmeti më shkatërrimtar mbi të, kur dihet mirëfilli se një pjesë e saj, nuk do ta kalonte më as pragun e paraparë zgjedhor për tu bërë pjesë e Kuvendit, dhe do të mbetej tërësisht edhe jashtë jetës aktive parlamentare dhe politike në Kosovë”, përfundon Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat