Eksperti amerikan “godet” fort Vuçiqin: Si po tenton ri-eskalimin e situatës në veri, të ndërhyjë KFOR-i

Politika

Eksperti amerikan “godet” fort Vuçiqin: Si po tenton ri-eskalimin e situatës në veri, të ndërhyjë KFOR-i

Nga: A.ZH Më: 1 gusht 2023 Në ora: 12:01
Daniel Serwer dhe Albin Kurti

Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq, se po planifikon të shfrytëzojë çdo mundësi për të përshkallëzuar konfliktin me Kosovën.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, Serwer tregoi planin e Vuçiqit për serbët në veri të Kosovës.

“Nuk kam nevojë për paralajmërimet e Albinit për të dëgjuar qartë se presidenti Vuçiç po planifikon të shfrytëzojë çdo mundësi që shfaqet për të përshkallëzuar konfliktin. Vuçiq i ka inkurajuar serbët të imagjinojnë se mund të dërgojnë ushtrinë e tyre në Kosovë për të “mbrojtur” serbët atje”, ka deklaruar ai.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, së fundmi duke folur për çështjen e veriut, është shprehur i brengosur më shumë për potencialin e rieskalimit sesa de-eskalimin në veri të Kosovës.

“Ajo çfarë na brengosë neve tash, më shumë sesa de-eskalimi, është potenciali i rieskalimit. Veçse rieskalimi nuk varet prej neve. Ju e keni garant Qeverinë e Republikës së Kosovës, organet tona shtetërore, mua si kryeministër që me asgjë, ama bash asgjë, asnjëherë, askund nuk kontribuojmë për eskalim”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Qeveria e Kosovës, si masë për zbutjen e tensioneve, ka vendosur reduktimin e 25 % të pranisë policore në objektet komunale në veri dhe në hapësirat përreth.

E sipas profesorit amerikan, tensionet në veri mund të de-përshkallëzohen vetëm me menaxhim të mençur të situates.

“Vetëm me menaxhim të mençur të situatës dhe duke përfituar nga mundësitë për të de-përshkallëzuar. Është gjithashtu jetike që KFOR-i të jetë i gatshëm të ndërhyjë për të mbrojtur integritetin territorial të Kosovës”, ka theksuar Serwer për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat