Paralajmërimi i fundit i Listës Serbe, vjen parashikimi për veriun: Mund të ndodhin ngjarje të papara!

Politika

Paralajmërimi i fundit i Listës Serbe, vjen parashikimi për veriun: Mund të ndodhin ngjarje të papara!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 1 gusht 2023 Në ora: 08:07
Albin Kurti dhe protesta në veri

Veriu i Kosovës është temë qendrore tash e sa muaj, ku pas tensioneve dhe provokimeve të shumta nga bandat kriminale serbe, po kërkohet mbajtja e zgjedhje të reja në 4 komunat veriore. 

Zgjedhjet e reja janë kërkesa kryesore e bashkësisë ndërkombëtare, me kusht që të vendoset paqe në veri. 

Mirëpo, së fundi, nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq në një intervistë për media ka deklaruar se serbët nuk do marrin pjesë në zgjedhje të reja në veri të Kosovës, pa u plotësuar disa kushte. 

Pa plotësuar kushtet që na i kanë vënë qytetarët, nuk mund të diskutojmë mundësinë e zgjedhjeve”, tha Simiq. 

Simiq përmendi largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat veriore dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës, si parakushte për zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve. 

“Pra, të flasësh për zgjedhjet, si ndonjë pilulë magjike që do t’i zgjidhë të gjitha çështjet e hapura, është vërtet e papërgjegjshme”, tha Simiq. 

Kjo është diçka që po ju kërkojnë partnerët tuaj, SHBA-ja, BE-ja, njerëzit me të cilët biseduat gjithashtu e mbështesin atë…”, i tha gazetari i VOA. 

Simiq insistoi se “depërshkallëzimi vjen i pari dhe pastaj flasim për zgjedhje”. Nëse nuk ka depërshkallëzim, tha ai “historia për zgjedhjet është një histori hipotetike” 

Bazuar në këtë deklaratë të Simiqt, duket se serbët nuk janë të interesuar për paqe dhe zgjidhje të konfliktit. 

Shala: Situata në veri të vendit është e ndërlidhur me pozicionimin në mes Prishtinës dhe Beogradit 

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Drizan Shala. 

Image
Drizan Shala

Sipas tij, hapat e ardhshëm për de-eskalim të situatës mund të prodhojnë ngjarje të papara. 

“Situata në veri të vendit është e ndërlidhur me pozicionimin në mes Prishtinës dhe Beogradit ku hapat e përcaktuar për de-eskalim do të mund të prodhojnë një situata të pa parë përgjatë 2021 /2023”, nënvizoi ai. 

Krahas kësaj, eksperti i sigurisë kërkoi koordinim të Kosovës, në mënyrë që të parandalohet ndërhyrja e Listës Serbe dhe cenimi i sigurisë. 

Kosova do të duhej që të koordinohet dhe subkoordinohet me veprime të caktuara për të mos lejuar elementet radikal të mund të ndërhyn përmes Listës serbe në interferimin e cenimit të sigurisë nacionale të vendit”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”. 

Mehmeti: Lista Serbe nuk është e interesuar për paqe 

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se Lista Serbe nuk do paqe, por përkundrazi do tensione. 

Image
Faton Mehmeti

“Lista Serbe nuk është e interesuar për qetësim të gjendjes, përkundrazi për tensionim të saj. Vetëm kështu ata vazhdojnë me propagandë ndaj serbëve lokal se “Kurti po u sulmon e ne po u mbrojmë””, u shpreh ai. 

Sipas analistit, të gjitha veprimet që bënë LS janë urdhra të Vuciqit. 

Derisa, shtoi se nuk do ketë paqe nëse ndërkombëtarët nuk marrin masa ndaj presidentit serb. 

“Natyrisht kjo ndodh me urdhër të Vuçiqit, i cili përveç se po e paraqet veten si shpëtimtar, po punon për Asociacionin. Është në AND-në e Serbisë propaganda, megjithatë me veprimet e fundit, Kosova para botës tregoi se kush janë serbët, se bandat në veri janë të rrezikshme. Gjithsesi, nuk pres qetësim derisa SHBA dhe BE nuk ia “ngrehin veshin” Vuçiqit për veprimet e tij destabilizuese”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat