Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj, ish-agjenti i ShIK-ut tregon “gabimin e tij të madh”

Politika

Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, Dritan Goxhaj, ish-agjenti i ShIK-ut tregon “gabimin e tij të madh”

Nga: Naile Ejupi Më: 31 korrik 2023 Në ora: 21:58
Dritan Goxhaj

Gjykata Speciale të hënën ka lëshuar urdhër arrest për Dritan Goxhajn, shoqërues i trupave amerikane gjatë luftës në Kosovë.

Arrestimi i Goxhajt është bërë me pretendimin se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve të disa çështjeve penale, të ngritura pas luftës në Kosovë.

Dritan Goxhaj i është bashkuar UÇK’së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e aviacionit.

Specialja njoftoi se arrestimi i Dritan Goxhajt u bë si rezultat i bashkëpunimit dhe ndihmës së autoriteteve shqiptare.

“Më 31 korrik 2023, autoritetet e Shqipërisë arrestuan z. Dritan Goxhaj në Tiranë. DHSK-ja kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhaj dhe dorëzimin e tij në DHSK, mbi bazën e fletarrestimit të lëshuar nga një gjykatës i DHSK-së në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësim dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare”, thuhet në njoftim.

Specialja thotë se Goxhaj “do të mbahet i paraburgosur në Shqipëri në pritje të vendimit të autoriteteve shqiptare lidhur me transferimin në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hag” dhe se “më vonë do të jepet më shumë informacion”

Rreth arrestimit të Goxhajt, ka folur për “Bota sot”, ish- anëtari i ShIK-ut, Naim Miftari, i cili thotë se ai ka bërë gabim në vend se ka dashur të bëj emër e etiketime politike me emra të dëshmitarëve të mbrojtur.

Sipas tij, nëse Goxhaj ka dashur t’i ndihmojë të akuzuarit edhe në këtë rast është gabim i madh.

“Arsyeja besoj se është tentimi i dekonspirimit dhe etiketimit të dëshmitarëve të mbrojtur. Nuk e di arsyen, por nëse ka dashur të bëj emër e të bëj etiketime politike me emra të dëshmitarëve të mbrojtur është gabim, por nëse ka dashur kinse t’i ndihmojë të akuzuarit ky është gabim edhe më i madh, pasi jo që si ndihmon, por i dëmton edhe më shumë të akuzuarit. Mos të harrojmë, se secili i akuzuar dhe avokat mbrojtës i tyre, por edhe stafi mbrojtës e di shumë mirë kë e kanë përballë si dëshmitar të prokurorisë dhe nëse dëshmitë janë të sajuara dhe jo të vërteta, mbrojtja, por edhe vetë të akuzuarit duhet ta demaskojnë dhe t’i përgënjeshtrojnë deklaratat dhe dëshmitë e rrejshme apo dëshmitë e porositura nëse janë të tilla”, deklaron Miftari.

Image
Naim Miftari

Goxhaj ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.

Kohë më parë, Goxhaj e kishte përmendur këshilltaren e ministres Albulena Haxhiu, si një dëshmitare të mundshme në procesin ndaj Salih Mustafës.

“Dëshmitari i tretë, edhe ky i mbrojtur dhe i fshehur, quhet Nazlie Balaj”, pretendon ish-oficeri i UÇK-së, në shkrimin e publikuar në KosovaPress, më 2 janar të këtij viti.

“Kjo është këshilltare e Ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës. Përveç faktit që është e afërme e viktimës, askush nuk i bie dot në fije se si ka mundur kjo të jetë dëshmitare për një ngjarje të cilën ajo vetëm e ka dëgjuar”, pretendon autori i shkrimit.

Në një opinion që ishte publikuar, ai kishte thënë se Bala është dëshmitare. Megjithatë, opinioni sot nuk mund të gjendet në agjencinë Kosovapress.

Ndaj fjalëve të Goxhajt ishte përgjigjur edhe Bala, duke thënë se ai po ia rrezikon jetën.

Ai është djali i ish-zv.shefi i Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj.

Në anën tjetër, Miftari thotë se etiketimi i dëshmitarëve nuk ju ndihmon të akuzuarve.

Ai përmend edhe ish- ministrin Hajredin Kuçi për përmendjen e një dëshmitare femër në Dukagjin.

“Etiketimi i dëshmitarëve nga X apo Y, nuk ju ndihmon të akuzuarve, siç nuk ju ndihmon as një deklaratë nëpër ahengje private në Kosovë. P.sh. Në Dukagjin para shumë personave një ish- ministër i Drejtësisë nga radhët e PDK-së, Hajredin Kuçi e dekonspiron një dëshmitare femër, dëshmitare e mbrojtur e prokurorisë, kjo është çudi pasi vetë Hajredini si familje me traditë me shumë sigurimca dhe UDB-sha serbë edhe vetë dikur milic i Serbisë duhet ta di se kur s’ta mban goja sekretin tënd, nuk ta mbajnë sekretin as tjerët, por përkundrazi!”, shton Miftari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat